E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama rrezikon të jetë një anekdotë

Edhe pse erdhën në Kuvend në limitin kohor të skadimit të mandateve, pasi kishin konsumuar për muaj me radhë politikë jashtë-institucionale, pasi kishin konsumuar për muaj me radhë retorikë mediatike; edhe pse erdhën në Kuvend, pasi ishin përballur me certifikimin ndërkombëtar të zgjedhjeve, si më të mirat ndonjëherë në vend; edhe pasi ishin përballur me shtrëngimin e miqve ndërkombëtar për të pranuar rrugën institucionale e kushtetuese, si e vetmja rrugë për të bërë transparencën e zgjedhjeve; deputetët socialistë u paraqitën me dy nisma, të cilat reflektojnë pa asnjë ndryshim të njëjtin pozicioni që opozita shpalli në ditën kur kuptoj që i kishte humbur zgjedhjet strategjia e krizës; bojkoti forca e ngatërrestarit.

Në mënyrë sistematike mazhoranca ka ofruar të gjitha mundësitë për të hetuar brenda kornizës ligjore dhe kushtetuese. Mazhoranca tregoi gatishmëri maksimale ndaj rekomandimeve të ndërkombëtarëve, përfshi propozimin për tiu drejtuar Komisionit të Venecias, si një arbitër, për të bërë interpretim e qëndrimeve. Por, mazhoranca kishte bërë të qartë, se nuk mund të pranojë të marrë rolin e Prokurorisë, nuk mund të zhbëjë vendimet e gjykatave, nuk mund të zëvendësojë, as KQZ-në dhe administratën zgjedhore dhe as KLSH-në, si dhe asnjë institucion tjetër të këtij shteti. Bujarisht u ofrua edhe shumica në komision hetimor. Por qëndrimi i socialistëve mbeti i njëjtë. Ai i ditës së parë. Projekti i krizës.

Në fjalimet e deputetëve të majtë në seancën maratonë, u shfaq gati hapur përgjërimi për një krizë ekonomike. Duke qenë se provokimi i krizës politike po i shteron mjetet e veta, shpresa e vetme për socialistët mbetet mundësia e një Krize Ekonomike. Kriza është kthyer në pasionin e socialistëve. Po të perifrazoj një poet avangardist, që me të majtën e lidh iluzioni për revolucionin, argumenti i socialistëve është
Krizë, Krizë lusim sot / siç lusin kristianët / bukën e përditshme epna Zot

Fjalimi i Ramës, në formën e letrës së hapur dhe kërcënimi se do të ketë zhvillime të paparashikuara, tregon qartë që opozita nuk kërkon marrëveshje, opozita nuk kërkon bashkëpunim, opozita nuk kërkon kompromis, por thjesht imponim. Në këto kushte, nuk ka mbetur asnjë hapësirë për një akt formal që të reflektojë një marrëveshje dypalëshe të ngritur mbi besim, mbi mirëkuptim, një marrëveshje dypalëshe që të ketë sado pak përfitim publik.

Opozita nuk mundi të fshehë qëllimin e vërtetë provokimin e krizës. Nuk mund ta fsheh këtë qëllim pas kërkesës për transparencë mbi zgjedhjet që shkuan. Kryetari i opozitës nuk mund ti fshehë krizat e tij, nuk mund ta fshehë papërgatitjen për të qëndruar në opozitë duke marrë rolin e misionarit të transparencës.
Ushtrimi i zgjedhjeve dhe transparencës së zgjedhjeve u krye. Secila palë angazhoi njerëzit më të besuar. Rreth 20 mijë demokratë dhe rreth 20 mijë socialistë, administruan procesin në çdo qendër votimi dhe në çdo pikë numërimi. Të dyja palët dhanë maksimumin e tyre dhe realizuan zgjedhjet më të mira deri më sot në Shqipëri. Për suksesin apo për mangësitë e zgjedhjeve, palët kanë meritë të njëjtë, ashtu siç kanë dhe përgjegjësi të njëjtë. Sistemi dypalësh dhe marrëveshja midis PD dhe PS e dha maksimumin e vet. Votat u numëruan publikisht, votat u projektuan për këdo, votat u vëzhguan dhe u filmuan. Ushtrim ekselent transparence. Ç'mbetet më për tu bërë?!
Kërkesa e opozitës për një marrëveshje të re për të bërë edhe një herë të njëjtën punë, të njëjtin ushtrim është në kufijtë e absurdit. Nuk ka dhënë asnjë provë që të kërkojë pse, dhe ku numërimi nuk qe transparent? Nuk ka asnjë provë, apo dyshim të arsyeshëm, të thotë pse dhe ku përfaqësuesit e palëve dështuan. Nuk mundi të paraqesë asnjë provë as në gjyq dhe as në gjyqin publik që po vazhdon prej 8 muajsh. Kutia e fshatit Ruzhdie është prova më e mirë që kur gjërat nuk u bënë sipas marrëveshjes dhe ligjit, kur palët dështuan, rezultati nuk u pranua. Shkeljet në këtë kuti nuk u morën parasysh në numërim dhe rasti u hetua nga prokuroria. Kjo është prova se sistemi ndaloi çdo shkelje, parandaloi çdo deformim.
Nuk ka asnjë dyshim të arsyeshëm, dhe gjithçka, i gjithë sulmi mbi zgjedhjet dhe transparencën bazohet në akuzën që pala socialiste iu bën përfaqësuesve të vet. I akuzon se i kanë shitur zgjedhjet. Secila palë angazhoi rreth 20 mijë përfaqësues në komisione, në numërim dhe vëzhgim. Gati gjysma e anëtarësisë aktive të secilës palë. Por, Rama e akuzon gjysmën më aktive dhe më të besuar, atë që u zgjodh me kujdes për të administruar zgjedhjet, për të mbrojtur votën. Atë gjysmë të anëtarësisë socialiste që u sakrifikua në ditët e lodhshme e plot tension të zgjedhjeve, e akuzon se i shitën zgjedhjet. Pikërisht mbi këtë mosmirënjohje është ngritur i gjithë sulmi politik mbi zgjedhjet dhe mbi besueshmërinë e institucionit të zgjedhjeve. Kur para katër vjetësh, ish-ministri i Brendshëm habiti botën me akuzën se ia kishin vjedhur votat policët e tij, kam menduar se ishte një goditje psikologjike e një politikani të ri, pa përvojë, që karrierën politike e kishte fituar lehtshëm. Por, sot është e pabesueshme që të shohësh që kjo sindromë të përfshijë vetë kryetarin e socialistëve, Rama, i cili thotë sot se "mi shitën votat komisionerët e mi". Në fakt karrierat e ish-ministrit dhe e kryetarit socialist ngjajnë, por dëmi që i bën kryetarit është më i madh, pasi ai po i jep dhe po i dikton qëndrimin e pamoralshëm dhe të pabesueshëm gjithë partisë së tij.
Këtu gjërat humbin krejtësisht kuptimin. Nga kjo pikë nuk mbetet asnjë nevojë për të kërkuar e gjetur zgjidhje. Nuk ka asnjë kuptim të kërkohet një marrëveshje mes PD dhe PS, që Rama të mos i akuzojë më si shitës votash komisionerët dhe numëruesit socialistë. Nga kjo pikë nuk ka më asnjë kuptim që palët të lodhen e të kërkojnë mirëkuptim për të joshur opozitën të qëndrojë në Kuvend. Socialistët e dinë që Parlamenti është vendi i të bërit politikë në mënyrë evropiane. Socialistët e dinë që braktisja e Parlamentit dëmton Shqipërinë. Është zgjedhja e tyre dhe po ashtu edhe përgjegjësia e tyre se çfarë do bëjnë. Në fund të fundit rruga është po aq demokratike sa edhe salla e Parlamentit.
Ndërsa shumicës dhe qeverisë i duhet të mos bjerë në grackën e kompleksit që sjell projekti i krizës politike që provokohet qëllimisht nëpërmjet bojkotit. Mazhoranca nuk ka pse futet në kompleksin e të zotit të shtëpisë që sikletoset në sy të miqve nga prapësitë e një pjesëtari të familjes. Loja e ngatërrestarit që pastaj kërkon përgjegjësitë e të zotit të shtëpisë nuk duhet të dominojë sjelljen dhe aksionin politik të mazhorancës. Të huajt, vërtet do kërkojnë edhe më shumë përgjegjësi tek partneri formal, qeveria mazhoranca, por, mazhoranca duhet të pranojmë publikisht para ndërkombëtarëve defektet dhe papjekurinë e njërës palë në funksionimin e demokracisë. Kjo është e dhimbshme, por nuk e fshehim dot, vetëm sa kompleksohemi kolektivisht. Disfunksioni i demokracisë na sikletos, por ai ka një emër paaftësia e Ramës të drejtojë në opozitë. Ish-ministri doli nga politika dhe mbeti si anekdotë, Rama rrezikon të njëjtën gjë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›