Meta nga SHBA-ja: PS nuk respekton rregullat e lojës
Ministri i Jashtëm Ilir Meta nga Uashingtoni, ku ndodhet për një vizitë dyditore, shprehu shqetësimin se opozita shqiptare nuk respekton rregullat e lojës, gjë që ka sjellë dhe ngërçin politik në vend. I pyetur për vështirësitë e politikës së brendshme që po kalon Shqipëria, z. Meta përsëriti argumentet e njohura të shumicës lidhur me kërkesat e opozitës socialiste. Por ai tha se këto probleme duhen parë me një sy realist, sepse vetëm 20 vjet më parë Shqipëria ishte Koreja e Veriut e Evropës dhe nuk është e lehtë që të gjithë politikanët të respektojnë rregullat e lojës. Meta foli më tej për pakthyeshmërinë e pavarësisë së Kosovës duke thënë se Shqipëria mbështet njohjet e mëtejshme të Republikës së Kosovës dhe shprehu mendimin se tani, sfidat për Kosovën janë që ajo të konsolidojë institucionet e reja dhe që këto institucione të forcohen në përputhje me të ardhmen e saj evropiane. Duke folur për vizitën e tij në Serbi, z. Meta tha se me gjithë mosmarrëveshjet për pavarësinë e Kosovës, Tirana dhe Beogradi janë dakord se Kosova duhet të përfshihet në të gjitha nismat rajonale. Ai solli si shembull faktin që në konferencën rajonale në Tiranë morën pjesë si ministri i brendshëm i Serbisë ashtu edhe ai i Kosovës. Shqipëria beson se pa pjesëmarrjen e secilit, integrimi i krejt rajonit në Bashkimin Evropian nuk mund të jetë i plotë, - tha ministri shqiptar. Zoti Meta ishte zyrtari i parë nga Shqipëria që vizitoi shqiptarët në Luginën e Preshevës, vizitë të cilën e quajti një kapitull të ri dhe historik. Mendoj se ky ishte një shembull i mirë se si mund ta ndryshojmë historinë për mirë dhe se si mund të transformojmë burimet e konfliktit në burime të bashkëjetesës paqësore, të respektit për të drejtat njerëzore dhe etnike, qëndrueshmëri, bashkëpunim dhe begati. Ai tha se një qëndrim i tillë i ri do të sjellë një ndikim pozitiv për të gjithë rajonin në vështrimin afatgjatë. Çdo ide për ndarje të veriut të Kosovës nuk është konstruktive. Kjo do të sillte shumë telashe për të cilat ne nuk kemi nevojë, por kjo nuk është as në interes të Serbisë dhe të serbëve, sepse shumica e serbëve nuk jetojnë në pjesën veriore të Kosovës. Ne duhet të bëjmë me Serbinë atë që bëmë me Malin e Zi. 12 vjet më parë, - shpjegoi ai, - Shqipëria kishte të njëjtat marrëdhënie jomiqësore si ato që kishte me Serbinë. Por brenda pak vitesh, ato marrëdhënie ndryshuan dhe tani janë të shkëlqyera, - deklaroi z. Meta.