E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në funksion të fushatës zgjedhore...

24-01-2013 / Nga Eden Babani

Përjashto ca njoftime sportive, ca lajme sensacionale për jetën e ndonjë “vipi”, ca “këshilla” mjekësore, ca “parashikime” në rubrikën e horoskopit e ku di unë çfarë tjetër kësisoj, gjithçka pasqyrohet sot në faqet e mediave tona të shkruara, dashka-padashka, është në funksion të fushatës zgjedhore, pavarësisht nga pozicionimi politik i secilës. Kështu, kur sillen “kujtime” për bëmat e Enver Hoxhës, ndonëse me nëntekst të mjegullt. Kështu, kur përtërihet figura e Mehmet Shehut me enigmën u vetëvra apo e vranë ose si i bombardoi ish-kryeministri bunkerët dhe si, me atë rast, dikush mori doktoratën, duke studiuar frikën që kishin përjetuar qentë gjatë bombardimit. Kështu kur përzgjidhen autorë nga letërsia artistike. Kështu të gjitha me më the e të thashë, në formë kujtimesh. Çekanët godasin gjithherë mbi të njëjtën kudhër, mbi atë të zgjedhjeve të 23 qershorit.
Ciklonit zgjedhor, duket se s’i kanë shpëtuar dot as disa të vetëquajtur analistë a artikullshkrues asnjanës, të cilët, ende pa i mbushur mendjen vetes, rreken të bindin elektoratin se nuk shohin majtas ose djathtas, por vetëm drejt. Sikurse shumë të tjerë që nënshkruajnë artikuj nëpër gazeta, për vete e kam zgjidhur problemin e përkatësisë sime djathtas, çka s’e kam fshehur kurrë qysh se Enver Hoxhën e bronztë, në mungesë të të gjallit, e tërhoqi zvarrë populli i Tiranës, që t’ua çonte  studentëve në grevën e urisë, ashtu si ia çuan sulltanit kokën e Ali Pashë Tepelenës, në Stamboll. Në kohën diktaturës komuniste, as që mund të bëhej fjalë për ndonjë anësi të shpallur, pasi isha në darën e luftës së klasave dhe nën mbikëqyrjen e rreptë të censurës komuniste, e cila më kishte nxjerrë tabelën “Ndal!”, edhe kur kisha tentuar të shkruaja ndonjë tregim me partizanë ose ndonjë vjershë për fëmijë me mace e me minj. Është kjo arsyeja që sot s’ ndihem dhe s’ ka ç’ më duhet të shtihem i pavarur.
Një individi të lidhur me rrjedhat politike, siç jemi ne që shkruajmë nëpër gazeta, ia do mbijetesa në kushtet e tranzicionit të zihet diku, fjala vjen, në një gozhdë muri, nga e djathta ose nga e majta. Përndryshe, në mos pranoftë të jetë zënë, është i mbaruar, gënjen veten. Kësisoj, të zihet njeriu njëherësh në dy vegjëza që largohen në kahe të kundërta, s’mundet, pasi rrezikon të çahet dysh ose ta lëshojë njëra, në mos të dyja. Afërmendsh, atëherë fillon e flet me vetveten, me alter egon, që të shfryjë mllefe, ngase dikush s’ia ka vënë veshin. Gjendja psikologjike që e shtyn individin e dyzuar të pyesë njërën vete që t’i përgjigjet tjetra, sipas meje, ka të bëjë me shumë faktorë, që s’kanë lidhje me inteligjencën, me fuqinë e arsyetimit, me kulturën etj., por, ndoshta, me trashëgimi. T’i kundërvihet gjithçkaje, edhe kur ajo është e pranueshme për shumicën e mendjeve, do të thotë se ai individ ka një shkak të fortë që e nxit. Le të pranojmë, në rastin më të mirë, që shkaku të jetë politik. Për rrjedhojë, tejkalimi i vetvetes, bredhje gjithësisë dhe, sërish, rikthim te vetja e dytë, ndoshta e tretë, e katërt e kështu me radhë. Si gazetar, nuk harroj asnjë çast se jam në rolin e një propagandisti. Atij që e pranon atë çka shkruaj, i jam mirënjohës. Atij që s’e pranon, s’i mbaj mëri. Edhe kur ndokush më shan, më fyen me fjalë që s’i meritoj, s’kam çka bëj, dua ose s’dua, shtihem i shurdhër. 
Tri a katër temat e trajtuara më tepër kohëve të fundit në faqet e gazetave tona, në rrafshin e brendshëm, kanë qenë hajnia e një akademiku me përkatësi socialiste në SHBA, pallati pesëkatësh dhe njëqind milionët e zonjës Lindita Basha, pasuria e zonjës Argita Malltezi, 21 janari e ndonjë tjetër më pak e rëndësishme. Të gjitha me të njëjtin qëllim, asnjëra jashtë kontekstit zgjedhor. Do a nuk do kush, të katër temat japin lëndë interesante për të shkruar. Lidhur me to, e kam shfaqur mendimin tim vetjak përmes faqeve të gazetës 55, ani se drejtësia nuk e ka thënë ende fjalën për asnjërën. Por, i bindur që një ditë (ndoshta jo tepër larg) do ta thotë se s’bën, aq sa më kanë lejuar indice të veçanta, kam nxjerrë përfundimet e mia. Shpresoj të mos mbetem i zhgënjyer, jo aq se, siç thonë e siç jam i sigurt që do të thonë, te ne drejtësia është e korruptuar, por sepse gjykimi im mund të jetë i gabuar. Tek e fundit, gabimi është atribut njerëzor.
Për tre temat e para me personazhe që kanë emra të përveçëm, gjykoj se sido që të flasë drejtësia, secili syresh do të marrë atë çka i takon. Ta gëzojë! Ta gëzojë edhe zoti Barjaba që u kthye në atdhe t’i japë dorën e fundit programit “Rilindja” dhe që për problemet e tij e të familjes me policinë amerikane, do të na flasë “në çastin e duhur”. Unë s’dua të paragjykoj, gjithsesi uroj që qoftë ai, qoftë të tjerët, të mos ndiejnë në të ardhmen shije të hidhët në gojë.
Për 21 janarin, puna ndryshon. 21 janari s’ka të bëjë me pasurinë e ndokujt, as me ndonjë vjedhje brenda a jashtë vendit, as me humorin e Cekes, çka, me të drejtë, parodizonte miku im Kostaq Xoxa para dy a tri ditësh në faqet e gazetës “55”. Ka të bëjë me fatet e demokracisë sonë tepër të brishtë. E kam thënë dhe ma ka ënda ta përsëris: drejtësia duhet të flasë një sahat e më parë. Jo sepse Edi Rama “sa të ketë frymë s’do të gjejë paqe pa drejtësinë për katër të vrarët”, por sepse tentativa për grusht shteti duhet të zbardhet një herë e mirë, që t’u pritet rruga përfundimisht metodave bolshevike të marrjes së pushtetit.
Fytyra e vrenjtur e liderit socialist ditën e homazheve, ishte maskë, në funksion të fushatës elektorale. Përndryshe nuk kishte pse t’i çonte viktimat drejt rrezikut, për çka vetë pati deklaruar se protesta mund të degjeneronte. Mbase zoti Rama nuk e di, mbase bën sikur s’e di, ndonëse ka qenë emigrant në Francë, unë po i kujtoj një thënie të ish-ministrit francez të punëve të brendshme, Charles Pasqua. Thënia e tij se demokracia mbaron atje ku fillojnë interesat e shtetit, përsëritet shpesh kur ndodhin ngjarje si ajo ë 21 janarit 2011. Fjala ishte për vrasjen, më 1986, nga ana e policisë të një studenti me origjinë marokene (Malik Oussekine) gjatë protestave studentore, çka ngjalli në vend një emocion të madh. Me që i ramë kësaj ane, po i kujtoj, gjithashtu, se bash ky ish-ministër që ka mbajtur mjaft portofole të ndryshme, këto ditë u dënua nga një gjykatë, jo sepse ishte ministër i brendshëm kur u vra studenti, por për shkak se kishte abuzuar me shpërdorim fondesh, në të mirë të një fushate elektorale. Kuptimplote, apo jo?
E solla thënien e ish-ministrit francez edhe si kundërvënie me ndonjë artikull  për 21 janarin, ku autori, me anë sofizmash, tenton të na futë në botën e miteve,  lidhur me ca të dhëna që tashmë njihen botërisht. Dihet kush e organizoi protestën   famëkeqe të 21 janarit. Dihet kush nuk e furnizoi shtetin me të dhëna, ndonëse e kishte detyrë parësore sigurinë e tij. Dihet si degjeneroi protesta në dhunë ndaj policisë dhe ndaj institucionit të Kryeministrisë. Dihet kush i mbylli sytë përballë dhunës si me qenë “ngjarje të zakonshme në bulevard” dhe heshti, kur duhet të fliste më shumë se kurrë. Dihet kush u rrek ta hetonte ngjarjen në mënyrë të njëanshme.   Dihet, më në fund, edhe kush kishte për detyrë të mbronte institucionet. Ç’ na duhen, në këtë rast, filozofimet me mite, thua se po endemi në të panjohura të lashtësisë a të mesjetës? Unë i pranoj edhe nuancat kuptimore të përdorimit të fjalës mit, në kontekstin e ndonjë artikulli të veçantë. Por kjo s’i jep dorë zgjidhjes së problemit. Përkundrazi, sipas meje, bredhja pas miteve të reja, nuk vlen për të mbushur boshllëkun që lë çmitizimi i figurës së Skënderbeut, e cila s’do t’ia dijë për kësi lodrash me kukulla. Sipas meje, mitet e reja nxiten për të ushtruar trysni mbi drejtësinë dhe mbi opinionin publik, në kuadrin e fushatës zgjedhore.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›