Në dyzetvjetorin e Revoltës së Spaçit: O sot, o kurrë!
- Kronikë, kujtime, biseda, reflektime... -
Spaçi ka hyrë në fjalorin tonë enciklopedik jo vetëm si emër fshati në Malet e Mirditës, jo vetëm si vendi, ku u ngrit një ndër burgjet më famëkeq të diktaturës komuniste, jo vetëm si emri i minierës së pasur me pirit, tashmë e braktisur, por kryesisht si vendi ku shpërtheu më 21 maj të vitit 1973 revolta e të burgosurve, e para deri atëherë në të gjitha vendet e Europës komuniste. Mu për këtë arsye, ish të burgosurit e Spaçit përkujtojnë çdo vit ato tri ditë, kur flamuri ynë kombëtar, pa yllin pesëcepësh, simbol të komunizmit, u valëvit i lirë, edhe pse brenda telave me gjemba, edhe pse nën kërcënimin e grykave të automatikëve dhe të mitralozave. Tufa me lule dhe kurora në shenjë kujtimi për katër të pushkatuarit Dervish Bejko, Pal Zefi, Skënder Daja e Hajri Pashaj, si edhe për dhjetëra në mos qindra vite ridënimi për protagonistët e revoltës, janë e vetmja çka ka mbetur sot për të mbajtur gjallë kujtesën, në mungesë të një Muzeu të përmasave kombëtare, të cilin Spaçi e meriton me të njëjtin dinjitet të Muzeut të Auschvitzit, të Buchenwaldi ose të kampeve të tjera naziste.
Sivjet, më 21 dhe 22 maj, u përkujtua me dy veprimtari të lavdërueshme dyzetvjetori i Revoltës. Veprimtaritë u organizuan nën kujdesin e Institutit të Integrimit të të Përndjekurve Politikë dhe të Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë, personalisht të zotit Simon Miraka njëherësh Drejtor i Institutit dhe Kryetar i Shoqatës. Përveç shumë ish të burgosurve të Spaçit, të familjarëve të tyre dhe të shumë ish të përndjekurve nga regjimi komunist, morën pjesë në veprimtaritë përkujtimore zoti Visar Zhiti, si përfaqësues i Qeverisë, dhe Princi Leka, si përfaqësues i Presidencës dhe i Familjes Mbretërore.
1
Fillimisht, për revoltën e Spaçit, kam shkruar në gazetën “Liria” në maj të viti 1993, bash në njëzetvjetorin e saj. Ende pa ditur hollësira si sot, kur janë botuar kujtime të pjesëmarrësve në revoltë, asohere iu drejtova shokut tim të gjimnazit, Gëzim Çelës, ish i burgosur politik dhe pjesëmarrës në ngjarje, madje i dënuar sërish për këtë shkak, bashkë me shumë të burgosur të tjerë. Shkrimin, titulli i të cilit nuk më vjen në kujtesë, e bëmë bashkërisht. Me mbresat ende mjaft të freskëta dhe me shpirtin e një artisti të lindur, Gëzimi, autori i vëllimit të mrekullueshëm “Britma e një nëne”, pati aftësinë të më merrte me vete, të më degdiste mendërisht në Spaç dhe të më fuste në botën e metaforës. Spaçin e përfytyrova si një kon të përmbysur.
Tashmë, pasi kam pasur rastin t’u ngjitem disa herë atyre grykave të egra, e shoh që s’kam gabuar. Përfytyrimi im i atëhershëm e ka përballuar thuajse qindpërqind të vërtetën. Kulmi i konit të përmbysur përfundon picingulthi poshtë, në përrua, ku rrjedhin ujëra të zverdhura nga oksidet e metaleve që vjell pareshtur barku i maleve, drejt ultësirave. Baza lart, përvijohet nga kurora malesh që puthen me qiellin. Nën të, në ca sheshe të sajuara mbi shpate të gurta, gjendej kampi, sot mbeturina të tij. “Gojët” e hapura që të futin në thellësitë e minierës, janë vendosur mes kampit dhe kurorës. Sa më thellë grykës, aq më pak drita e diellit i rreh ato shpate, vetëm pak orë në ditë. Kush e sheh atë kon të përmbysur, nuk a ka të vështirë të gjeje të nëntë rrathët e Ferrit të Dantes, pa asnjë shpresë për të arritur Purgatorin, pale më Parajsën... Vetëm një mendje perverse, kundra jetës, mund ta projektonte këtë lloj ferri në shekullin e njëzetë.
2
Për herë të parë, pata rastin ta shija me sytë e mi atë grykë, për fat, jo në kushtet e të burgosurit, pasi diktatura që mbillte burgje e kampe anekënd vendit, nuk ekzistonte më. E pashë po atë vit, më 1993, pasi pata shkruar për Revoltën e Spaçit, sipas kujtimeve të Gëzim Çelës. E njoha me syrin e gazetarit, njëherësh edhe me atë bashkautorit të filmit me katër seri të shkurtra njëzetminutëshe “Të zhdukurit”, prodhim i përbashkët i Kinostudios dhe i TV shqiptar, realizuar nga regjisori Esat Mysliu. Mikun tim, Kostaq Xoxën, e kishim ato ditë edhe gazetar, edhe “shofer”. Si shofer, Koçi ka kujtime jo fort të këndshme për aventurën e veturës sonë të re, dhuratë nga Koreja e Jugut për ish të përndjekurit politikë të Shqipërisë. Dëmtimi i sotokardit dhe rrjedhja e vajit na detyruan të zbrisnim pa frena të nëntë rrathët e atij ferri.
Më vonë, i jam ngjitur malores së Spaçit edhe herë të tjera, duke u sorollatur me orë të tëra nga Rrësheni, në Reps, përmes lartësive të Shpalit. E fundit herë ishte kjo e 21 majit të shkuar, të cilën do ta ruaj në kujtesë sa të kem jetë. Do ta ruaj sepse sivjet përkujtuam dyzetvjetorin dhe, për fat të keq, kampin e gjetëm më të rrënuar se asnjëherë tjetër. Do ta ruaj sepse sivjet, për herë të parë, mori pjesë në përkujtimore një qeveritar i lartë, “banori” i dikurshëm i Spaçit, Ministri Visar Zhiti, i cili tha se kampi do të rehabilitohet, tashmë si Muze, se ai, si ministër, do të bëjë të pamundurën për ta jetësuar ëndrrën e ish të dënuarve, pasi e do koha, e do kujtesa e brezave, që e shkuara të mos përsëritet më. Do ta ruaj sepse pjesën më të madhe të rrugës e bëmë në kushtet komode të Autostradës së Kombit, në një kohë kur pasardhësit e Bllokut ëndërrojnë t’i rikthejnë fondet publike nga destinacioni i sotëm për vepra të infrastrukturës e të zhvillimit, në fonde për të projektuar sërish burgje e kampe pune. Do ta ruaj sepse më janë ngjallur shpresat që në pesëdhjetëvjetor, domethënë më 21 maj të 2023-së, të jem gjallë dhe të them sërish përshtypjet e mia, jo vetëm në gazetën 55, të cilën e përshëndes për qëndrimin dashamirës ndaj nesh, ish të përndjekurve politikë, por edhe në librin e Muzeut të ardhshëm. Më në fund, s’do ta harroj kurrë sepse sivjet udhëtova përbri mikut tim Tanush Frashëri, ish i burgosur në Spaç në vitet 1972 - 1977, dhe zonjës së tij, Afife (Fifi), bijë e familjes fisnike Vlora, e cila ka hequr të zitë e ullirit duke udhëtuar rrugë-parrugë mbi kamionë të ngarkuar me mineral për të ndihmuar të shoqin, fisnikun e frashërllinjve, në ferrin e Spaçit.
3
Do të udhëtoja me autobusin e vënë në dispozicion nga Instituti i Integrimit të të Përndjekurve Politikë. Pasditen e së hënës, më telefonoi Tanushi. “Nesër, do të udhëtojmë me veturën e nipit tim, - më tha. – E ka vënë në dispozicion për ne, bashkë me shoferin. Do të vijë edhe Fifija. Të lutem merr edhe zonjën tënde, Bardhën. Që të dy kemi shumë emocione. Unë, sepse rrugën e kam përshkuar si i burgosur, lidhur me zinxhirë, në një të ashtuquajtur autoburg, një torturë e vërtetë. S’ e kam parë, por dua ta shoh. Fifija, sepse ka nevojë t’i rikujtojë çikë e nga një çikë kujtimet e asohershme. Si femër, ajo ka nevojë edhe për pak kurajë. Bardha do të jetë melhem i domosdoshëm”.
Ishte fat për mua. Jo se do të udhëtoja në komoditet të plotë, por sepse do të kisha mundësinë të regjistroja në kujtesë mbresat e dy njerëzve që e kanë përjetuar atë kob, të cilin forca të errësirës, të nxitura nga etja e çmendur për pushtet, rrahin të na e kthejnë edhe një herë, tashti, në shekullin e njëzetenjëtë.
“Ja, - tregon zonja Fifi, diku në një kthesë të malores. - Këtu u rrëzova dhe theva dy brinjë ndërsa shkarkoja nga karroceria e kamionit dy trastat me ushqime për Tanushin. Shoferët na zbritnin shumë larg. Kishin frikë të na afronin te hyrja e kampit. Për rojet, ne ishim familjarë të “armiqve të popullit”... – mezi i mban emocionet”. Pastaj tregon sesi bashkë me nënën plakë të Tanushit kaluan një natë pafund në një kolibe, ku komisari i kampit pati mirësinë t’i lejonte të kalonin natën e të thaheshin në një farë zjarri. Tanushi ishte në punë dhe s’mund ta nxirrnin nga barku i malit, sepse i paskëshin ardhur e ëma dhe e shoqja që larg. Kolibja s’është më, por zonja Fifi e mban mend vendin. Si ta harrojë. Ishte një nder i papritur që u bëhej nga komisari dy grave pa mbrojtje në ato shpate të egra. “Kishte edhe njerëz me zemër, - thotë ajo me fisnikërinë dhe me pafajësinë që e karakterizon.” “Do të ketë menduar nënën e vet, në vend të plakës, - ia pres. – Sepse çka nuk ndodhte atëherë. Nuk ishin të pakta rastet kur edhe njerëzit e saj i shtrydhte diktatura si limon e i flakte në kosh të plehrave. Pse të mos vinte një ditë edhe radha e tij?”. Tanushi vë paksa buzën në gaz. Ironi, apo...? Që ta kapërcejë situatën, tregon sesi e ka përjetuar ditën e parë në kamp. Ja lëndina përpara ndërtesës së rojeve. Aty e plasën pas një udhëtimi të llahtarshëm me autoburg. Pastaj vendi në fjetore dhe vite të tëra pune prej skllavi brenda në minierë... “Kaq, - më thotë. Barakat që gjeta dhe që lashë, s’janë më. I kanë zëvendësuar me ngrehina me tulla. Parullat janë po ato. Veçse qenkan shkruar rishtas në copa muri të suvatuara.” Hedh sytë në njërën syresh. Agjentët atmosferikë kanë bërën të vetën. Megjithatë, s’është vështirë të lexosh një citat të diktatorit, që kërcënonte cilindo që do të ngrinte dorë kundër regjimit që kishte ndërtuar për dhjetëravjeçarë. Zor se mendja e njeriut mund të arrijë ata kufij të cinizmit e të fyerjes ndaj njeriut...
4
Kampi, tashmë është rrënuar. Edhe shkallët që të zbrisnin e të ngjitnin nga një nivel, në tjetrin, nuk ekzistojnë. Zënia e shtigjeve për të mos kujtuar një epokë që i ka kushtuar Shqipërisë jetë njerëzish, është e palejueshme. Brezat nuk do të na e falin. Në Spaç, në Qafë-Bar, në Torovicë, në Burrel, në Maliq, në Urën Vajgurore, në Ballsh, në Skrofotinë, në Tepelenë, në Porto-Palermo e në sa e sa vende të tjera anekënd Shqipërisë, shteti ynë demokratik duhet të vërë dorë. Në mos muze, pllaka përkujtimore të denja duhet të vendosen një sahat e më parë. Janë vende që kanë marrë jetë e jetë njerëzish të pafajshëm, kanë ngrënë vite e vite rinie të humbura, vite e vite që kanë lënë gra të veja e nëna pa bij.
Edhe natyra vetë ngjan se nuk e ka pranuar këtë padrejtësi. Ajo ka lënë një shenjë aty ku u valëvit tri ditë rresht flamuri pa yll i Revoltës së Spaçit, i sajuar nga i ndjeri Mersin Vlashi. Mu në cepin e tarracës së njërës prej ndërtesave të kampit, bash aty ku ishte ngulur flamuri, ka mbirë dhe është rritur një bimë, që, së largu, ngjan si pemë. E pa së pari Bashkim Fishta, një ndër protagonistët e Revoltës, dhe na e tregoi të gjithëve. “Po, - e vërtetoi i mallëngjyer zbulimin e shokut të tij një tjetër protagonist, poeti Luan Burimi. – Më ngjan sikur atje, mbi atë cep të çatisë, ende po valëvitet flamuri ynë i Revoltës. Shenjë për së mbari. Muzeun do ta bëjmë”. Dhe të mendosh se sot, në moshë të thyer, Luan Burimi, i cili ka kaluar më tepër se dy dhjetëvjeçarë në burgjet e komunizmit, nuk ka një shtëpi ku të fusë kokën, por bredh në emigracion, me gjithë dëshirën për t’u kthyer në atdhe, së paku për të jetuar vitet e fundit të jetës. Pak me shaka, por më tepër për të vënë në dukje këtë padrejtësi të shoqërisë sonë njëzet-e-ca-vjeçare post-komuniste, i them Tanushit, i cili po fotografon pemën që ka mbirë mbi çati, në vendin e flamurit: “T’i ndreqim Luanit një kthinë në këto rrënoja. Vullnetarisht, t’ia ndreqim, deri sa shteti ynë s’ka fuqi më shumë se sa t’i japë një dekoratë, që, gjithsesi, e meriton e i bën nder. Një rrugë e disa punë: edhe Luanin e rehatojmë disi, ndonëse në kushte jo shumë të ndryshme me ato të dyzet viteve përpara; edhe i krijojmë mundësi që të shkruajë poezi në liri të plotë, pa u dënuar e pa u kërcënuar nga kamxhiku i kapterëve xhahilë; edhe hedhim bazat e Muzeut aq të dëshiruar...”
Që Muzeu do të bëhet një ditë edhe në Spaç, edhe gjetkë, për këtë s’kam pikë dyshimi. Do ta bëjë shteti demokratik, ndonëse me ca vonesë. Veç sytë t’i mbajmë hapur. Sepse, në mos i paçim trutë në kokë dhe lejojmë të vijnë sërish në pushtet bijtë e atyre që na shkaktuan plagët e hapura sot e gjithë ditën, rruga e kthimit do të jetë shumë e gjatë dhe, mbase, më e mundimshme sesa ajo që nisëm në fillim të viteve ’90 të shekullit që lamë pas. Siç tha i nderuari Demir Pojana, pjesëmarrës aktiv i Revoltës së Spaçit, “O sot, o kurrë.