Rama, shqiptarëve: “Kjo ishte loja”
Socialistët konfirmojnë zyrtarisht se premtimet e bëra gjatë fushatës elektorale janë të parealizueshme. Të paktën këto s’kanë vend në programin e përbashkët PS-LSI, për 300 ditët e para të qeverisjes. Sipas Ilir Beqjes, shëndetësia falas, ulja e taksave, heqja e TVSH për produktet bazë dhe 300 mijë vendet e reja të punës, janë kërkesa kokëforta të shqiptarëve dhe se ato, hëpërhë, s’kanë për t’u realizuar
Deklarimi zyrtar i PS: Shqiptarët po tregohen kokëfortë, s’ka shëndetësi falas e as ulje taksash
“Kjo ishte loja”! Ky është mesazhi që vjen nga zyra e piktorit të dështuar, ndaj të gjitha premtimeve që iu bënë shqiptarëve në fushatën elektorale të 2 muajve më parë. Ata jo vetëm që s’kanë ndër mend t’i realizojnë ato që premtuan, por kanë nisur një fushatë tallje ndaj të gjithë atyre që besuan këtë alternativë antishtet. Rolin e telallit e luan si gjithmonë Ilir Beqja, i cili jo më larg se dje përcolli arrogancën e radhës të shefit të tij. “Kokëfortësi të pajustifikuar” e quan sekretari për Programin në PS, Ilir Beqja pyetjen e medias se, kur do të zbatohet premtimi për shëndetësi falas... Ka fituar zgjedhjet e pushtetin me kësisoj premtimesh dhe e quan kokëfortësi pyetjen normale të një gazetari. Imagjinoni sesi mund të reagojë ish-basketbollisti i konvertuar në politikan Ilir Beqja për premtimet e tjera për legalizime falas apo ulje të barrës fiskale për 95 % të Shqiptarëve. Në një prononcim për mediat, Ilir Beqja sqaron se prej fillimit të kësaj jave programi i 300 ditëve të para të qeverisë së re është në duart e 2 liderëve të aleancës qeverisëse. Sa i takon premtimit për legalizimet falas, Beqja thotë se do të përfundojë brenda mandatit të parë siç është premtuar, duke paramenduar se do të ketë edhe një mandat të dytë për t’u dhënë tapitë qytetarëve që u kanë besuar. Ndërsa në 300 ditët e para ka një projekt për t’i bashkangjitur të gjitha çështjet që kanë bëjnë me pronën private përfshirë këtu dhe legalizimet. Kokëfortësi të pajustifikuar, e përkufizoi interesin e gazetarit për afatin e aplikimit të premtimit elektoral për shëndetësinë falas. Në përfundim të konsultimeve për programin e vitit të parë të mandatit qeverisës, Beqja theksoi se gjatë punës me kolegët e Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk ka pasur divergjenca, pavarësisht disa dallimeve që kanë programet elektorale të këtyre 2 forcave. Dhe dallimet nuk kanë qenë të vogla duke pasur parasysh taksën progresive apo shëndetësinë falas për të gjithë, pa paguar kontribute. Megjithatë shtatori po afron dita-ditës dhe kryeministri i ardhshëm Edi Rama nuk jep garanci publike se do të mbajë premtimet. Dhe premtimet e tij për një sistem shëndetësor falas, pa pagesë, janë hedhur poshtë nga partneri i tij strategjik në koalicionin e majtë. Mirëpo nuk është vetëm premtimi për “shëndetësi falas për të gjithë” që nuk është një projekt prioritar i qeverisë re, por edhe ndryshimi i sistemit fiskal është vënë në pikëpyetje nga Banka Botërore. Para disa ditësh Banka Botërore theksoi se ndryshimi i sistemit fiskal “përbën një rrezik kryesor për çdo qeveri të re, e cila vjen me një axhendë ambicioze, duke mbivlerësuar kapacitetet për të lëvizur në të gjitha drejtimet njëherësh”. Me fjalë të tjera, Banka Botërore theksoi se sado ambicioze të jetë axhenda e çdo qeverie, nuk ka hapësirë fiskale për investime të reja të rëndësishme. Po ashtu, Banka Botërore këshillon se, “Është shumë e rëndësishme të hartohet një program i dedikuar dhe i besueshëm për të krijuar gradualisht hapësirën fiskale”. Me fjalë të tjera, Banka Botërore po thotë se qeveria e re nuk mund të ulë taksat. Kuptohet vetiu, programi i Edi Ramës për të taksuar 5% të popullsisë duke ulur taksat për 95% të tjerët është një program ambicioz, por nuk ka asnjë lidhje me realitetin faktik shqiptar.
...