E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama si taleban - e do Shqipërinë të rrafshuar

25-08-2013 / Gazeta 55

Teza leniniste dhe enveriste “Kur hidheshin themelet e Shqipërisë së re”, e cila u pasua me sekuestrim pasurish e burgosje disidentësh, në platformën e Edi Ramës ka marrë pamjen “Shqipëria e gjeneratës së re”. Nesër mbahet një zijafet arkitektësh me këtë parullë, ku klientët bashkiakë të Ramës, do flasin se si duhen prishur ndërtime me investime miliarda dollarësh, që t’i hapet rrugë planit privat të biznesit të kryeministrit në ardhje

Shqipëria e “gjeneratës së re” është konferenca që Edi Rama organizon të hënën me arkitektë, planifikues urbanë dhe ekonomistë nga vende të ndryshme të botës, dhe ajo që dihet nga e gjithë kjo është konkluzioni se “Shqipëria duhet rrafshuar”. E gjithë sentenca e kësaj konference do të jetë përforcimi i tezave të Ramës se Shqipëria duhet ta nisë nga zero, për t’i krijuar vend “gjeneratës së re”. Një term sa folklorik aq edhe komunist. Sigurisht që në fokus të rrafshimit është fillimisht bregdeti. Për këtë pjesë të vendit po bëhet një betejë e egër brenda selisë së PS, pa kursyer as drejtuesit vendorë, të cilët janë akuzuar direkt si njerëzit e babëzisë së betonit. Lufta ka nisur nga brenda me qëllim përgatitjen e terrenit dhe spastrimin e bregdetit nga bajraktarët e vegjël. Ndërsa dita e hënë do shërbejë për hedhjen qëndrimeve të para dhe prezantimin e raportit të detajuar të Koço Kokëdhimës për domosdoshmërinë e rrafshimit të bregdetit dhe më pas të të gjithë vendit, me arsyetimin e “ndërtimeve pa leje”. Kjo do të jetë edhe baza e operimit pas shtatorit, por gjithnjë në fokus dhe interes të klientëve të rinj, do të jetë vija bregdetare. Aty dihet tashmë se llogaritë ekonomike bëhen me laps në dorë dhe për këtë s’ka pikë dyshimi. Nisma “Stop Babëzisë” nuk është thjesht një nismë për evidentimin dhe denoncimin e ndërtimeve pa leje. Nuk është nismë për të vënë dhe zbatuar ligj. Por, është një nismë pas së cilës fshihen interesa të mëdha financiare; fshihen hotele luksoze; resorte dhe fshatra turistikë. Ideja është e qartë. Rama dhe Co. duan të rrafshojnë çdo ndërtesë që ekziston sot në të gjithë vijën bregdetare dhe ngritjen atje të hoteleve dhe fshatrave turistikë, në bashkëpunim me biznesmenë të fuqishëm pranë PS-së. Ai që fshihet është plani i hoteleve dhe resorteve gjigante. Po ku do ndërtohen këto biznese të Edi Ramës? Në tokën dhe truallin e atij që sot ka shtëpinë aty. Shtëpia do i dalë pa leje, ose në tokë të tjetërsuar. Dhe përmes këtyre metodave të përndjekjes enveriste, qytetarët humbasin çdo të drejtë në betejën me këtë pushtet revanshist. Nga ajo konferencë, pra “Shqipëria e gjeneratës së re”, Shqipëria do të dalë si një vend i rrënuar që i duhet vënë kazma në themel, për t’ia lënë atë në dorë klientëve të Ramës të trashëguar nga Bashkia e Tiranës. Pra, gjithçka do të vërtitet drejt privatizimit të vendit nga veriu në jug në duart e këtyre çiliminjve të etur për pushtet që s’pyesin as për ligje e as për Kushtetutë. Ndaj, janë këto fakte kokëforta që duhet të bëjnë çdo shqiptar që të denoncojë praktikën e shkatërrimit të vendit, rrafshimi të bregdetit, rrafshimit të shtëpive të shqiptarëve. Kjo s’duhet lejuar. S’duhen lejuar planet e rrafshimit të Shqipërisë nën justifikimin e zbatimit të ligjit. Rrafshimi i vendit i intereson vetëm një kamikazi si Edi Rama dhe kjo vetëm për qëllime politike.  

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›