E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia e Tiranës: Gjoba dhe sekuestrim të subjekteve që shpërndajnë inerte në objektet pa leje

25-08-2013 / Gazeta 55

Inspektorati Ndërtimor Urbanistik i Tiranës ndërhyri dje për prishjen e një objekti pa leje në rrugën “George W. Bush”, duke e kthyer atë në gjendjen e mëparshme. Bashkia e Tiranës paralajmëron edhe sekuestrimin e subjekteve që shpërndajnë inerte në objektet pa leje

Inspektorati Ndërtimor Urbanistik ka vijuar prishjen e ndërtimeve pa leje në Tiranë. Sot, Inspektorati ka ndërhyrë me prishjen e një objekti pa leje në rrugën “George W. Bush”, duke ndërmarrë hapat e nevojshëm ligjorë, për kthimin e tij në gjendjen e mëparshme. Drejtori i Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Florenc Hoxha u shpreh: “Sot, Inspektorati Ndërtimor Urbanistik i Bashkisë së Tiranës po vepron duke kryer detyrën e tij, për të zbatuar ligjin në këtë objekt të paligjshëm. Ky objekt i ndërtuar në kundërshtim me ligjin ka cenuar rëndë strukturën mbajtëse të pallatit, kështu që nga ana jonë janë marrë të gjithë masat ligjore, deri në finalizimin e tyre sot, me ndërhyrjen për ta kthyer në gjendjen e mëparshme”
Drejtori Hoxha theksoi gjithashtu se do të ndërmerren masa administrative ndaj subjekteve që shpërndajnë inerte në objektet pa leje si dhe nuk do të tolerohet asnjë ndërtim i paligjshëm në territorin e bashkisë së Tiranës.  “Po ashtu, janë ndërmarrë edhe masa administrative, ndaj pikave të inerteve të cilat shpërndajnë inerte në objektet pa leje. Nga ana jonë do të merret masa administrative e sekuestrimit, për të gjithë mjetet që do të identifikohen apo bllokohen pranë objekteve pa leje. U bëjmë thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo ndërtim pa leje, pasi nga ana jonë janë intensifikuar masat për “goditjen” e tyre. Territori i Bashkisë së Tiranës monitorohet 24 orë në 24 nga ana e shërbimit të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik dhe Policisë Bashkiake dhe nuk do të tolerojmë apo lejojmë asnjë ndërtim të paligjshëm, të “lulëzojë” në territorin e bashkisë së Tiranës”.

 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›