E Diel, 1 Nëntor 2026

Rritja ekonomike dhe stabiliteti politik

29-08-2013 / Nga Ilirian Dahri

Lajmi se ekonomia europiane po fillon të dalë përfundimisht nga kriza u prit mirë nga tregjet e ndryshme anembanë planetit. Natyirisht ashtu siç ishte parashikuar edhe nga Banka Qëndrore Europiane bëhej fjalë për një përmirësim të ngadaltë por që gjithsesi i jepte doza optimizmi në tërësi ekonomisë europiane. Ndërkaq po flitet gjithmonë dhe më shumë se ka një lidhje të dukshme dhe hera - herës të padukshme mes vendeve europiane dhe ekonomive të tyre. Vende të tilla si Gjermania, Britania e Madhe madje edhe Franca, por edhe një vend si Portugalia e cila është nën kujdesin e institutive ndërkombëtare, kanë patur përmirësime të dukshme. Duket se pikërisht nga këto katër vende ka filluar përmirësimi i Gdp të tremestrit të dytë që i ka lejuar Bashkimit Europian një rritje me 0,3%, pas shumë e shumë kohësh. Efekt i politikave që kanë të bëjnë me përmirësimin e ekonomisë europiane? Më në fund Europa filloi të marrë frytet e reformave të saj? Nga ana tjetër në këtë listë bie në sy se mungon një vend i rëndësishëm siç është Italia. Në panoramën ekonomike europiane Italia paraqitet me një rënie të Gdp edhe pse me një ritëm prej -0,2%. Analistët e ndryshëm flasin për një përmirësim të dukshëm në tërësi për vendet europiane pa harruar se sidoqoftë kriza është ende aty pranë. Natyrisht në Europë diçka ka filluar të ecë në drejtimin e duhur por kjo nuk mjafton edhe pse po rritet besimi tek tregjet dhe ndërkaq edhe punësimi  po shkon drejt stabilizimit. Duket qartë se kjo rritje ekonomike europiane nuk është mjaftuar vetëm me rritjen e eksporteve por edhe me rritjen e  konsumit të brendshëm. Jo më kot një vend si Gjermania për periudhën (nga prilli në qershor) ka një Gdp të rritur me 0,7%. Familjet kanë filluar të shpenzojnë më shumë se një vit më parë duke arritur në gjysmë pike më shumë se tremestet e shkuara. Nga ana tjetër edhe firmat e vogla kanë filluar të investojnë në blerje makinerish dhe paisjesh me një rritje që shkon afro 1%. Natyrisht edhe sektori i ndërtimit ka shënuar një rritje më të madhe se 2,6%. Një rol të veçantë ka luajtur edhe niveli i papunësisë por edhe politika e rritjes së rrogave që bëjnë pjesë në një reformë strukturore sidomos në tregun e punës. Edhe parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar vinin në dukje se kërkesa e brendshme e Gdp do të ishte superiore ndaj eksportit dhe në fakt një vend si Britania e Madhe ka patur një rritje +0,7%, sidomos  falë faktit se familjet kanë konsumuar më shumë pa harruar se një meritë i shkon  reformave të cilat kanë injektuar likuiditete drejt ekonomisë reale të ndërmarra nga qeveria e Kamerun. Natyrisht rritja ka të bëjë edhe me stabilitetin politik si një fakt i pamohueshëm në ecjen përpara. Një situatë politike e brishtë do të përkeqësonte situatën ekonomike. Në fakt në vendin fqinj të Italisë është folur për një përmirësim të situatës politike madje presidenti i Këshillit të Ministrave, Enriko Letta është ndalur gjatë në këtë problem gjatë një vizite që kreu në Austri. Nga ana tjetër edhe presidenti i Republikës italiane, Xhorxho Napolitano ka deklaruar se Italia duhet të bëjë gjithçka që mos të përfshihet në pasigurinë politike e cila do të sillte si pasojë dhe mungesën e stabilitetit. Në fakt vendet përreth Italisë duket se po ecin mirë dhe jo vetëm ato të Europës perëndimore por edhe vendet e  Europës që në shekullin e kaluar bënin pjesë në “perden e hekurt”. Në një vend si Polonia shitjet me pakicë janë rritur me 4,3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërkohë që sipas parashikimeve duhej të arrinte në 2,8%. Edhe një vend tjetër si ai i Republikës Çeke më në fund pas pothuaj dy vjetësh krize të thellë ka patur një rritje të Gdp që në tremestrin e dytë ka shënuar një rritje me 0,7%. Ndërkaq vende si India, Brazili dhe Turqia kanë patur probleme me valutën dhe monedhat e tyre (rupia, reali dhe lira) kanë patur një rënie përkundrejt dollarit ndërsa monedha bullgare, polake dhe ajo çeke (levi, zloti dhe korona) në të kundërt kanë qenë më të forta me dollarin amerikan.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›