E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama sot në Kosovë, takim me Thaçin dhe liderët politikë

Kosova është shteti i parë në të cilin Edi Rama do zhvillojë të parën vizitë zyrtare në cilësinë e Kryeministrit të Shqipërisë.

Në një postim në faqen zyrtare në Facebook, Rama shprehet se e viziton Kosovën me një emocion të veçantë.

Për Kosovë! Me emocion të posaçëm për vizitën e parë si kryeministër – me përgjegjësinë e madhe të fjalës para Kuvendit të Kosovës në 12.00 shkruan Kryeministri.

I shoqëruar dhe nga një pjesë e kabinetit të tij qeveritar Kryeministri Rama do ti drejtohet sot shtetit të dytë shqiptar, ku në orën 09:00 do ti rezervohet pritja me ceremoni shtetërore.

Më pas në 09:30, Rama do të ketë një takim kokë më kokë me homologun kosovar, kryeministrin Hashim Thaçi, për të vijuar më pas në 10:45 në një takim bilateral mes dy delegacioneve të dy qeverive, asaj të Shqipërisë dhe Kosovës.

Në mbyllje të takimit të dy homologët, Rama dhe Thaçi do të dalin në një konferencë e përbashkët për shtyp.

Rama, pas vizitave me kabinetin e homologut të tij, Hashim Thaçi, do të zhvillojë edhe një takim me Presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga nga ora 11:10 në Kabinetin e Presidentes.

Mësohet se bashkëpunimi mes dy vendeve e projektet e përbashkëta, do të jetë dhe objekti i bisedës në këtë takim.

Kjo është vizita e parë e Edi Ramës si kryeministër në Kosovë, ndërsa të hënën Edi Rama do të vijojë me një vizitë zyrtare në Bruksel.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›