Rama sot në Strasburg, takime me socialistët
TIRANE-Një delegacion socialistësh, me kryetarin e PS-së, Edi Rama në krye niset sot për në Strasburg, për një seri takimesh konsultative me përfaqësues të së majtës evropiane. Kjo, sipas vetë Ramës, do të jetë “një ditë e komunikimit masiv me miqtë e Partisë Socialiste Evropiane, me të cilët jemi në kontakt të vazhdueshëm dhe të cilët janë seriozisht të angazhuar për të dhënë kontributin e tyre në zgjidhjen e kësaj krize”. Deputetët socialistë, Arta Dade, Taulant Balla dhe Arben Ahmetaj si dhe kryetari Rama, do të diskutojnë për opsionet e zgjidhjes së krizës politike dhe qëndrimin e PS-së. Ky është një takim që ishte parashikuar të ndodhte qysh më herët, por ky duket se është momenti i përshtatshëm për socialistët shqiptarë që “të marrin një mendje” nga partnerët e tyre të së majtës evropiane. Disa prej tyre kanë sugjeruar hyrjen e opozitës në Kuvend, ndërsa i kanë bërë thirrje edhe shumicës në pushtet të plotësojë kërkesat e socialistëve. “Ndërkombëtarët e kanë dhënë mesazhin e tyre lidhur me qëndrimin e PSSH-së. Edhe në këtë vizitë do të vilet mendimi i tyre, pasi besoj se vendimi ynë për hetimin e zgjedhjeve është mirëpritur”, - ka thënë edhe dje në Fier, Rama. delegacioni pritet të kthehet të enjten, duke i lënë hapësirë kreut të PS-së të diskutojë edhe me aleatët e koalicionit opozitar. (d.b/BalkanWeb)