Diktatura, dëshmia: Si i gjeta me para eshtrat e xhaxhait
TIRANE-“Mali i Dajtit është një ‘mal’ me eshtra. Aty kam gjetur edhe unë eshtrat e xhaxhait tim të pushkatuar, por jo me ndihmen e shtetit, por me anë të një kapteri që e pagova”. Kështu e rrëfen për Gazeta Shqiptare, historinë rrënqethëse të vrasjes së xhaxhait të tij nga regjimi komunist, Robert Jazexhiu. Në një intervistë të dhënë dje për “Gazeta Shqiptare”, ai tregon se si arriti me ndihmën e një kapteri të togës së pushkatimit të gjente në dimrin e vitit 1992, eshtrat e xhaxhait të tij shumë pranë vendit ku pak ditë më parë u zbulua një varr masiv me eshtrat e 19 të ekzekutuarve të tjerë me një plumb në kokë. “Pas rënies së diktaturës filluam përmes njohjeve të pyesnim lart e poshtë përmes miqësive që kishim se ku ishte varrosur trupi i xhaxhait tim. Fatmirësisht mësuam se një kapter nga toga e pushkatimit ishte ende gjallë dhe punonte në drejtorinë e policisë së Tiranës. Ai e dinte vendndodhjen e saktë. Kishte harta. Me ndihmën e kapterit arritëm që në dimrin e vitit 1992 të gjenim vendin ku e kishin varrosur xhaxhain tim”. Jazexhiu tregon se xhaxhait të tij iu dha vendimi me vdekje pasi ai kishte vdekur më parë nga torturat në hetuesi. Dhe si të mos mjaftonte kjo rrëfen, Jazexhiu, “kufomës së xhaxhait tim iu gjuajt me një plumb në kokë para se ta varrosnin”. Jayexhiu e cilëson Malin e Dajtit si një mal plot me eshtra e skelete. “E mbaj mend si tani kapterin, që teksa ngjiteshim rrugës për në Dajt, nxori nga xhepi një fletore. Në fletore kishte hartat me pëllëmbë. I dinte të gjitha vendet dhe emrat ku ishin varrosur të pushkatuarit. Kapterin, mbaj mend që e takuan një ditë bashkë me ne edhe çunat e beut të Saukut, që kërkonin eshtrat e babait të tyre, por atyre ai nuk ia u tha vendndodhjen edhe pse i premtuan para. Nuk e di nëse jeton ende ky kapter, por dua të them që ai di shumë për vendndodhjen e të ekzekutuarve. Gjithsesi, me ndihmën e tij ne arritëm të gjenim vendin ku ishte varrosur xhaxhai ynë. Pak a shumë, në mos gaboj, afër zonës ku u zbulua ai varri masiv këto ditë”, tregoi Jayexhiu duke shtuar se ka qënë një kufomë me dhëmb floriri që ata të binden se bëhej fjalë për xhaxhain e tyre, që kishte një dhëmb të tillë. Xhaxhai i i tij, Bujar Jazexhiu punoi gjithë jetën si shef arkivi në Ministrinë e Brendshme, deri ditën kur doli në pension. Në fillim të vitit 1988, sigurimi e arrestoi me akuzën për veprimtari armiqësore ndaj Partisë dhe atdheut. Cështja e të persekutuarve dhe pushkatuarve nga regjimi komunist u rihap edhe njëherë pasi në muajin Shkurt në Malin e Dajtit u gjetën plot 19 skelete, që dyshohet se u përkasin personave të pushkatuar rreth 50-60 vjet më parë nga regjimi diktatorial komunist.Zbulimi u bë nga një person që individualisht po kërkonte eshtrat e babait të tij të pushkatuar. (d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)