E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama strategji e re mekoalicionin

27/11/2009  PS mbledh aleatët për vazhdimësinë e protestave dhe bojkotin

“Refuzojmë gjuhën vulgare dhe agresive të përdorur prej kryeministrit”

Kryetari i PS-së, Edi Rama, ka mbledhur dje në një takim partitë që i janë bashkuar lëvizjes së opozitës për hapjen e kutive të votimit të 28 qershorit. Në takim mungonte kryetari i PBDNJ-së Vangjel Dule, e vetmja parti pas PS-së që ka deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Si temë e takimit ka qenë kërkesa e vazhdueshme e opozitës në lidhje me kutitë si dhe vazhdimi i protestave deri në plotësimin e kërkesave të tyre. Krerët e partive politike të pranishme në këtë takim deklaruan se periudha 10-ditore i është lënë si kohë reflektimi kryeministrit për plotësimin e kërkesave të tyre. “Jemi në këtë fazë të ndërmjetme dhe kohë reflektimi për pushtetin dhe për Sali Berishën. Ndërkohë jemi të gjithë në një mendje që në emër të të gjithë, atij populli të madh opozitar që përfaqësojmë, të refuzojmë më përbuzje jo vetëm gjuhën vulgare dhe agresive të përdorur nga Sali Berisha dhe nga lakenjtë e tij këto ditë, por njëkohësisht edhe të gjitha insinuatat e turpshme që kërkojnë të njollosin këtë lëvizje të madhe popullore duke e trajtuar si një episod që meriton epitete që ne jo vetëm i përçmojmë, por njëkohësisht na bëjnë edhe më të vetëdijshëm të gjithëve për natyrën e këtij pushteti”, - tha Rama

Debatet

Protesta e opozitës mendohet të zhvillohet mes datave 3 dhe 5 dhjetor, protestë e cila vjen pas asaj të 20 nëntorit. Që prej certifikimit të zgjedhjeve PS-ja ka refuzuar të hyjë në kuvendin e dalë prej këtyre zgjedhjeve me arsyetimin e manipulimit të zgjedhjeve. Nga ana e tij faktori ndërkombëtar i ka bërë thirrje opozitës të hyjë në Kuvend dhe ti parashtrojë atje kërkesat e saj, gjë e cila deri tani nuk është realizuar. Gjithsesi, duket se opozita është e vendosur në qëndrim e saj, i cili ka shkaktuar jo pak polemika në politikën shqiptare, me akuza dhe kundërakuza nga të dyja palët. Duket se dita-ditës çështja po rrëshqet dhe në akuza personale, sidomos në raportet mes dy liderëve kryesorë të PS-së dhe PD-së - Rama dhe Berisha. Nga ana e tij kreu i PS-së e ka akuzuar kryeministrin se po e kthen pushtetin në personal, për vete dhe për familjen e tij, ndërsa Berisha e akuzon Ramën për përvetësim të pronave publike në interes të ndërtuesve që qëndrojnë pranë kreut të Bashkisë, që mban dhe postin e kryetarit të opozitës

Aleatët

Protesta e radhës do të jetë më e fuqishme

Partitë e vogla i japin mbështetjen e tyre PS-së

Në një linjë me kreun e PS-së duket se kanë qenë dje edhe krerët e partive aleate, të cilat ishin në takim me kryesocialistin Rama. Menjëherë pas takimit ata janë shprehur se protestat në përfundim të afatit do të jenë më të fuqishme se protesta e 20 nëntorit. Kreu i PLD-së, Spartak Ngjela, u shpreh se pas 10 ditësh, në rast se Berisha nuk hap kutitë, atëherë protesta do të jetë edhe më e fuqishme se më parë “Duhet të lajmërojmë opinionin publik vetëm për një gjë: pas 10 ditësh, në rast se kryeministri aktual, me gjithë darët që ka me vete, nuk hap kutitë, protesta e radhës do të jetë masive, e fuqishme, e paparë në Shqipëri. Ne vendosëm këtu ti themi edhe një herë se, në rast se pas 10 ditësh nga dita që është caktuar nuk merr vendimin për të rinumëruar votat në qendrat që duan njerëzit, atëherë shqiptarët do të ndërmarrin protestën më të madhe masive, sepse ai indirekt ka provuar se ka manipuluar zgjedhjet”, - tha Ngjela. Në të njëjtën linjë ka qenë edhe kreu i PSD-së Skënder Gjinushi: “Dëshiroj ti jap një përgjigje kryeministrit të Partisë Demokratike se nuk mund të ndalë protestat popullore dhe ti intimidojë me deklaratat e tij të turpshme dhe prej frikacaku, duke i kujtuar se në vitin 1989-1990 as diktatura nuk fliste me këtë gjuhë, atëherë kur Berisha fshihej pas nesh dhe jo që ska guxuar tu drejtohej protestave dhe popullit në këtë mënyrë, por dridhej nga ato protesta, ndonëse ishin kundër komunizmit. Pra, gjuha e forcës është gjuha e dështimit, ashtu siç do të dëshmojë nga vala e re e protestave nga dhjetori e tutje”, - tha Gjinushi

Deputetja e PS-së Ermelinda Meksi është shprehur dje se buxheti i miratuar nga qeveria është euforik dhe nuk i përgjigjet realitetit. “Të ardhurat buxhetore gjatë 10 muajve të këtij viti rezultojnë me një mosrealizim prej 20-24 miliardë lekë ndaj buxhetit fillestar. Ndërsa buxheti i vitit të ardhshëm, i miratuar në parim, e fillon ecurinë e tij me një deficitit në të ardhura 15-16 miliardë lekë më pak, duke u krahasuar jo me buxhetin e rishikuar 326 miliardë lekë, por me atë në fund të vitit prej 310 miliardë lekë Kjo vërteton atë që ne kemi paralajmëruar me kohë për një programim të fryrë, jorealist”, - është shprehua ajo.

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka pritur dje në një takim drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit në Komisionin Evropian, Pierre Mirel, dhe ambasadorin e Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan. Sipas vetë kryetarit të PS-së, gjatë takimit Rama i ka bërë të ditur qëndrimin e opozitës. “Bëra edhe një herë të qartë konceptin tonë të thjeshtë se hapja e kutive është kushti themelor për ti dhënë Parlamentit legjitimitetin e munguar”, - tha Rama.

Ndërprerja

Prej dhjetë ditësh opozita ka ndërprerë protestat, në pritje të një përgjigjeje nga ana e kryeministrit Berisha për hapjen e kutive të votimit. Nga ana e tij vetë kryeministri ka refuzuar deri tani kategorikisht hapjen e tyre, ndërsa nga opozita ka deklaruar se do të intensifikojë më tej protestat për atë që ajo e quan “çështje demokracie”.

Protesta

Protesta e fundit e opozitës u zhvillua më 20 nëntor përpara Kryeministrisë dhe zgjati tri ditë. Kjo ishte protesta e parë e opozitës në këto përmasa, ku u kërkua hapja e kutive të votimit, por edhe largimi i kryeministrit. Që nga ajo ditë opozita i ka lënë dhjetë ditë kohë për reflektim maxhorancës.

Ndërkombëtarët

Faktori ndërkombëtar i ka bërë thirrje opozitës që të hyjë në Kuvend dhe ti parashtrojë atje kërkesat e saj, gjë e cila deri tani nuk është realizuar. Gjithsesi, duket se opozita është e vendosur në qëndrim e saj, që ka shkaktuar jo pak polemika në politikën shqiptare, me akuza dhe kundërakuza nga të dyja palët.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›