E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata lë në burg policin që ndihmoi Dritan Dajtin

27/11/2009  Mariglen Muça, polic në komisariatin e Durrësit

TIRANË- Marsela Balili, gjyqtare në Gjykatën e Krimeve të Rënda vendosi të mos e ndryshoi masën e sigurimit për të pandehurin Mariglen Muça, akuzuar për dhënie ndihme Dritan Dajtit. Muça me detyrë polic në komisariatin e Durrësit, akuzohet se gjatë kohës që Dritan Dajti ka qenë në arrati dhe ka kërkuar ndihmë nga drejtësia, ai i ka dhënë ndihmë të konsiderueshme, duke e ruajtur nga arrestimet e mundshme. Mësohet se Marenglen Muça nuk e ka pranuar akuzën para gjykatës. Ndërsa ka qenë i detyruar të njihet me masën e dhënë disa ditë më parë nga gjykata për veprën e mësipërme penale. Gjykata pasi e ka marrë në pyetje të pandehurin i ka komunikuar masën e sigurimit “arrest me burg”. Për gjykatën rrethanat e arrestimit dhe vepra penale nuk ka ndryshuar, për pasojë ai duhet të qëndrojë në burg deri në përfundim të hetimeve. Sipas akuzës, i pandehuri Muça është zbuluar si autor i kësaj vepre penale nga shërbimi i brendshëm. Për disa muaj rresht i pandehuri me detyrë polic, është mbajtur nën vëzhgim, pasi më parë ishin marrë të dhënat ndaj tij se po i jepte ndihmë Dritan Dajtit. Gjykata e kishte dhënë në mungesë masën e sigurimit për të pandehurin Mariglen Muça. Ndërsa bëhet e ditur se gjatë gjithë kohës ai e ka “ushqyer” me të dhëna të sakta për operacionet e policisë dhe e ka ndihmuar për t’i shpëtuar për bukuri ndjekjes. Muça e ka furnizuar Dajtin me dokumentin e policisë, me një radio e cila shërbente për të kapur valët e policisë dhe zbuluar operacionet e tyre, madje e njoftonte atë për të gjithë hapat që policia mund të merrte, apo për të dhënat që kishte ndaj tij. Gjatë marrjes në pyetje polici është shprehur se nuk e ka njohur Dritan Dajtin, por kunatin e tij. Prokuroria ka thënë në gjykatë se Muça e ka ndihmuar Dajtin edhe për të gjetur banesën me qira në plazh.

A. Çuka

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›