Rama takim sot me aleatët e koalicionit, diskutime për ndarjen e posteve
Tiranë- Një ditë pasi shpalli strukturën e qeverisë së re, kryeministri i ardhshëm Edi Rama, njëherësh edhe kreu i koalicionit fitues të 23 qershorit Aleanca për Shqipërinë Evropiane do të mbledhë sot pasdite, të gjithë aleatët që arritën të marrin një numër të konsiderueshëm votash, për të diskutuar me ta ndarjen e përgjegjësive në qeverinë e re.
Rama do të konsultohet në një takim të përbashkët me aleatët, ndërsa më vonë me secilin prej tyre për të bërë edhe ndarjet e posteve në bazë të votave të marra.
Kjo është një premtim i shkruar në marrëveshjen parazgjedhore ku kanë firmosur 37 parti. Në këtë marrëveshje thuhet se: Pas fitores në zgjedhjet e 23 qershorit 2013 është e gatshme për të bashkëqeverisur me çdo forcë politike që përfaqëson një numër votash si shprehje të vullnetit të popullit, në nivel qarku nga 500 deri 1000 vota dhe në nivel kombëtar 5000 deri 10.000 vota, pa cenuar statusin e nëpunësit civil dhe në respekt të çdo ligji që rregullon marrëdhëniet e administratës publike. Për subjektet politike që do të arrijnë të marrin mbi 10.000 vota, do të ketë një bashkëqeverisje të shtrirë në nivel lokal dhe qendror, thekson marrëveshja.
Ndërsa kur një parti merr një mandat, ajo mund të kërkojë një post në qeveri pas zgjedhjeve, por duke u konsultuar më parë me partitë e tjera. Pas zgjedhjeve, sipas llogaritjeve të para, është thënë se, LSI është partia që mund të përfitojë 4 deri në 5 ministri, pasi në këto zgjedhje ajo ka arritur të marrë afërsisht 200 mijë vota.