Rama takime me fermerë debitorë ndaj shtetit – fushata me kërriçin do e nxjerrë PS-në forcë të tretë
Kryeministri Berisha deklaroi gjithashtu gjatë mbledhjes së grupit parlamentar demokrat, se buxheti i ardhshëm do jetë një mbështetje e fuqishme për fermerët në krijimin e fermave të reja, nxitjen e projekteve të mëdha kombëtare të ullinjve, arrorëve; të mbështetjen e fuqishme të blegtorisë dhe ngritjen e serave në mbarë vendin. Kreu i qeverisë tha se buxheti i vitit 2013-ë do japë një shkëputje të re në mbështetjen e zhvillimit dhe rritjes së prodhimit bujqësor. Duke qëndruar në këtë linjë, shefi i ekzekutivit risolli në vëmendje turin e takimeve të kryetarit të opozitës, Edi Rama i cili sipas tij, zhvillon takime me fermerë që janë debitorë ndaj shtetit. “Kryetari i opozitës, zoti Edi Rama, po viziton ato ferma, të cilat janë në borxhe të mëdha ndaj shtetit. Pas vizitës që bëri tek zonja Shkoza, e cila i kishte pa ia dhënë ministrisë 140 milionë lekë nga fondi i 2KR; pas fotos së famshme që mori dhen, për t’i thënë botës se fshati shqiptar përfaqësohet nga kërriçi, me të cilin ai doli fotografi, - natyrisht, unë nuk them se ai e çoi nga selia e partisë, aty e gjeti, - por po të shkonte pak më poshtë kishte shumë gjëra të tjera që, krahas kërriçit, mund të fotografonte dhe të postonte në postën e tij elektronike; pas vizitës që i bëri ish kryetarit të komunës, i cili i thoshte se kishte 500 gjela dhe ishte keq se i duheshin një mijë gjela dhe unë i uroj që t’i bëhen dy mijë, por 500 i kishte, zoti Rama u ndal edhe tek Genci Mita i firmës SEGEA, e cila njëlloj si firma Shkoza, debitorë e ndjeshme, ndaj kredisë pa interesa që ka marrë. Kjo qeveri i ka dhënë kredi dhe ky tani me borxhe del dhe mbledh vota. Ato nuk janë paratë e Sali Berishës as të Genc Rulit. Ato janë paratë tuaja dhe ata që i detyrohen ato para, duhet t’i kthejnë ato, sepse janë me qindra projekte të tjera që presin financimin. Por zotëria shkon dhe mban shënime, u premton se do t’jua falë dhe u thotë më jepni votën. Nëse blen vota në këtë mënyrë, në kurriz të njerëzve të ndershëm e punëtorë, të cilët punojnë 18 orë në ditë, do të përfundosh forcë e tretë politike në vend”- u shpreh Berisha.
Ai theksoi se qeveria me buxhetin e vitit të ardhshëm i ofron mbështetje të fuqishme fermerëve në të gjithë Shqipërinë. Berisha tha se fermerët s’kanë nevojë për hipokrizi, por për program të qartë që synon nxitjen e tyre. Sipas tij, programi i qeverisë për katër vitet e ardhshme, do ketë në qendër fermerin si dhe do jetë objekt i një diskutimi të gjërë me specialistët më të mirë të fushës. “E rëndësishme është që me këtë buxhet, ne të bëjmë përpjekjen e re, për një mbështetje të fuqishme të fermerëve të Shqipërisë. Lidhur me këtë, dua të informoj se së shpejti do të krijohet një grup pune, i përbërë nga zyrtarë dhe fermerë, të cilët do të ulen të shkruajnë së bashku, programin e kësaj qeverie, për katër vitet që vijnë. Fermerët duan programin, duan mbështetjen. Sa për të ledhatuar kërriçin apo kecin, i ledhatojnë vetë ata. Ata kanë nevojë për mbështetje të tjera dhe jo për hipokrizi. Arta [Dade] i thoshte se nga i gjete këto kaproj, sepse i dukeshin dhitë si kaproj. Javët që vijnë do të jenë javët e buxhetit, ndaj do të jetë një punë intensive që do të bëni për ta konkretizuar buxhetin në qindra e qindra projekte, rrugë, shkolla, kanalizime, ferma, ujësjellës, qendra shëndetësore, duke e shndërruar atë, në një mekanizëm të fuqishëm të shpejtimit, të shndërrimit të Shqipërisë në një vend të zhvilluar”- theksoi kryeministri.