Rama takon aleatët: Protestat në Prill
Pas refuzimit të kutive, opozita shprehet se i mbetet popullit për të dhënë përgjigjen dhe zgjidhjen përfundimtare.
Veliaj: "Në pamundësi të një zgjidhje tjetër do takohemi me Berishën, ditën e rrëzimit të tij".
TIRANË- Opozita do t'u drejtohet sërish protestave për të kryer transparencën e plotë të zgjedhjeve të 28 Qershorit me qëllim ndryshimin e gjendjes aktuale politike. Këtë qëndrim e shfaqi i gjithë spektri opozitar, pas takimit të aleatëve të majtë e të djathtë pasditen e djeshme.
Ata theksuan se brenda muajit prill do të rifillojnë protestat për largimin e qeverisë "Berisha" dhe për rivendosjen të drejtën e votës, që sipas tyre u cënua nga manipulimi i zgjedhjeve në 28 Qershorin e kaluar.
Pasi Kuvendi nuk mori parasysh nismat e Partisë Socialiste për hapjen e kutive të votimit, por miratoi vetëm nismat e mazhorancës për ngritjen e komisionit hetimor pa hapur kutitë e votimit, opozita e ka cilësuar këtë qëndrim si antikushtetues dhe për këtë arsye, ajo do t'i rikthehet protestave, duke i quajtur të ezauruara të gjitha rrugët ligjore e demokratike për zgjidhjen e krizës politike.
Njëri prej aleatëve të Partisë Socialiste, Spartak Ngjela, theksoi se duke parë që mazhoranca nuk dha asnjë shenjë për zgjidhjen e krizës politike, atëherë duhet të nisë menjëherë një protestë masive popullore për të ndryshuar në mënyrë radikale këtë gjendje, e cila sipas tij, ka arritur deri në këtë pikë për shkak të manipulimit të zgjedhjeve.
"Duke parë këtë gjendje dhe duke menduar se Partia Socialiste me deputetët e saj bëri të gjitha përpjekjet, duhet që të nisë urgjentisht një lëvizje e madhe popullore për të ndryshuar krejtësisht në mënyrë radikale përgjegjësinë ndaj popullit dhe për të nxjerrë gjendjen nga kjo krizë e cila vjen si pasojë e manipulimit të zgjedhjeve",- tha dje Ngjela pas takimit. Ai vuri në dukje gjithashtu se populli duhet t'i japë fund një qeverisje të paligjshme, që sipas Ngjelës, e ka futur vendin në krizë edhe me faktorin ndërkombëtar.
"Një gjendje që degradon në të pashpresë të madhe ndaj situatës, na bën koshientë dhe kemi vendosur që brenda muajit prill të caktohet një datë e përshtatshme, mundësisht gjatë javës së fundit të këtij muaji ku t'i bëhet thirrje të gjithë shqiptarëve të vijnë në Tiranë, për t'i dhënë fund qeverisjes së një qeverie të paligjshme kundër frymës së popullit e antidemokratike, që jo vetëm ka krijuar kriza të brendshme, por përfundimisht krijoi edhe një krizë në aspektin ndërkombëtar duke i bërë sfidë politikës së lartë të SHBA-së",- u shpreh ai.
Ngjela shtoi se po të lejohet kjo situatë edhe për dy muaj të tjerë, atëherë do të jetë e vështirë që qeveria të rrëzohet me anën e protestave dhe rrugëve të tjera demokratike. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe kreu i G99-ës, Erion Veliaj, i cili theksoi se në pamundësi të gjetjes së një kompromisi me mazhorancën, opozita është e detyruar ta zhvillojë aksionin e saj politik përmes protestave."
Ajo që ndodhi të premten nuk ishte zgjidhje. Në pamundësi të një zgjidhje tjetër do takohemi me Berishën, ditën e rrëzimit të tij. Kemi dy mundësi, ose të ulim kokën ose të themi që nuk e pranojmë këtë stil jetese", - nënvizoi Veliaj.
Edhe kreu i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi saktësoi se, duke parë qëndrimin refuzues të mazhorancës për të zgjidhur krizën politike, i mbetet popullit shqiptar për të dhënë përgjigjen dhe zgjidhjen përfundimtare.
"Tashmë duhet kuptuar se e gjithë përgjegjësia është tek Partia Demokratike, tek Kryeministri Berisha, tek qeveria e krijuar me mashtrimin dhe manipulimin e zgjedhjeve dhe me lojën e Ilir Metës dhe pazaret me Sali Berishën.
Komuniteti ndërkombëtar duhet ta ndajë "shapin nga sheqeri", sepse opozita i konsumoi këshillat, i konsumoi mjetet demokratike dhe tashmë i mbetet popullit në protestë për t'i dhënë zgjidhjen përfundimtare",- theksoi Gjinushi.
Ai vuri në dukje se komuniteti ndërkombëtar duhet të specifikojë qartë qëndrimin e tij për situatën politike në Shqipëri dhe duhet ta kuptojë se përgjegjësia është tek mazhoranca dhe se zgjidhja sipas Gjinushit vjen vetëm me largimin e Kryeministrit Sali Berisha dhe qeverisë që ai drejton.
"Opozita e konsumoi gjithçka kishte në dorë. I përdori të gjitha mjetet demokratike që u shkelën në mënyrë antidemokratike. Kështu që, komuniteti ndërkombëtar nuk mund të rrijë më si një arbitër që nuk e ndan as këtej as andej, por duhet të kuptojë që faji është tek Sali Berisha dhe zgjidhjet janë me largimin e Sali Berishës dhe qeverisë së tij",- përfundoi ai.
Gjinushi shtoi se në dy seancat e tij të fundit, Kuvendi tregoi se nuk është më funksional. Qëndrimi i spektrit opozitar për t'iu rikthyer protestave vjen pas refuzimit të mazhorancës për të miratuar në Kuvend nismat e Partisë Socialiste që synonte transparencën e zgjedhjeve nëpërmjet ngritjes së komisionit hetimor që do të bënte të mundur hapjen e kutive të votimit, si rrugë për zgjidhjen e krizës politike, zgjidhje të cilën tashmë opozita do ta kërkojë nëpërmjet protestave masive popullore.