PS: S'tërhiqemi nga transparenca. Komisioni hetimor i njëanshëm.

Grupi parlamentar i PS-së paralajmëron fillimin e protestave. Nuk merret vendim për pjesëmarrjen ose jo në Kuvend
TIRANË- Opozita vendosi dje që të mos e njohë komisionin hetimor që do të ngrihet nga mazhoranca për të hetuar zgjedhjet e fundit parlamentare, i cili nuk parashikon hapjen e kutive të votimit. Ky qëndrim u theksua nga deputetja e Partisë Socialiste, Vasilika Hysi, pas mbledhjes së grupit parlamentar të kësaj partie.
Mbledhja e grupit socialist, e cila zgjati për rreth 1 orë e gjysmë nuk konkludoi në një qëndrim konkret për pjesëmarrjen ose jo (ditët në vijim) në Kuvend, por u evidentua se aksioni i mëtejshëm politik i saj do të jetë kryerja e transparencës së plotë të zgjedhjeve të 28 Qershorit përmes hapjes së kutive të votimit.
Duke e cilësuar komisionin hetimor të mazhorancës si një komision inekzistent dhe të paligjshëm, deputetja e PS-së, Hysi, vuri në dukje se ky komision deformon demokracinë parlamentare.
Miratimi në mënyrë të njëanshme të projektligjit për ngritjen e këtij komisioni, sipas Hysit hodhi poshtë edhe mundësinë, që i dha opozita mazhoracës për të zgjidhur krizën politike, që vazhdon të jetë e pazgjidhur që prej 7 muajsh.
"Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste deklaron se i ashtuquajturi Komision Hetimor i ngritur nga pushteti, jo vetëm deformon në mënyrë thelbësore demokracinë parlamentare dhe shtetin ligjor si parime themelore kushtetuese, por ngjan si dy pika uji me komisionin e votimit në Ruzhdie.
Miratimi i këtij të ashtuquajturi Komision Hetimor në mënyrë të njëanshme, hodhi në kosh edhe shansin që ne i dhamë parlamentit për zgjidhjen e krizës politike në frymën e mirëkuptimit të bazuar në Kushtetutën e vendit po edhe në sugjerimet e miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë",- tha dje Hysi.
Deputetja e "selisë rozë" duke paraqitur më tej edhe qëndrimin e grupit parlamentar socialist, qartësoi se opozita nuk do të tërhiqet nga nisma e saj për të shpëtuar zgjedhjet e ardhshme nga deformimi dhe manipulimi i tyre. Në këtë mënyrë, sipas Hysit, opozita do të kërkojë të rivendosë të drejtën e votës dhe transparencës sëbashku me popullin opozitar duke protestuar ndaj shumicës në pushtet.
"Me Kushtetutën e shkelur dhe transparencën e kufizuar me tiraninë e kartonëve, mesazhi i pushtetit është shumë i qartë, po edhe qëndrimi ynë është po kaq i qartë: Asnjë hap mbrapa në përpjekjen për të shpëtuar zgjedhjet e ardhshme dhe demokracinë në Shqipëri nga korrupsioni që fillon tek kutitë e votimit dhe shtrihet në të gjitha degët e qeverisjes.
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste do të mbrojë kauzën e popullit opozitar për transparencë duke qenë bashkë me popullin në përpjekjen për lirinë e votës dhe të drejtën e transparencës", - u shpreh ajo. Hysi kërkoi gjithashtu që faktori ndërkombëtar të marrë sërish në konsideratë situatën në vend përsa kohë që deri më tani mazhoranca nuk mundi të pranojë ofertën e opozitës për zgjidhjen e krizës politike.
"Grupi Parlamentar Socialist i bën apel pikërisht miqve e partnerëve ndërkombëtarë për të marrë në konsideratë faktin shumë shqetësues se zgjidhja që u dha prej pushtetit të premten në darkë jo vetëm nuk e zgjidh po e thellon krizën, por edhe bie ndesh thellësisht me përpjekjen e tyre për një zgjidhje kompromisi bazuar mbi Kushtetutën dhe transparencën",- nënvizoi deputetja e PS-së.
Ajo shtoi se me miratimin që i bëri ngritjes së komisionit hetimor, Parlamenti u shndërrua në fenomenin e komisioneve zgjedhore të komunës "Ruzhdie", ku sipas saj, u shtrembërua edhe vullneti i opozitës duke mos i dhënë zgjidhje krizës politike.
*****************************
Meta: Komisioni funksionon edhe pa opozitën
TIRANË- Zv-Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, deklaroi dje se komisioni hetimor parlamentar mund të funksionojë edhe pa praninë e opozitës në këtë komision.
Sipas Metës, kutitë e votimit nuk mund të hapen, pasi një gjë të tillë, mund ta bëjë vetëm Prokuroria. "Komisioni duhet të krijohej dhe shumë mirë është bërë që është krijuar. E rëndësishme është që ia jep shumicën e Komisionit pakicës me vullnetin e shumicës.
Po kutitë nuk mund t'i hapë as Parlamenti dhe askush tjetër. Kutitë mund t'i hapë Prokuroria, në rast se Partia Socialiste ka të dhëna, apo ngre pretendime për çështje të caktuara.
Ajo e ka këtë të drejtë për të hetuar, dhe në rast se ata duan që t'i hapë Parlamenti, përderisa ka ekzistuar dhe ekziston një bindje që kjo është anti-kushtetuese, Partia Socialiste duhet të marrë një konfirmim nga Gjykata Kushtetuese.
Kemi qenë të hapur dhe për Komisionin e Venecias që është ndërkombëtar, dhe kjo nuk bie në kundërshtim me Kushtetutën", - tha Meta në një intervistë për "Zërin e Amerikës". Meta shtoi gjithashtu se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme.
************************
Anëtari i PD-së në komisionin hetimor i bën thirrje PS-së të depozitojë emrat
Bumçi: Të martën, komisioni hetimor fillon punën
TIRANË- Pavarësisht qëndrimit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, mazhoranca do të fillojë punën ditën e martë për të vendosur mbi axhendën e komisionit hetimor parlamentar për zgjedhjet e 28 Qershorit, miratuar pak ditë më parë nga Kuvendi, vetëm me votat e mazhorancës.
Një prej anëtarëve të këtij komisioni, Aldo Bumçi, deklaroi dje se ditën e martë do të miratohen modalitetet e funksionimit të hetimit parlamentar. Sipas Bumçit, ngritja e këtij komisioni do të sigurojë transparencë të plotë, por pa prekur vendimin e gjykatave.
"Mosmarrja pjesë në votim e deputetëve të Partisë Socialiste, përpjekjet e tjera për të tërhequr nismën në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit dhe Kushtetutën dëshmojnë qartë se Edvin Kristaq Rama nuk ka asnjë interes për transparencën e zgjedhjeve por vetëm për praktika bllokuese në interes të projekteve të tij personale.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike duke dënuar me forcë dhunën e ushtruar në Kuvend nga deputetët e Partisë Socialiste garanton se shumica është e vendosur të respektojë para së gjithash ligjet dhe Kushtetutën e vendit. Në këtë kontekst ne ftojmë z. Rama të dërgojë emrat e deputetëve të tij për të filluar punën në komisionin hetimor", -tha dje Bumçi, përmes një konference për shtyp. Komisioni i miratuar hetimor do të ketë 15 anëtarë në përbërje të tij, ku drejtimin është parashikuar ta marrë opozita.
Ndërsa nënkryetar i këtij komisioni do të jetë Ilir Rusmali. Maxhoranca ka anëtarë në këtë komision, Eduard Halimin, Enkelejd Alibeaj, Aldo Bumçin, Arenca Trashanin, Viktor Gumin, Edi Palokën të PD-së dhe Nasip Naçon e LSI-së. Ndryshe nga kërkesa e PS-së, shumicën në këtë komision do ta kenë të djathtët dhe jo të majtët, ndërsa posti i kryetarit do të jetë i tyre.
Sipas vendimit, "komisioni ka të drejtë të hetojë dhe të bëjë transparencë të plotë për çdo çështje, përveç çështjeve për të cilat ka vendime të gjykatave të vendit, janë në shqyrtim gjyqësor apo për të cilat është regjistruar kallëzim penal në Prokurori. Objekti i hetimit duhet të jetë i argumentuar dhe duhet të përmbajë fakte ose kompleks faktesh, të cilët tregojnë qartë se për çfarë po hetohet".