Rama u drejtohet shqiptarëve si Don Kishoti Sanços
“Nuk më duhet një mik, që pajtohet në gjithçka me mua” - Plutarku
Rama nuk e pranon idenë që shqiptarët të mendojnë ndryshe. Prandaj edhe ambicien e tij e quan “E vetmja rrugë!”. Dhe kjo nuk mund të jetë veçse premisë e dështimit të tij. Si delirant, zhgënjen adhuruesit e vet. Si narciz, u drejtohet shqiptarëve si të ketë përpara profanë. U flet për dështime, aty ku ata shohin suksese. U përrallis për korrupsion, aty ku shohin strukje të tij. Gjithmonë dështaku bën qimen tra në syrin e tjetrit. Por shpifjet e Ramës janë aq butaforíke, sa detyrojnë dhe vetë atë të vërë buzën në gaz. Humorit të gënjeshtrës nuk i shpëton dot as vetë krijuesi i saj. Vetëm enveristët besonin në entuziazmin e një populli të mjerë për gënjeshtrën e “lugës së florinjtë” të “qoftëlargut”. Si i pashpresë, Rama përdëllehet edhe me nënqeshjet ironike të atyre, që nuk e besojnë. Ndoshta prandaj thonë që humbësit i bën mirë ndonjëherë të ëndërrojë. Donkishoti idealist bëhej qesharak, sidomos kur përpiqej ta bindtte Sançon se shakujt e verës ishin armiq të rrezikshëm. Kurse elektoratit shqiptar që ka tejkaluar edhe mendimin e politikës, i duken sarkastike fantazmagorítë e një kryetari bashkie, që, i dështuar, ëndërron të bëhet kryeministër. I neveritur nga gënjeshtrat e Enver gangsterit, elektorati i majtë ka shpresuar që shpifjet e Ramës të mos ishin pjella të një fantazie të sëmurë. Por, kur sheh mohimin e të gjitha veprave konkrete të kundërshtarit, fillon të dyshojë në gjithë fjalimet e tij patetike. Megjithatë, ambicia për pushtet me çdo kusht përsërí nuk e lë Ramën të mos shpresojë se edhe shpifja përbën argument. Prandaj ngjiret duke përsëritur mijëra herë refrenin e mërzitshëm se “kundërshtarët paskan vjedhur votat për të grabitur Shqipërínë!”. Por mbetet i pikëlluar, kur sheh që dhe socialisti më i përkushtuar nuk e adhuron ustanë me atë verbërínë e Sanços. Prandaj, i nervozuar, ngre zërin si të dojë t’u zgjojë njerëzve instinktin e hershme të frikës nga rreziqe të paparashikuara. Se, kur gjigandi e ndien që po shndërrohet në liliput, fillon të besojë në darkë ato që ka shpifur vetë në mëngjes. Kurse elektorati e duartroket me besimin e kotë të atij gomarit, që kur po e hante ujku, shpresonte të ishte në ëndërr. Prandaj Rama, që ëndërron t’i bëjë njerëzit të besojnë në fitoren e tij, ka frikë dhe nga debati me kundërshtarin. Ndërkohë që shumë socialistë të kthjelluar largohen nga partia, si të duan të shpëtojnë nga makthi i një gënjeshtre, që u duhet ta besojnë doemos si të vërtetë. Të tjerë, që janë me këmbët në tokë, ngrejnë zërin ndryshe, duke i treguar Ramës “Rrugën e kombit”, “Liberalizimin e vizave”, apo anëtarësimin në NATO. Kurse “Donkishoti” qesh me naivitetin e atyre, që nuk besojnë se arritjet e kundërshtarit nuk janë veçse ca “kurthe”, që ngre armiku, për të “rrëmbyer pushtetin që të vjedhë shtetin!”. Por, ndërsa spanjollët e Cervantesit përloteshin nga idealizmi i Donkishotit, shqiptarët gajasen me pragmatizmin vulgar të donkishotëve “modernë”, që shpallin si “e vetmja rrugë !” ardhjen e tyre me çdo kusht në pushtet. Mirpo, meqë këmborët e humbjes po shurdhojnë zilet e shpresave të tij për fitore, Rama gatit alibínë e mospranimit të rezultatit të zgjedhjeve. Kurse ambicia për pushtet të pamerituar vazhdon ta nxisë të krijojë “arsyen e mosarsyes” për një dështim, të paktën, jo sipas devizës “këmbët e lehta, faqja e bardhë!”.
Ndërkohë gjithë shpura e donkishotëve neobllokmenë, që po shohin si armiq edhe flamurët e kundërshtarit, ulërijnë se po u rrëmbehet vota endé pa nisur procesi i votimit. Këta prepotentë të pandreqshëm po akuzojnë për tradhti të lartë edhe komisionerët e tyre. Kurse e majta, që ka nisur të mos u besojë veshëve tek dëgjon se si po shpiken edhe në gjirin e saj armiq imagjinarë, zhgënjehet çdo ditë me liderët e saj, për vizionet e të cilëve i pati rënë gjoksit me grusht.
Ndërkohë Rama me neobllokmenët vazhdojnë “bllofin” e fushatës së tyre pa alternativë me një seriozitet të shtirë deri në admirim. Dhe aq të besueshme i bëjnë trillimet, aq të mëshirueshëm ankohen si viktima, sa socialistët e ndershëm, të fyer, do të parapëlqenin më mirë një donkishot idealist, se sa një “misionar” kaq nihilist. Ndoshta prandaj kanë nisur të distancohen nga kjo aventurë politike, që do t’i përjashtonte nga politika duke i përqeshur si fantazistë të sëmurë. Kurse neobllokmenët, këta humbës të pritshëm, që vazhdojnë ta shohin elektoratin e majtë si të ishte një Sanço, rendin të shpallin armik çdo shqiptar, që guxon të kundërshtojë ambicien e tyre për të sunduar pa kundërshtarë. Për këta të përkëdhelur të sistemit të hurit e të litarit, që kanë mbetur peng i nostalgjisë për “dajakun”, vazhdon fushata e shpifjeve me shpallje armiqsh edhe nga radhët e tyre. Ndërkohë elektorati, që e ka vendosur se kujt do t’ia japë votën, habitet se si mund të kërkojnë kthimin e “avushes” së përmbysur këta, që duhet të ëndërrojnë pendesën për dëmet e pandreqshme, që u sollën një gjysmë shekulli shqiptarëve etërit e tyre mizorë. Kurse vetë shqiptarët, që përjetuan talljen dhe hipokrizinë më poshtëruese të diktaturës, ngushëllohen me idenë se donkishotë të tillë do të lindin edhe në të ardhmen. Se donkishotizmi është një fenomen universal, një ëndërr qesharake “idealistësh” të çartur, a grupe sharlatanësh, që gjithmonë do të përpiqen të kthejnë prapa sisteme të perënduara, për të ruajtur privilegjet e tyre të pamerituara. Donkishotët tanë “modernë” nuk do të reshtin së kërkuari kthimin e asaj bote, ku ata u ndien zotër të jetës, pronës dhe lirive të njerëzve, të mashtruar prej asaj ideologjie kriminale, që mori më qafë jetët e mijëra njerëzve të pafajshëm.