Fushata e keqkuptuar virtuale
Fushata elektorale për zgjedhjet vendore 2011 me siguri do të kujtohet si fushata e parë e “luftës” teknologjike, përdorimit masiv të internetit për komunikimin e kandidatëve dhe të partive politike me elektoratin. Duke e parë si element të veçuar dhe komponent të fushatës nuk ka dyshim se kemi të bëjmë me një risi. Sepse komunikimi midis politikës e qytetarëve, përmes rrjeteve të reja sociale dhe teknologjisë digitale është tregues përparimi, një kërkesë e kohës dhe një standard, të cilin vendet e tjera europiane e kanë përqafuar prej kohësh. Në vende si SHBA-ja apo Britania fushatat nuk shoqërohen me mitingje masive në sheshe, por me forma moderne komunikimi, ku ai virtual po merr gjithnjë e më shumë hapësirë. Komunikimi virtual është modern, është në mode, ka kosto të ulët, nuk ndikohet nga distanca apo gjendja emocionale e votuesit, krijon sistem besueshmërie dhe partneriteti, krijon hapësirë për debate publike dhe përmirësime të marketingut elektoral dhe kështu, e sjell fushatën, ofertën dhe votën elektorale tek çdo individ, kudo ku ai ndodhet. Kjo formë komunikimi, e kombinuar me të drejtën e qytetarëve të këtyre vendeve për të votuar kudo që ata ndodhen në botë, i ka bërë zgjedhjet më të thjeshta, më transparente dhe më me kuptim.
Vetë studiuesit amerikanë theksojnë se për aplikimin e këtij modeli duhen së paku katër element bazë: aftësi dhe kulturë komunikimi i vetë kandidatëve dhe partive politike, ndërgjegjësim i qytetarëve votues për të pritur mesazhe virtuale, aftësi e stafeve elektorale për të prezantuar imazhe dhe mesazhe të përzgjedhura dhe me efekt tek zgjedhësit, si dhe një element tjetër në dukje teknik, por thelbësor: njohuri të qytetarëve mbi internetin, mundësi dhe kulturë komunikimi. Krahasimi i këtyre katër parakushteve shkencore me gjendjen aktuale në Shqipëri ndihmon të nxjerrë në pah tiparet dhe dallimet midis modelit tonë të teknologjisë elektorale dhe modelit perëndimor. Dhe si në shumë aspekte të tjera, edhe në këtë aspekt, modeli shqiptar paraqet disa tipare dalluese, të cilat duke mos qenë njëherësh pozitive, ndikojnë në uljen reale të efikasitetit dhe sidomos të rolit të rëndësishëm të teknologjisë në fushatën elektorale.
Dallimi i parë gjendet në komunikimin virtual në rrjetet sociale. Në facebook kanë hapur llogari të paguar disa dhjetëra kandidatë për kryetar bashkie, me qindra e mijëra fansa janë regjistruar në to duke krijuar idenë se ky model po dominon komunikimin politik. Në fakt nuk është ashtu. Në modelin perëndimor kandidatët nuk kërkojnë detyrimisht fansa apo mbështetje virtuale, por e shfrytëzojnë rrjetin social për të përçuar idetë, platformën, mendimet dhe dallimet e tyre me kandidatët apo forcat e tjera politike. Në modelin tonë asnjë kandidat apo parti nuk ka publikuar program elektoral, asnjë nuk ka prezantuar program virtual, asnjë nuk propozon tema debati dhe asnjë nuk ka caktuar ende një datë apo kohë bisedimi virtual me fansat, mbështetësit apo kritikët e tyre. Në modelin tonë bien në sy foto të panumërta cilësore, kronikat formale të takimeve të ditës dhe me mijëra mesazhe militante, të thëna pa strukturë mendimi, pa argument, me gjuhë urrejtje ndaj rivalit politik dhe kështu, jashtë çdo kriteri që t’i bëjë ato të vlefshme. Një kandidat apo parti nuk ka nevojë për individë që hyjnë në internet për të bërë atë që bëjnë në mitingjet e tyre, pra që brohorasin e tundin flamujt, që thurin lavde për shefat dhe denigrojnë kundërshtarët. Komunikimi përmes rrjeteve sociale në fushatë ka vlerë në një situatë krejt tjetër: kur fansat dhe mbështetësit shkëmbejnë ide, japin sugjerime, theksojnë argumente programore dhe bëjnë dallime me të tjerët, kërkojnë zgjidhje për probleme të caktuara dhe njëherësh mësojnë jo për axhendën formale të kandidatit, por për brendësinë e saj.
Keqkuptimi i dytë i madh i shqiptarëve me modelet e reja teknologjike është brishtësia në përcaktimin e kufirit midis imazhit dhe realitetit, reklamës dhe mbështetjes reale. Siç shihet nga rrjetet sociale dhe publikimet elektorale në internet, nuk ka kandidatë që kërkojnë cilësi mendimi e përfaqësimi, por ka kandidatë e parti që kërkojnë sasi, pafundësisht sasi. Kjo mund të ketë vlerë në një rast ekstrem, si p.sh, në fushatën për zgjedhjet parlamentare ku votohet në të gjithë vendin për partitë politike, por nuk ka vlerë dhe as kuptim në fushatën e zgjedhjeve lokale, p.sh, për kryetarët e komunave apo të ndonjë bashkie periferike. Aktualisht 60% e kandidatëve të bashkive kanë publikuar reklama elektorale në internet, por me siguri në shumicën e këtyre qyteteve zgjedhësit vendimtarë nuk janë nga ajo shtesë që informohet e vendos nga internet. Duket paradoks, por është shumë domethënës fakti se një nga partitë më me shumë reklama në internet është një parti, kryetari i së cilës publikisht ka pranuar se nuk di ta përdorë internetin. Gabimisht kandidatë dhe parti besojnë se gara në internet përkthehet në garë reale në vota. Ata nuk marrin parasysh se p.sh, ka një shumicë shqiptare në diasporë, emigracion, në Kosovë etj, e cila përfshihet në garën elektronike, por nuk është votues në zgjedhjet e 8 majit. Apo se p.sh, kandidati për kryetar bashkie në Vlorë, Shkodër apo Korçë mund të ketë mijëra fansa në qytetet e tjera, por thjesht kjo nuk ka vlerë, nëse ata nuk janë të gjithë qytetarë e votues brenda territorit ku ata kandidojnë.
Keqkuptimi i tretë lidhet me cilësinë e fushatës. Zhvillimi teknologjik është pozitiv nëse përdoret pozitivisht. Nëse me të abuzohet (kaseta të porositura, montime me fotografi apo video, reklama e kundër-reklama personale pa mundësi përgënjeshtrimi, etj) atëherë rrjetet sociale dhe vetë interneti mund të deformojë thelbin e fushatës elektorale apo integritetin e vetë kandidatëve. Gjithashtu, asnjë komunikim virtual nuk mund të zëvendësojë kontaktin direkt me qytetarët dhe midis vetë kandidatëve. Prej vitit 2000 nuk kemi ende një debat televiziv paraelektoral as në votimet lokale Tiranë dhe as në zgjedhjet parlamentare. Mjafton kjo e dhënë për të kuptuar deficitet e mëdha të komunikimit dhe kulturës demokratike, në një kohë kur çdo palë mburret se përfaqëson dialogun, debatin, vlerat dhe modelin perëndimor. Debati midis kandidatëve nxjerr në pah diferencat e tyre, aftësinë dhe raportet me nevojat e qytetarëve. Mungesa e debatit lë shteg për fushatë imagjinare e virtuale, me programe e projekte fantazmë, pa transparencë financimi e shansesh realizimi, si dhe në rastin më të keq, ushqen konfliktualitetin politik në vend.
Keqkuptimi i katërt lidhet me raportet midis komunikimit virtual elektronik në rritje dhe medias tradicionale. Shqipëria ka më shumë gazeta ditore se çdo vend tjetër në BE, por ka më gjithashtu më pak tirazh gazetash sesa çdo vend tjetër, madje edhe se vetë principata e Monakos apo Andora. Ne kemi dhjetëra televizione por nuk kemi mekanizëm klasifikimi cilësor të tyre. Në këto rrethana media dhe politika e përdorin fushatën në një formë abuzuese që mund të cënojë parimet demokratike të zgjedhjeve. Format klasike (kaseta të porositura filmike, lajme të porositura pro vetes apo kundër tjetrit, artikuj e kronika të porositura, intervista të sponsorizuara, etj) do të duhej të humbnin vlerën e tyre në kushtet e zgjerimit të ndjeshëm të komunikimit virtual elektoral. Në fakt ka ndodhur e kundërta, komunikimi virtual vetëm sa i ka shumëfishuar format klasike të blerjes së lajmit apo medias – propagandë. Le të shohim TV publik për të cilin të gjithë ne paguajmë taksë mujore. Standardet e tij profesionale e elektorale janë shumë më të ulëta sesa 3, 5 apo 7 vjet më parë. E njëjta ndodh edhe me burimet e tjera publike dhe shumicën e burimeve private të informacionit, të cilat në vetëdelir elektoral marrin qëndrime të tilla sa imponohen në lajme e në komente shumë më fanatikë sesa vetë kandidati apo partia që mbrojnë. Le të bëjnë një bilanc tjetër krahasues: këto javë e ditë kandidatët kanë dhënë disa dhjetëra konferenca shtypi, deklarata mediatike duke mos lejuar t’u shpëtojë asnjë rast, asnjë fjalë, asnjë hapësirë reklamimi elektoral. Sa veprime të tilla kanë bërë gjatë ushtrimit të detyrës në bashki apo parti, në qeveri apo ministri, dhe sa do të bëjnë gjatë katër viteve të ardhshme nëse ata fitojnë? Me siguri numri i tyre matet me gishtat e dorës, çfarë tregon se nuk është politika që kërkon të jetë transparente, por është interesi politik elektoral ai që i detyron politikanët të sillen komunikativ e virtualisht transparent.
Së fundi, komunikimi virtual është vlerë në demokraci, nëse përdoret për të zgjeruar kontaktet, komunikimet, dialogun dhe informacionet e dobishme midis njerëzve pavarësisht moshës, kufirit shtetëror apo statusit social. Në shkollën perëndimore komunikimi virtual elektoral shihet si vlerë e pazëvendësueshme e forcimit të kulturës politike, edukimit demokratik dhe emancipimit shoqëror.
Po tek ne? Në mënyrë paradoksale, në tërësinë e tij, ky instrument demokratik vjen e zgjerohet dita – ditës si shtojcë e debatit formal politik, e traditës së vjetër të fletërrufeve anonime dhe militante, e mitingjeve të partive dhe e një gjuhe të ashpër, gati konfliktuale dhe gati shpërthyese. Ky është një lajm i keq dhe përbën keqkuptimin më të madh të teknologjisë elektorale në një vend ku ndryshimet vijnë me vonesë, proceset ndodhin me vonesë, etapat kalojnë me vonesë dhe ku diferenca midis asaj që premtohet dhe asaj që realisht ndodh janë ekstremisht të thella.
Një fushatë lokale e një vendi në NATO ku të gjithë janë në fushatë, shteti e shoqëria, dhe ku palët, në vend të debatit programor zihen për flamujt në shtylla, parullat në mure apo mesazhet telefonike, është një tipar që vjen në kontrast me modelin virtual plot sharmë e finesë që duan të imponojnë partitë dhe kandidatët. Vetë palët nuk po sillen siç qytetarët e shumica e shoqërisë duan, të thjeshtë dhe shërbëtorë, njerëzorë dhe realistë, por siç kompanitë konsultuese dhe sondazhet e brendshme po i imponojnë. Një shoqëri që kërkon liderë të fortë në vend të institucioneve të forta, - tregon se mund të jetë në çdo kohë viktimë e politikës virtual.
Fati dhe integriteti i zgjedhjeve të 8 majit me siguri nuk do të përcaktohet nga tiparet, keqkuptimet, përdorimi e keqpërdorimi i teknologjisë elektorale, por me siguri këto të fundit kanë ndikuar që ky institucion i ri komunikimi elektoral të jetë një shans tjetër i humbur, një shans i shpërdoruar me ndikim në cilësinë e jetës, të zgjedhjeve dhe të zhvillimit demokratik.
*Mendimet e shprehura janë personale të autorit dhe nuk shprehin qëndrime institucionale.