E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Ne e kthyem Kamzën në qytet modern

18-04-2011 / Gazeta 55

“Aleanca për Qytetarin”, çel fushatën elektorale në Kamëz, Berisha prezanton Xhelal Mziun për kryetar bashkie
   
Partia Demokratike dhe “Aleanca për Qytetarin”, përmes një mitingu madhështor në Kamëz, prezantuan kandidatin për kryetar bashkie, Xhelal Mziu. Në fjalën e tij para mijëra të pranishmëve në mitingun e mazhorancës, kryeministri Sali Berisha u shpreh se kryetari i bashkisë do ketë të gjithë mbështetjen e qeverisë, në financimin e çdo projekti për bashkinë e Kamzës. Berisha siguroi banorët e Kamzës se në 4 vitet që vijnë qeveria do të 5-fishojë investimet për këtë bashki. “Përulem me nderim të madh para secilit prej jush që këto 20 vite i dhuruat Shqipërisë, me mundin dhe përkushtimin tuaj, njërin nga qytetet më të bukura të saj, bashkinë e 6 më të madhe në të gjithë vendin”- u shpreh kryeministri Berisha, duke iu drejtuar banorëve të Kamzës. Kryeministri ftoi që të vizitojnë Kamzën, cilido që do të njihet me rolin dhe kontributin e qytetarëve në ndërtimin e një qyteti. Sipas tij, Kamza u shndërrua nga një qytezë ngrehinash në një qytet vilash dhe pallatesh, duke u bërë qyteti i 6-të më i madh i vendit, me një shpejtësi më të madhe se kurrë ndonjëherë në historinë e Shqipërisë. Kreu i Qeverisë theksoi se Kamza është sot një nga qytetet më të urbanizuara të Shqipërisë. “Këto 4 vite me Xhelal Mziun janë asfaltuar 60 km rrugë kryesore. Jam sot këtu për t’u zotuar para jush se 4 vitet që vijnë do asfaltohet çdo rrugë e qytetit”- tha Berisha.


Berisha: Në katër vitet që vijnë do të gjashtëfishojmë investimet në rrethin e Gramshit


Kryeministri Berisha prezanton në Gramsh kandidatin për kryetar bashkie, Kastriot Zera Kryeministri Sali Berisha prezantoi sot z.Kastriot Zera si kandidat të koalicionit “Aleanca për qytetarin” për kryetar të bashkisë së Gramshit. Në prezantimin e tij, Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria do të financojë çdo projekt të zotit Kastriot Zera dhe kryetarëve të komunave  të këtij rrethi për të sjellë në Gramsh ndryshimin më të madh, zhvillimin më të fuqishëm në tërë ekzistencën e këtij qyteti dhe këtij rrethi. “Jam sot këtu për t’ju premtuar se në 4 vitet që vijnë investimet tona në qytetin dhe rrethin e Gramshit do të rriten me 6 herë”, u shpreh Kryeministri Berisha.


Më gjerësisht në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:  


Së pari, ju përshëndes vëllazërisht dhe të shpreh kënaqësinë time që vij sot tek ju për të paraqitur kandidatin e “Aleancës për qytetarin” për bashkinë e Gramshit, z. Kastriot Zera, një nga kryebashkiakët dhe nga qytetarët e parë më të shquar, më të vendosur, më të suksesshëm të Shqipërisë në katër vitet që shkuan. Unë paraqes, gjithashtu, para jush kryetarët e komunave të “Aleancës për qytetarin”, duke ju siguruar sot se qeveria do të financojë çdo projekt të zotit Kastriot Zera dhe kryetarëve tuaj të komunave  për të arritur në Gramsh ndryshimin më të madh, zhvillimin më të fuqishëm në tërë ekzistencën e këtij qyteti dhe këtij rrethi. Në katër vitet që shkuan ne kemi investuar në Gramsh, qytetin dhe komunat e tij, 8 herë më shumë se Partia Socialiste në tetë vite të marra së bashku. Kemi ndërtuar dhe rindërtuar 40 kilometra rrugë, 20 shkolla, 16 ambulanca, 6 ujësjellës, 16 qendra shëndetësore, Gramsh, Kodovjat, Kushove, Pishaj, Poroçan, Skënderbegas, Brosnan, Holtas, Çekinë dhe Trumë. Qeveria ka financuar 390 fermerë dhe mbjelljen e 140 hektarëve me ullinj, vreshta dhe dru të tjerë frutorë. 50 hektarë të tjerë do të financohen gjatë vitit 2011. Numri i bizneseve është rritur në mënyrë të ndjeshme. Unë ju garantoj dhe jam sot këtu për t’ju premtuar se në 4 vitet që vijnë investimet tona në qytetin dhe rrethin e Gramshit do të rriten me 6 herë, do të ndërtojmë rrugën e re buzë liqenit që lidh Gramshin – Drizën – Shtërmenin – Cërrikun dhe Paprin. Atyre që ju mashtrojnë dhe ju thonë se rruga do kalojë prapa malit, do t’u thoni se kjo qeveri është qeveria që çan malet dhe nuk i nxjerr qytetarët prapa malit. Unë kam shumë kënaqësi që brenda dy viteve ju do të mbërrini në Tiranë për një kohë 50 minuta më të shkurtër dhe se Gramshi e Tirana do të kenë një distancë jo më të madhe se rreth 1 orë. Në qytetin e Gramshit do të modernizojmë dhe pajisim me teknologji moderne spitalin e qytetit.  Mjekët i kemi shumë të mirë dhe do t’u krijojmë çdo mundësi që t’ju shërbejnë ju me standardet më të mira. Do të ndërtojmë rrjetin e brendshëm të ujësjellësit dhe kanalizimeve. Ka filluar ndërtimi i rrugës Gramsh – Kodovjat. Me mbarimi e kaskadës, siç theksova, do të rikonstruktohet pjesa tjetër e rrugës për në Maliq. Do të fillojë se shpejti ndërtimi i rrugës Drizë – Banjë – komunë e Poroçanit. Do të ndërtojmë rrugën Kodovjat – Lenie, Shën Mëri - Skënderbegas. Po projektohet rruga që lidh qytetin tuaj me Skraparin. Katër vitet që shkuan kemi ndërtuar 40 kilometra rrugë, 4 vitet që vijnë ne do të inaugurojmë së bashku se paku 200 km rrugë. I tërë Gramshi do të jetë i asfaltuar dhe urbanizuar. Unë i njoh mirë potencialet e mëdha turistike të rrethit tuaj. Ju garantoj se infrastruktura moderne do të jetë përparësia më e madhe e qeverisë këto 4 vite që vijnë. Atyre shokëve që këto ditë bëjnë fjalë se po ndërtohet këtu një rrugë e aty një rrugë, duhet t’u themi: ejani në Gramsh, shkoni në Poroçan dhe shihni se sa vuajnë ata qytetarë shqiptarë për mungesën e rrugës, shkoni në fshatrat e tjera të Gramshit e shihni se çfarë mundimesh u krijon atyre mungesa e rrugëve, shihni se sa pengon turizmin mungesa e tyre. Ne nuk dëgjojmë ata. Ne jemi te bindur se pas bukës, ujit, shkollave, rruga është  themel kryesor i zhvillimit. Ndaj ne do të bëjmë çdo gjë  që aty ku jetoni të keni ujë, drita, rrugë, shkolla, njëlloj si këtu në qytet, njëlloj si në lagjet e Elbasanit, njëlloj si në lagjet e Tiranës. Alternativa jonë është alternativa e qytetarit dhe ne këtu bazojmë gjithçka. Ne bazojmë këtu  projektin e madh  të Gramshit të zhvilluar, qytet dhe rreth i zhvilluar, Shqipërisë vend i zhvilluar brenda vitit 2017, Shqipëria dhe  Gramshi në grupin e vendeve të zhvilluara. Kjo platformë është platformë  mundi, djerse, përkushtimi, por është edhe  platformë besimi të palëkundur  te vetja, te  njëri - tjetri, te qyteti, te komuniteti dhe Shqipëria. Kjo platformë është platforma e interesave tuaja më të mira, është platforma e problemeve tuaja më të mëdha, është platforma e vizionit tuaj  më të shkëlqyer. Ne, së bashku, në këto vite ia kemi dalë të realizojmë disa ëndërra të mëdha. Sot në këtë  shesh, ne që 20 vite më parë ishim dhe qytetarët më të izoluar të planetit, jemi vend anëtar  i  NATO-s.  Sot në këtë shesh, ne që 20 vite më parë jetonim  të rrethuar me tela me gjemba në të katër anët e kufijve, sot lëvizim të lirë, pa viza, në mbarë Europën. Ne që 20 vite më parë nuk na shkelte kush në derën e vendit tonë dhe ishim vendi i turizmit të ndalur, jemi shpallur këtë vit destinacioni kryesor turistik i planeti, Shqipëria dhe Gramshi e bukura e dheut. Ne që pak vite më parë rropateshim në skamjen dhe mjerimin më të thellë, me një ekonomi pothuajse në kolaps, sot ia dolëm të dyfishojmë pensionet e ulëta në katër vjet në mbarë vendin, ia dolëm të mbi dyfishojmë rrogat e mësuesve, mjekëve dhe infermierëve në mbarë vendin, ia dolëm të mbi dyfishojmë ndihmën ekonomike, ia dolëm të ulim varfërinë 33 për qind. Nga 18 për qind që ishte në vitin 2005, zbriti në 12 për qind në vitin 2009. Përsëri nuk e kemi rrugën bulevard  me lule, por e kemi rrugën me suksese të pamohueshme. Rrugën e kemi me arritje historike dhe për këtë ne duhet të mburremi me njëri - tjetrin,  duhet të ndihemi krenarë me njëri-tjetrin duhet të ndihemi krenarë me vendin tonë. Kjo është alternativa jonë. Krahas saj është alternativa e rrugës së vetme. Rruga  e vetme për shqiptarët në 45 vite ishte rruga e izolimit më të thellë, ishte rruga e skamjes dhe mjerimit më të madh, rruga vetme për shqiptarët ishte rruga e shtypjes më mizore, ishte rruga e shpërfytyrimit njerëzor. Shqiptarët fituan dinjitetin  tyre, sepse liria i jep secilit rrugën e tij, rrugën në të cilën ai ndërton të sotmen dhe të ardhmen e tij. Ndaj dhe ne le të bashkohemi në këtë projekt të madh të alternativës së qytetarit. Sot alternativa e rrugës së  vetme ka një synim, poshtërimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve.  Ju dëgjoni çdo ditë kreun e Partisë Socialiste, zotin Rama, të shpallë nga tribuna në tribunë qeverinë shqiptare si qeveri fashiste. Le t’i them këtij zotërie se qeveria shqiptare dhe Shqipëria janë anëtarë të Aleancës më të madhe të lirisë së kohërave, Aleancës së Atlantikut të Veriut. Ti i nderura zotëri që u paraqet shqiptareve qeverinë e tyre si qeveri fashiste, ti sheh demokracinë, sheh Shqipërinë me gjyzlykët e Ramizit dhe të etërve të tu shpirtëror. Ti që u thua shqiptarëve se janë 1 milion të papunë, nuk bën gjë tjetër  veçse përsërit shpifjet bajate të Ramiz Alisë, që 20 vjet më parë do tu deklaronte botës për të poshtëruar shqiptarë, se ata janë 1 milion hajdut, 1 milion spiunë, 1 milion të papunë. Unë ju ftoj ju, le t’i injorojmë sharjet, shpifjet, trillimet e tyre, të merremi me vlerat tona morale. Vlerat tona morale qëndrojnë në virtytin e mirënjohjes, të besimit, të vlerësimit, të dashurisë, të respektit për familjen, për  njeri-tjetrin, për vendin, për Gramshin. Ndaj le të shkojmë së bashku në këto zgjedhje me vetëdijen më të madhe se vota për Kastriot Zerën, për kandidatët e “Aleancës për qytetarin”, është vota për veten tuaj, për familjen tuaj, për Gramshin, për Shqipërinë, për integrimin e tyre në Europë. Të mos harrojmë se rruga e vetme është rruga e kutisë, rruga në të cilën zoti Rama deshi të fuste vizat tuaja dhe të ardhmen tuaj.  Le të ecim të sigurt drejt 8 majit për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. Le të votojmë ne si qytetarë  evropian. Në këtë mënyrë me 8 maj do të fitoni ju, do të fitojë Shqipëria.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›