E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama u përgjigjet ndërkombëtarëve me kërcënime

22-12-2010 / L. Quku

Rekomandimet e ndërkombëtarëve për të mos parë prapa, por për t’u përqendruar tek reforma që do na çojë tek zgjedhjet e 8 majit s’i shkojnë për shtat kreut të PS. Pas kutive të Shkodrës, alternativa e vetme e opozitës mbetet prishja e zgjedhjeve, prandaj këtë kërcënim ndaj ndërkombëtarëve, ai e ka përcjellë personalisht tek presidenti i republikës, ndërkohë që linjën e rrugës ia ka lënë në dorë specialistit të prishjes së tryezave partiake, Skënder Gjinushit


Pas apelit të ndërkombëtarëve, i riaktualizuar dy ditë më parë edhe nga zëvendës/ndihmëssekretari i DASH, Edi Rama s’ka vonuar të riciklojë kursin e kërcënimeve. Ai vetëm një gjuhë di me ndërkombëtarët; kërcënimin për destabilizim, në rast se ata s’i ofrojnë garanci për mbijetesë në politikë. Dje ai i ka shqiptuar këto kërcënime, nëpërmjet dy rrugëve, vetë personalisht tek presidenti i Republikës, por edhe nëpërmjet Skënder Gjinushit, që tashmë ka vendosur ta përdorë si krah të armatosur. Gjinushi foli shkoqur dje për mungesën e vullnetit për arritjen e një kompromisi politik për zgjedhjet e 8 majit, siç tha ai “siç ka ndodhur më 2007 e 2009”, ndërkohë që Edvini dhe Braçe u ngjitën tek presidenti i republikës, për t’i komunikuar se s’kanë ndërmend t’i respektojnë rregullat e lojës.


Kronika/Bëhet me dije se kryesocialisti Rama dhe deputeti Braçe e informuan Presidentin e Republikës rreth një shqetësimi të tyre në fushën e drejtësisë (tmerri që u erdhi nga hapja e kutive të votimit në Shkodër dhe moskonfirmimi i kurrfarë manipulimi), gjë që siç edhe mësohet kreu i shtetit, i ka dëgjuar me vëmendje, ndonëse pa dhënë një verdikt të qartë se sa qëndrojnë pretendimet e përfaqësuesve të opozitës. Por ajo që duket e paprecedentë në këtë mes, ka të bëjë me memecllëkun dhe mungesën e shqetësimit të kreut të shtetit, ndaj tendencave destabilizuese të segmenteve majtiste. Prej një kohe të gjatë, thuajse 18 mujore, kreu i shtetit s’ka dhënë asnjë koment për tendencat antiligjore dhe antikushtetuese të qarqeve të majta të Partisë Socialiste, edhe pse shpesh herë e kemi dëgjuar të dënojë shkeljen e ligjit dhe Kushtetutës. Edi Rama nuk ka probleme dhe as shqetësime me funksionimin e sistemit të drejtësisë në vend, por ka hallin e kutive të votimit si dhe të atyre ligjeve që ia pengojnë çmendurinë e shkeljes së Kushtetutës. Duket se hapja e atyre kutive të votimit në Shkodër ia zbehu disi tendencën për parregullsi të zgjedhjeve dhe në këtë sens po përdor sa të mundë funksionarët e lartë shtetërore, me idenë se ata do tentojnë të dalin jashtë ombrellës kushtetuese. Tashmë ka ardhur koha që njëlloj si takimi i vjetshëm i dhjetorit tek Bamir Topi, Edi Rama artikulon vullnetin për kërcënime të reja ndaj ndërkombëtarëve. Se sa mund t’ia arrijë mbetet për t’u parë, por fakt është se Edvinit s’i ka kaluar teposhtë fraza e Cantrimen se opozita s’duhet të merret me 28 qershorin, por të paraqesë sa më shpejt propozimet e saj për mbarëvajtjen e 8 majit, në mënyrë që të mbyllet njëherë e mirë skema destabilizuese e bojkotimeve.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›