E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Rama u tërhoq nga taksa progresive, pasi ajo shkallon ekonominë”

12-05-2013 / Gazeta 55

Arben Imami u jep kartat e anëtarësisë të rinjve të Elbasanit

Në Elbasan, ku ishte i ftuar nga të rinjtë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Arben Imami shpërndahu 13 karta të reja anëtarësie, ky forum ka arritur numrin 6023. Në fjalën e tij Imami përpara të rinjve theksoi se, “Elbasani është qyteti i rinisë, qyteti i dijes, nuk është më thjesht kërthiza e vjetër e Shqipërisë por është me të vërtetë një qendër e dijes dhe një qendër e rinisë”.
Në një përmbledhje të arritjeve të këtyre viteve qeverisje Imami nënvizoi: “Në këto vite qeveria ka ndërtuar, ka rindërtuar mbi 1300 shkolla dhe kjo nuk është pa rëndësi, nuk është pak, është pjesa më e madhe e shkollave tona. Ka mbetur akoma për të bërë dhe ne në katër vitet e ardhshme do të përfundojë e gjithë infrastruktura e Shqipërisë që çdo fëmijë, në çdo kënd të këtij vendi të ketë një shkollë të mirë, të ketë një klasë të mirë apo të jetë një student apo një nënës si i një vendi nga më të mirët në Europë.
Së dyti, kemi bërë një përpjekje për rritjen e numrit të studentëve. Tetë vjet përpara sigurisht që numri i njerëzve që do të ishte këtu do të ishte normalisht sa 1/3 e këtyre që janë, sepse ne, në vitin 2005 gjetëm 50 mijë studentë, ndërsa sot janë mbi 150 mijë studentë në Universitetet shqiptare. Është një shumë e jashtëzakonshme. Por ajo që është më e rëndësishme nuk është numri por mundësia që u kemi dhënë të rinjve shqiptarë për të studiuar, për t’u njohur me dijen, për t’u profesionalizuar, specializuar e për t’u bërë të gatshëm për t’u përgatitur për tregun e punës. Me maturën shtetërore ne vumë një standard të barabartë universal për të gjithë. Mbi bazën e saj, ju  keni mundësi të zgjidhni degën që dëshironi". Imami theksoi se me programin e qeverisë së Partisë Demokratike, duke ecur me këto hapa, në Shqipëri do të ketë lehtësi edhe për biznesin e të rinjve dhe kjo gjithashtu është e rëndësishme sepse, jetojmë në një Epokë ku iniciativa e lirë, liria e zgjedhjes së individit, çon përpara lumturinë për të cilën çdokush nga ju, vijoi ai, ka të drejtë ta kërkojë edhe shoqërinë njëkohësisht, por kjo, duke u dhënë kushte lehtësuese kreditimit të bizneseve tuaja. Ne shpresojmë që në Shqipëri një klasë e re sipërmarrësish të rinj të aftë e të arsimuar do ta ngrenë në një standard më të mirë biznesin shqiptarë dhe në tërësi ekonominë shqiptare. Ky modeli jonë u tregua i qëndrueshëm në vitet më të vështira për Europën, ndërkohë që vendet fqinje po shkojnë keq e më keq, ndërkohë që 400 miliardë euro merr Greqia ndërsa ne po të kishim pasur 400 milion që mund t’i kishim vetëm nëpërmjet marrjes së statusit kandidat që e pengoi z. Rama, ne do ta kishim mbyllur përfundimisht infrastrukturën e vendit.
“E pra”, theksoi Imami për të rinjtë, “duhet të kuptoni se si është e mundur që një vend i vogël si i yni i cili nuk ka shkëlqyer në Europë, i cili ka pasur parametra dhe standarde më të ulëta e përballon krizën, ecën përpara, rrit rrogat, rrit pensionet, ndërsa të tjerët i ulin sepse, vetëm nëpërmjet një modeli zhvillimi ekonomik i cili  është i bazuar në lirinë, në barazinë e aktorëve ekonomik në treg, si edhe i bazuar në taksën e sheshtë.  Po të keni vënë re z. Rama, është tërhequr nga ideja e taksës së tij progresive, të paktën publikisht, e në fakt ideologjia e tyre është taksa të rënda, monopole, shkallmimi i ekonomisë. Ne nuk e duam këtë. Ne duam që ky vit të jetë një vit i mbarë, shpresojmë që ky vit të jetë gjithashtu viti i kthesës për Italinë e Greqinë  dhe të jeni të sigurt që Shqipëria në vitet e ardhshme do të ecë me një ritëm shumë më të lartë”, përfundoi ai.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›