E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama, ultimatum Berishës: “Tërhiq ligjin për Prokurorinë brenda 30 ditësh!”



Kryetari i Partisë Socialiste i ka vendosur një ultimatum 30-ditor kryeministrit Berisha për të tërhequr ligjin për Prokurorinë. Duke e komentuar këtë ligj, të propozuar nga maxhoranca, Rama theksoi se përmbajtja e tij është shprehje e qartë e Berishës për të penguar hetimet për të vërtetën e krimit shtetëror të Gërdecit. Rama i vendosi një ultimatum 30-ditor kryeministrit Berisha për të kthyer mbrapa këtë ligj, i cili gjithashtu cenon rëndë pavarësinë e institucionit të Prokurorisë dhe vetë reformën në Drejtësi. “Sali Berisha, bashkë me ata që janë shumicë në Parlament edhe për më pak se dhjetë muaj, duhet të dëgjojnë e të shohin se shqiptarët e shqiptaret janë sot të bashkuar në bindjen se ai dhe qeveria e tij duhet të heqin dorë, hapur, qartë, pa asnjë diskutim e ekuivok nga çdo përpjekje, e çfarëdo forme, për të ndërhyrë në punët e drejtësisë. Ne i japim kryeministrit 30 ditë afat për ta bërë këtë hapur, qartë, pa asnjë shteg për kthim mbrapa, duke e harruar njëherë e mirë projektin famëkeq qeveritar të ligjit për Prokurorinë dhe duke miratuar në Kuvend një ligj të ri për organin e akuzës, që të ketë konsensusin e plotë të vetë Prokurorisë e të të gjithë aktorëve të tjerë të sistemit të drejtësisë”, - deklaroi kryetari i Partisë Socialiste. Rama tha se kryeministri Berisha është i dyshuari kryesor i të gjithë shqiptarëve për tragjedinë e Gërdecit. Ai theksoi se Berisha duhet të kishte dhënë dorëheqjen që në ditën e parë kur ndodhi kjo tragjedi, që i tronditi rëndë shqiptarët. “Sali Berisha, gjashtë muaj pas masakrës së Gërdecit, është i dyshuari i madh i shqiptarëve e shqiptareve. Sali Berisha duhet ta kishte dhënë dorëheqjen e të kishte shkuar vetë në prokurori qysh ditën e parë të hetimeve në qoftë se nuk ka asgjë për të fshehur dhe nuk i trembet si djalli temjanit zbardhjes së plotë të krimit shtetëror të Gërdecit”, - deklaroi Rama.

16 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›