Rama, letër Metës: “Të bashkohemi në protesta kundër Sali Berishës”
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, pasi ka shpallur fillimin e protestave popullore kundër qeverisë së Sali Berishës dhe mungesës së sigurisë e drejtësisë në vend, ka kërkuar mbështetjen dhe bashkimin me kryetarin e LSI-së, Ilir Meta. Rama i ka dërguar dje një letër kreut të LSI-së, në të cilën ai shpreh propozimin për zhvillimin e një takimi midis tyre dhe krerëve parlamentarë të PS-së dhe LSI-së. Në këtë letër Rama thekson se takimi midis tij dhe Metës është mjaft i domosdoshëm në këto momente të vështira që po kalon vendi, si rezultat i mungesës së drejtësisë dhe sigurisë në vend. Ai kërkon nga kreu i LSI-së për të koordinuar veprimet dhe qëndrimet e opozitës, ndaj asaj çka shkaktuar qeveria e korruptuar e Sali Berishës. Kreu i selisë rozë i ka dërguar të njëjtën letër edhe kryetarëve partive të tjera të opozitës, Skënder Gjinushit PSD, Paskal Milo PDS dhe Neritan Cekës PAD. Rama ka kërkuar bashkimin e opozitës në protesta kundër kryeministrit Sali Berisha.
Letra
Në letrën që i ka dërguar kryetarit të LSI-së Ilir Meta, Rama e fton atë dhe kryetarin e Grupit Parlamentar të LSI-së, Pëllumb Xhufi, për të zhvilluar nesër një takim në mjediset e hotel “Sheraton”. Rama thekson në letër se qëllimi i këtij takimi është për të bashkërenduar qëndrimet dhe veprimet e përbashkëta të PS-së dhe të LSI-së ndaj çështjeve madhore, siç janë drejtësia dhe siguria në Shqipëri, e cila është seriozisht e kërcënuar nga krimi, korrupsioni dhe trysnia e pushtetit të sotëm ndaj lirive të njeriut. “Kur mbushen gjashtë muaj nga tragjedia e Gërdecit dhe populli i tërë kërkon të dijë me padurim jo vetëm kush qëndron pas shpërthimit vrastar të 15 marsit të shkuar, por edhe si qëndron e vërteta e vdekjes së dëshmitarit kyç të Gërdecit, unë ju ftoj të takohemi për t’i dhënë një zë të vetëm në këto orë të vështira për Shqipërinë nevojës jetike të të gjitha familjeve shqiptare për siguri e drejtësi. Jo vetëm qytetarët e qytetaret që ne përfaqësojmë, por edhe çdo shqiptar e shqiptare që jeton dhe rrit fëmijë në këtë vend, kërkon prej nesh të flasim sot me një zë, për një Shqipëri ku asnjë njeri që respekton ligjin të mos ndjehet i pasigurt dhe ku ligji të veprojë njësoj për të gjithë. Duke besuar se ndajmë të njëjtat shqetësime e bindje për sa më lart, në emër të Partisë Socialiste dhe së bashku me kryetaren e Grupit Parlamentar socialist, jemi të gatshëm të diskutojmë e të bashkërendojmë me Ju qëndrime e veprime të përbashkëta për çështjet madhore të drejtësisë e të sigurisë në Shqipërinë e kërcënuar seriozisht nga krimi, korrupsioni dhe trysnia e pushtetit të sotëm mbi liritë e njeriut.
Për këtë arsye Ju ftoj Juve personalisht dhe kryetarin e grupit Tuaj parlamentar ditën e mërkurë, ora 12:00, në mjediset e hotel “Sheraton”, - thuhet në letrën që kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama i ka dërguar kryetarit të LSI-së, Ilir Meta. Gjithashtu mësohet se një letër të ngjashme, Rama u ka dërguar edhe krerëve të partive të tjera parlamentare të opozitës.
Protestat
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka paralajmëruar zhvillimin e një proteste masive kundër kryeministrit Berisha dhe përpjekjeve të tij për të penguar zbardhjen e të vërtetës së tragjedisë së Gërdecit dhe vdekjes së dëshmitarit kyç për trafikun e armëve në Shqipëri, Kosta Trebicka. Rama tha se 6 muaj pas tragjedisë që tronditi rëndë veten nuk është bërë asgjë për nxjerrjen në dritë të së vërtetës, sepse kjo gjë është penguar nga vetë kryeministri Berisha, i implikuar në këtë tragjedi. Kryetari i PS-së u shpreh se protesta që do të organizohet ditën e premte do të shprehë shqetësimin e qytetarëve shqiptarë për mungesën e drejtësisë dhe sigurisë gjatë qeverisjes së kryeministrit Sali Berisha. “Sot, gjashtë muaj nga tragjedia e Gërdecit, kur populli i tërë kërkon me padurim të dijë jo vetëm kush qëndron pas shpërthimit vrastar të 15 marsit të shkuar, po edhe se si qëndron e vërteta e vdekjes së dëshmitarit kyç të Gërdecit, ne ftojmë qytetarët të premten pasdite, për ta manifestuar me një zë të vetëm në këto orë të vështira për Shqipërinë nevojën jetike të të gjitha familjeve shqiptare për sigurinë e drejtësinë”, - deklaroi dje Rama gjatë një konference për shtyp.
16 Shtator 2008