E Shtunë, 31 Tetor 2026

Seks në grup me vajzën, 15 ditë burg autorëve



TIRANE - Gjykata e Tiranës caktoi dje masën e sigurisë "arrest me burg" me afat 15 ditë për tre të rinj të akuzuar për përdhunimin e një 15- vjeçareje në Marikaj të Tiranës. Referuar vendimit të gjykatës, A. Mara, 21 vjeç, E. Subashi, 20 vjeç dhe E. Dunga, 19 vjeç do të qëndrojnë rreth dy javë në qeli, për akuzën e "marrëdhënieve seksuale me dhunë me të mitur". Burime pranë seancës, bënë të ditur se të pandehurit nuk kanë paraqitur pretendime në sallë. Ndërsa mbrojtësit e tyre ligjorë kanë pretenduar se të pandehurit ditën e ngjarjes nuk kanë qenë në vendin ku kallëzuesja pretendon se ka ndodhur krimi. Avokatët janë shprehur para gjykatës se kallëzuesja 15- vjeçare, kishte kryer edhe në raste të mëparshme kallëzime të këtij lloji edhe ndaj personave të tjerë. Sipas avokatëve, këto kallëzime ishin tërhequr më pas, duke hedhur hije dyshimi për një "skemë" të së miturës. Avokatët i kërkuan Gjykatës një masë më të lehtë sigurie se "arresti me burg" për shkak se, sipas tyre, dyshimet e Prokurorisë nuk ishin të bazuara në prova. Ndërkohë që prokurori i çështjes ka kërkuar dje masën e sigurisë "arrest me burg" me afat 30 ditor. Sipas përfaqësuesit të akuzës, gjatë kësaj periudhe do të kryhen ekspertimet mjekësorë, për të vërtetuar nëse e mitura është dhunuar seksualisht. Pasi është njohur me pretendimet e palëve, gjykata vendosi lënien në qeli të tre të rinjve për 15 ditë. Tre të akuzuarit e kësaj dosjeje u arrestuan pak ditë më parë pas kallëzimit të babait të një 15-vjeçareje nga fshati Marikaj i Tiranës. Përpara oficerëve të policisë e mitura ka rrëfyer se ishte marrë me forcë nga tre djemtë në makinë dhe më pas është dhunuar seksualisht prej tyre, në një banesë të braktisur. ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›