Obama: Ja motivet pse një ligjvënës e refuzon një kandidaturë të sjellë nga presidenti

Kujtesë për dy ish-presidentët e fundit të Shqipërisë, si dhe për ndonjë mik të tyre
Vota kundër e senatorit demokrat të SHBA-ve Barak Obama ndaj një prej kandidatëve të propozuar asokohe (më 2004-n) nga Presidenti George W. Bush, për anëtar të Gjykatës së Lartë, tregon qartë sovranitetin e ligjvënësve për të shprehur pëlqimin ose jo, për çfarëdolloj propozimi. Për analogji, me rastin e rrëzimit nga Parlamenti të njërës prej 3 kandidaturave të Presidentit të Republikës për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, kujtojmë motivet që e shtynë presidentin Obama që të deklaronte votën e tij “kundër”, duke u bazuar - siç tha vetë ai - në tre elementë; filozofinë e gjyqtarit, ideologjinë dhe të kaluarën e tij.
Debati mbi vendimin e parlamentit për rrëzimin e një prej kandidaturave të Presidentit për Gjykatën e Lartë ishte në fokus të emisionit “LOG”, transmetuar të premten nga TVSH. Drejtuesi i emisionit, Artur Kopani solli në vëmendje të publikut, në edicionin e tij të përjavshëm, njërin prej fjalimeve më të mira të senatorit demokrat Barak Obama në senat, kur shpjegonte votën e tij kundër një prej kandidaturave për gjykatën supreme të propozuara nga Xhorxh Bush, presidenti i Amerikës në atë kohë. Senatori Obama është deklaruar atëhere shprehimisht se “siç e dimë të gjithë, ka shumë diskutime në një vend sesi Senati duhet të arrijë një qasje për të konfirmuar këtë proces”.
“Ka disa, të cilët besojnë se Presidenti, duke fituar zgjedhjet, duhet të ketë autoritet të plotë për të emëruar propozimin e vet, dhe Senati duhet vetëm të shqyrtojë kandidatët nëse janë apo jo të sistemit të Drejtësisë, nëse janë të aftë intelektualisht dhe njëherazi nëse janë të pëlqyer apo të pranueshëm. Kjo pasi të keni marrë anën e intelektit dhe të karakterit personal, nuk duhet të ketë pyetje të mëtejshme nëse gjyqtari duhet të konfirmohet. Unë e pranoj këtë pikëpamje. Unë besoj se Kushtetuta kërkon tek Senati këshillë dhe pëlqim. Unë besoj se ai kërkon këshilla të rëndësishme dhe pëlqimin, që përfshin një shqyrtim të filozofisë së gjyqtarit, ideologjisë, dhe të kaluarës së tij”, ka deklaruar në fjalimin e tij ish-senatori demokrat, Barak Obama, duke arsyetuar votën e tij kundër një kandidature të ardhura nga Shtëpia e Bardhë për në Gjykatën e Lartë të SHBA-së.
Kësisoj, Parlamenti si organ sovran ligjvënës ka të drejtë të rrëzojë kandidatura përkatëse të propozuara nga Presidenti i Republikës sipas pëlqimit të deputetëve. Në këtë aspekt, vota e ligjvënësve ka në themel 3 parime në kuadrin e miratimit; pikëpamjen filozofike, ideologjike dhe e kaluara e kandidatit përkatëse. Të tre këto të dhëna aprovojnë ose jo votën e ligjvënësve.