Rama vendos të kandidojë në zonën e Spiro Kolekës

Java e fundit e hartimit të listës së deputetëve po shoqërohet me panikun e Edi Ramës, i cili s’po guxon dot ta mbyllë një proces, i cili mund të sjellë varrin e tij politik. Megjithatë, ai ka vendosur të japë mesazhin personal të revanshit, duke kandiduar në Vlorë, si trashëgimtar i zonës elektorale të dajës së tij, famëkeqit Spiro Koleka. Pas këtij mesazhi vjen edhe rehabilitimi i të tjerë eksponentëve të vjetër e të rinj të bolshevizmës së shekullit 21, si Fatos Klosi në Fier, apo Anastas Angjeli e Erion Veliaj në Gjirokastër. Ky kurs revanshizmi mbetet të shihet se sa viktima do të shkaktojë në grupin aktual parlamentar të PS-së
Java e fundit e hartimit të listës së deputetëve po shoqërohet me panikun e Edi Ramës, i cili s’po guxon dot ta mbyllë një proces, i cili mund të sjellë varrin e tij politik. Pas turit të prezantimit të disa kandidatëve në Kukës, Lezhë, Peqin, Kavajë, e gjetkë..., Edi Rama e ndërpreu këtë “risi”, jo se i janë mbaruar kandidatët e tjerë të mundshëm për prezantim, por se reaksioni që ngjalli ky prezantim, i cili ndryshe lexohet edhe “prerje kokësh” në radhët e deputetëve aktualë, nuk mund të menaxhohet më prej tij.
Përballë përgjegjësisë së madhe të humbjes së zgjedhjeve të radhës, paniku bëhet edhe më i madh aq sa nuk e shpëton as të gjendurit për herë të parë “brenda tortës” së grupit të deputetëve..., sepse këtë vit ka vendosur të bëhet trim e të kandidojë edhe vetë.
Për aq sa e “ka ndarë mendjen” dhe është bërë trim, duke pranuar për herë të parë të kandidojë edhe vetë, Edi Rama nuk mund të lejojë të duket si i tillë, duke i mbushur vetes edhe të drejtën e thellimit të revanshit..., përballë “aseteve” të PS-së, kandidatë për deputetë, apo edhe kandidatë për tu flakur si deputetë.
Për këtë, ai ka vendosur të japë këtë mesazh personal, të revanshit, duke kandiduar në Vlorë. Zgjedhja e Vlorës, nuk është e rastësishme. Duke kandiduar në Vlorë, ai risjell në vëmendjen e “aseteve” të PS-së (dhe jo vetëm), se ai është një trashëgimtar i dajës, pse jo edhe i zonës elektorale të dajës së tij, famëkeqit Spiro Koleka.
Pas këtij mesazhi, me shumë gjasa, mesazh edhe për rehabilitimin e dajës së tij, prej Edi Ramës vjen edhe rehabilitimi i të tjerë eksponentëve të vjetër e të rinj të bolshevizmës së shekullit 21, që mund të mos kenë pasur ndonjë dajë, në nivelin e Spiro Kolekës, por që nuk i pengon të vetëshpallen edhe ata, si nipër të Spiro Kolekës.
Kush më mirë se Fatos Klosi në Fier, apo Anastas Angjeli e Erion Veliaj në Gjirokastër, plotësojnë kushtet e rehabilitimit, si eksponentë të vjetër e të rinj të bolshevizmës së shekullit 21.
Ky kurs revanshizmi ka edhe anën tjetër, që nuk mund të kontrollohet nga nipi gjenetik i dajës Spiro Koleka, apo edhe nga nipërit e vetëshapllur, të (shumëdëshiruarit) nga ana e tyre, për dajë Spiro Kolekën. Në kushtet e daljes nga kontrolli, të revanshit të bolshevikëve të vjetër e të rinj, mbetet të shihet se sa viktima do të shkaktojë në grupin aktual parlamentar të PS-së, deri kur do të arrijë reaksioni i kësaj kategorie..., por për më tepër mbetet të shihet kostoja e radhës, që do të paguajë Edi Rama, pas konfirmimit të humbjes së radhës në 23 qershor.