Ky qenka më karavidhe se Pandi, shkoi në Vlorë për të numëruar shtyllat

Reagimi i ministrit Sokol Olldashi ndaj deklaratës së kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama në Vlorë
Ministri i Punëve Publike dhe Transporteve, Sokol Olldashi reagoi dje në lidhje me deklaratat e Edi Ramës në Vlorë, i cili akuzoi Qeverinë për lënien mënjanë të infrastrukturës në zonat bregdetare. Përmes rrjetit social Facebook, Olldashi i është përgjigjur me batuta akuzave të Ramës, duke hequr paralele mes premtimit të Ramës për “autostradën e kaltër” dhe atyre të Pandeli Majkos, për tunelin detar për të lidhur Vlorën me Otranton. “I gjati me të shkurtrin udhëtuan sot drejt Vlorës ku i gjati llafosi prapë për rrugët. Fillimisht tha se kishte numëruar shtyllat. Por, Rama nuk na tha nëse këtë numër ka përfshirë edhe veten dhe Gjushin, apo jo! Pastaj molloisi për punë të kilometrave dhe tha se nuk janë 10 mijë, por një mijë dhe se Shqipëria nuk ka dhjetë mijë km rruge. Njeriu qe do te behet kryeministër duhet te dije se ne fakt vendi ka rreth 18 mije kilometra rruge, pra te shkoje ne Tokio, te haje dreke siç tha Rama, te kthehet dhe te shkoje prape për darke dhe, nëse Rama e bën këtë, mirë është të mos kthehet hiç.
Por, çudinë e madhe Rama e bëri gjetkë. Premtoi se do të ndërtojë një autostradë të kaltër, në det, nga Mali i Zi në Greqi. Ky ia kaloi edhe Pandi Majkos per guxim, nese është guxim dhe jo gjë tjetër... Pandi tha dikur se do ndërtonte një tunel detar për te lidhur Vlorën me Otranton, ky do ndërtojë një autostrade detare gjashtë herë më të gjatë
se tuneli i Majkos. E kuptoni që ky është me karavidhë se Pandi i shkretë!”- tha ai.
Gjithashtu, ministri Olldashi e ftoi Ramën që të vizitojë ndërtimin e tunelit të Krrabës, pjesë e autostradës që lidh Tiranën me Elbasanin dhe të shohë ritmet sesi punohet. “Pastaj tha se nuk kishte parë njeri duke punuar. Por, Ramës i ka dalë nga mendja se sot është e shtunë dhe dynjaja e ka pushim. Ka vetëm një kantier ne Shqipëri ku punohet edhe të shtunën, autostrada Tiranë-Elbasan. Zahmet e ka zoti Rama, le t’i bjerë andej në kthim dhe të shohë si punohet. Ne mos, duhet të presë të hënën”.