E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama vijon bisedimet për Presidentin, pas Metës takon Idrizin

TIRANE - Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama vijon turin e takimeve me krerët e partive parlamentare që i janë përgjigjur ftesës së tij publike; për të diskutuar në lidhje me zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të vendit.

Pas takimit me ish-aleatin e tij Ilir Meta, kryesocialsti Rama po zhvillon një takim me kryetarin e PDIU-së Shpëtim Idrizi.

Ashtu sikurse takimi me Metën, edhe takimi Rama-Idrizi po zhvillohet në ambientet e ‘Hotel Sheraton’ në kryeqytet, në praninë edhe të kreut të grupit kuvendor socliast Gramoz Ruçi.

Pas takimit pritet edhe një prononcim për mediat. 

Rama-Meta: Takimi ishte konstruktiv
Një ditë më parë dy ish-miqtë e vjetër, kreu i PS-së, Edi Rama dhe ai i LSI-së, Ilir Meta u ritakuan, pas rreth 4 vitesh mëri mes njëri-tjetrit. 

Më në fund interesi për integrimin e vendit, siç deklaruan ata, dhe zgjedhja e një presidenti konsensual ka bërë që të takohen, duke lënë mënjanë grindjet e paszgjedhjeve të vitit 2007. Biseda në fakt nuk ka zgjatur shumë, afërsisht 50 minuta, ndërkohë që për mediat, kreu socialist Rama tha : “Ne s’mund të predikojmë proces, nuk mund të predikojmë dakordësi, nuk mund të predikojmë një konsensus të nevojshëm dhe të domosdoshëm sot për vendin duke qëndruar në llogoren tonë dhe duke bërë sehir llogoren e qeverisë. Kështu që, është koha për të komunikuar me të gjithë”.

I pyetur nga media rreth bisedës që ai i shoqëruar nga Gramoz Ruçi, dhe Meta i shoqëruar nga Petrit Vasili zhvilluan në hotel “Sheraton”, Rama tha se: “Shqipërisë i duhet sot, një President, i cili të garantojë në radhë të parë kapërcimin e kësaj prove jashtëzakonisht të rëndësishme për të marrë statusin e kandidatit”. “Ne do të bëjmë gjithçka kemi në dorë duke vënë në dispozicion të gjitha energjitë tona, pikërisht në emër të kësaj kërkese që është e gjithanshme”, - deklaroi Rama.

Nga ana e tij, kreu i LSI-së, Ilir Meta theksoi se: “Ishte një takim konstruktiv dhe ne shpresojmë që ky dialog të vijojë me intensitet nëpërmjet të gjithë aktorëve parlamentarë”. “Unë e kam theksuar edhe më parë, që është shumë i rëndësishëm edhe një takim i nivelit më të lartë midis drejtuesve të PS-së dhe të PD-së por është e rëndësishme edhe një përfshirje e të gjithë aktorëve sepse kemi të bëjmë me përmbushjen e një aspirate mbarëkombëtare”, - deklaroi Meta. 

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera ‘Presidenti’, Idrizi: Do jetë i mazhorancës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›