Rama viziton Kosovën, takim me Thaçin dhe liderët politikë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i shoqëruar dhe nga një pjesë e kabinetit të tij qeveritar nisi vizitën zyrtare në Kosovë.
Ai është pritur nga homologu i tij, Hashim Thaçi me një ceremoni shtetërore në sheshin Skënderbe në Prishtinë. Ndërsa, Kuvendi i Kosovës, me rastin e vizitës së kryeministrit Rama do të mbajë një seancë soleme.
Pas pritjes shtetërore, është mbajtur takimi bilateral i delegacioneve të Qeverisë së Kosovës dhe atij të Shqipërisë, ndërsa më pas të dy kryeministrat do të japin edhe një konferencë të përbashkët për shtyp.
Gjithashtu Rama do të pritet edhe nga presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi. Ndërsa në orën 12:00, Rama do të mbajë një fjalim në Kuvendin e Kosovës.
Mësohet se bashkëpunimi mes dy vendeve e projektet e përbashkëta, do të jetë dhe objekti i bisedës në këtë takim.
Kjo është vizita e parë e Edi Ramës si kryeministër në Kosovë, ndërsa të hënën Edi Rama do të vijojë me një vizitë zyrtare në Bruksel.
Rama në Facebook
Kryeministri Rama nuk ka hezituar të jap edhe emocionet që ka për vizitën e parë jashtë vendit si kryeministër.
Për Kosovë! Me emocion të posaçëm për vizitën e parë si kryeministër – me përgjegjësinë e madhe të fjalës para Kuvendit të Kosovës në 12.00, ka shkruar Rama në Facebook.