Gjykatësit braktisin sallën: Berluskoni, mjaft na ofendove
Italia
Një numër i konsiderueshëm gjykatësish italianë kanë lënë sallat e gjyqit në shenjë proteste ndaj reformave në drejtësi që tenton të ndërmarrë Kryeministri i vendit, Berluskoni. Sipas tyre, bëhet fjalë për reforma shkatërrimtare. Ata kanë braktisur ceremonitë që u organizuan për të shënuar fillimin e vitit të ri juridik, sapo në podium janë shfaqur përfaqësuesit e qeverisë. Ata janë shprehur se u kanë ardhur në majë të hundës kërcënimet e vazhdueshme që u bën Kryeministri. Berluskoni, i cili ka dy çështje të hapura në gjykatë, njëra për korrupsion, është shprehur se gjykatësit janë “komunistë” që po përpiqen që ta rrënojnë dhe ta largojnë nga pushteti përmes sistemit ligjor. Parlamenti italian i dominuar nga mbështetësit e Berluskonit, po analizon aktualisht një legjislacion të ri, në të cilin përfshihen nene që kanë të bëjnë me shkurtimin e kohëzgjatjes së çështjeve ligjore. Kundërshtarët e kësaj përpjekjeje të re ligjore thonë se një legjislacion i tillë ka për qëllim mbylljen e gjyqeve të hapura ndaj Berluskonit, por sigurisht që Kryeministri e mohon një gjë të tillë. Në qytete të tilla si Palermo, Napoli dhe Milano, gjykatësit kanë dalë në mënyrë të organizuar nga ceremoni të tilla në momentin që në tribunë kanë dalë përfaqësuesit e qeverisë. Ata janë kthyer vetëm pasi këta e kanë përfunduar fjalimin. Vetëm në Romë kanë ndërmarrë një veprim të tillë rreth 50 gjykatës dhe prokurorë. Berluskoni në fakt gjatë gjithë këtyre muajve qëkur i janë çelur proceset gjyqësore i ka anatemuar në mënyra nga më fyeset gjyqtarët duke i cilësuar: kancer, skuadra pushkatimi, metastaza, komunistë. Gjyqtarët kanë deklaruar duke argumentuar veprimin e tyre se nuk duan që të bëhen më objektiva të sharjeve e fyerjeve të tilla nga ana e Kryeministrit. Gjyqet kundër Berluskonit kanë rifilluar këtë muaj pas rikthimit në fuqi të ligjit që i heq atij imunitetin. Ai është akuzuar për korrupsion dhe për mospagim taksash.
#