Rama zbulon planin belg: Si do ta bëja sheshin Skënderbej

POSTERI I SHTEPISE BOTUESE DUDAJ PER LIBRIN KURBAN (MAJTAS) KREU I PS, EDI RAMA
Në publikimin e tretë të librit të tij, Rama i përkushtohet Tiranës dhe qendrës së saj. Për herë të parë qëkur u zhvillua konkursi dhe është miratuar projekti i sheshit të Tiranës, kreu i PS shpreh gjithë konceptin e tij për këtë projekt të madh. Ish-kreu i Bashkisë së Tiranës zbardh idenë e projektuesve, të studios belge të projektimit 51N4E për të përfshirë në sheshin e ri të Tiranës pjesë nga gurët e Shqipërisë, por dhe të rikonceptimit të Pazarit të Vjetër të Tiranës. Kryesocialisti bën një përballje mes gjendjes në të cilën ndodhen aktualisht Muzeu Historik, Pallati i Kulturës, Teatri i Kukullave dhe idesë së tij dhe projektit belg se si duhet të ishin këto institucione dhe ambientet përreth tyre, se si do ti kthehej shkëlqimi Pallatit të Kulturës për kulturën, Teatrit të Kukullave, por dhe pjesës poshtë monumentit të Skënderbeut. Rama ironizon me figura artistike të gjitha ndërhyrjet që kanë ndodhur në disa nga institucionet simbol të historisë së kryeqytetit shqiptar, si Lidhja e Shkrimtarëve, Shtëpia e Oficerëve apo dhe Shtëpia e Ministrisë së Brendshme, duke akuzuar për ndërhyrje pa kriter ish-ministrin socialist Spartak Poçi dhe ish-ministrin demokrat të Kulturës, Ylli Pango, që sipas tij, vetëm kanë shkatërruar arkitekturën e këtyre ndërtesave.
… Tirana do të kishte një nga qendrat më të bukura në Europë. Të kuptohemi këtu, ndër më të bukurat për nga autenticiteti i saj dhe eklektizmi estetik i grumbullimit të godinave të qendrës që janë një dëshmi unikale e fazave historike të ndërtimit të një shteti, gjë që se gjen askund tjetër me larushinë që formëson kufijtë e sheshit Skënderbej, të cilët u kuadratuan mrekullisht prej arkitektëve belgë të studios 51N4E në pragjet e një katrori tredimensional, ku pika qendrore është edhe kulmi i një piramide të ulët në lartësinë e njeriut që bëhet qendra e gravitetit të hapësirës së dikurshme totalitare të marshimeve pushtuese, paradave çlirimtare, protestave zhurmuese, lutjeve lehtësuese e rrëmujës së përditshme stresuese.
Ajo hapësirë u dorëzohet e gjitha qytetarëve, tribuna e ngritur në kohën sovjetike për ofiqarët vendas e dinjitarët e huaj që i drejtoheshin turmës së Njeriut të Ri, zhduket e ia lë vendin një të përpjete të butë që lidh për njerëzit e zakonshëm sheshin pedonal me anën tjetër të Pallatit të Kulturës, barku i të cilit hapet për tu kthyer në një foyer publik, ku këmbësorët venë e vijnë mes hapësirës së paanë të shëtitjes, takimeve, argëtimit të fëmijëve, uljeve në bar e mbi gurë rrotull Skënderbeut si në pjerrësitë e kalldrëmta të shumë shesheve europiane dhe hapësira tregtare të dyqaneve, restoranteve, librarive, zyrave, agjencive, kinkalerive, kafeneve, kinemave, që plani francez i parasheh si ringjallje bashkëkohore e Pazarit të Vjetër në sipërfaqen e gropës së mbuluar të Hajdinit. Piramida e ulur në bojën e njeriut i jep sheshit Skënderbej një jehonë historie, duke ruajtur një lidhje konceptuale me të shkuarën që integron e rivlerëson të gjitha godinat e vjetra përreth, por njëkohësisht e ripërmason në dimensione, duke shmangur boshin monoton të rrafshinës së sotme e krijuar kushte optimale për një shikim që në asnjë pikë sështë njësoj, variacion urbanistikisht gjenial që pasurohet me kalldrëmin e shtruar në shesh mozaik gurësh nga të gjitha zonat e Shqipërisë e trevat ku jetojnë shqiptarë, me sistemin e nëndheshëm të ujit të shiut që mblidhet në një rezervuar nën tokë e pastaj shtrihet në rrjetin intensiv të tubacioneve prej kah uji del për të vetëlarë sheshin, duke u derdhur nëpër të katër tatëpjetat e buta të tij, ose për të kërcyer lart duke krijuar shatërvan lodrues në lartësira të orkestruara sipas dëshirës e nevojave të rastit nga dora e njeriut. Të gjitha rrugët hyrëse në sheshin Skënderbej mbushen nga pishat e larta të llojit ekzistues në bulevardin Dëshmorët e Kombit, që hijeshojnë me një kurorë të gjelbër hapësirën e madhe kuadratike dhe hijezojnë zonat hapësirat kufitare mes godinave që shohin nga sheshi, duke krijuar një mikroklimë të re, pastruar dhe freskuar ajrin e ngrohtë që ngrihet lart nën shtysën e ujërave, ndërsa vetë godinat riprogramohen duke nisur nga Pallati i Kulturës ku sot i vetmi oazë jete me dalje në shesh ka mbetur Teatri i Operas. Pallati i Kulturës, nisur me gurin e themelit të vënë nga Nikita Hrushovi, nën buzagazin vesh më vesh të shokut Enver Hoxha e hosanatë e turmës së ekzaltuar prej pranisë së Vëllait të Madh ardhur nga Moska, ruhet në dukjen e tij si paja e madhe e martesës shtetërore të kohës së Perandorisë Komuniste, por u afrohet qytetarëve si një hapësirë e rifituar aktivitetesh publike e kulturore, kollonada e lartë riorganizohet si hapësirë publike, ndriçohet së brendshmi për tu dhënë natën mundësi njerëzve ta jetojnë riprogramimin e saj dhe, nga ana tjetër, për ta vizituar së jashtmi të gjithë fasadën e gjatë me një siluetë të errët vertikalesh ritmike që i bëhet perde sheshit Skënderbej.
Muzeu i vjetër Historik, që lëngon si gërdallë barkzbrazur, gjynah e turp pas njëzet vjetësh nga rënia e komunizmit dhe Realizmit Socialist, ku hyjnë e dalin veç materiale e arna të një pavijoni të shëmtuar të gjoja antikomunizmit, që në fakt ngjan si dy pika ujë me pavijonet e propagandës komuniste për nga qasja hagjiografike ndaj historisë e për nga estetika vulgare e totalitarizmit, e ku mbahen në një sallë të veshur me dërrasat e modës së fundit të kombinatit të vdekur të drurit Misto Mame ca simpoziume e konferenca të mekura shkencore, përkujtimore, mortore që flasin vetë për degradimin e jetës kulturore në një batak përshpirtjesh të mbytura, riprogramohet si një hapësirë e gjallë e trashëgimisë kulturore e historike, integruar me pjesë të jetës kulturore bashkëkohore, duke u pastruar tërësisht nga hagjiografizmi e nga reliktet, fotografitë e skenografitë qesharake, të vjetra e të reja, që e kanë kthyer në një panair banal kthinash, kioskash e hapësirash pa asnjë vlerë, kuptim e lidhje, dhe duke u riorganizuar për të ndërtuar një udhëtim jetësor nga shtresa e parë e objekteve origjinale arkeologjike në hyrje, te zona më e madhe në Shqipëri e tregtimit të librit shqip në mjedisin e katit të fundit, ku shkohet duke kaluar me një rend të studiuar mirë përmes shëmbëlltyrave më të vyera të kulturës etnografike, veprave më përfaqësuese të artit bizantin, një koleksion permanent origjinalesh të Realizmit Socialist, kombinuar me dëshmi autentike të terrorit totalitar, të ndërthurura me dhoma projeksionesh filmime, burime të aksesueshme për publikun të informacionit të thelluar dixhital, pika shitje të botimeve e suvenireve nga udhëtimi brenda muzeut, kënde relaksi e bare të vogla, një sallë konferencash moderne dhe po ashtu një mjedis ekspozitash të përkohshme, si dhe një bibliotekë dixhitale e gjithçka gjendet e shkruar në gjuhën shqipe, së bashku me një restorant shik ushqimesh tradicionale. Kështu, hiri i zymtë deprimues që ndërhyn brenda vetes ajo godinë kthehet në një vlerë të shtuar për kryeqytetin e në një aksesor të lëmuar të sheshit Skënderbej ku qytetarët, familjarët, fëmijët, të moshuarit, vizitorët, turistët mund të kalojnë orë mundësish të larmishme e jo vetëm të konsumojnë bukurinë dhe qetësinë pa makina të katrorit të bukur kurrizkalldrëmtë.
Pa harruar zonën ekskluzive të fëmijëve që projekti parashikon para Teatrit të Kukullave, katandisur sot në një shëmbëlltyrë të turpeve të bëra në këtë vend me objektet e trashëgimisë kulturore, shtuar me tulla e llaç mbi çatinë e sojme që është prerë pas qafe nga një volum i dalë si depo drithi dhe kioskëzuar me zyra kambizmi e kuzhina qofte