Topi: Politika të gjejë gjuhën e bashkëpunimit

Topi me kryeministrin Berisha dhe kryetaren e Kuvendit, Topalli
Presidenti Bamir Topi i bën thirrje klasës politike të gjejë gjuhën e përbashkët në interes të qytetarëve. Në ditën e dytë të turit në Jug të vendit, kreu i shtetit ishte në Xarë dhe Konispol ku u takua me banorët vendës. Ju i keni mundësitë të rritni standardet, prandaj jeni ju, dhe unë në këtë rast po bëhem dhe interpret i zërit tuaj, që politika të gjejë gjuhën e komunikimit në radhë të parë në funksion të interesave të vendit, në interes të banorëve të thjeshtë kudo ata jetojnë. Unë jam i bindur që ky është një zë, që duhet të dëgjohet nga gjithsekush, që gjuha e harmonisë, gjuha e komunikimit, gjuha që sot përdor çdo vend i Bashkimit Europian, të jetë ajo gjuhë që duhet ta përdorim edhe ne, u shpreh kreu i shtetit në Konispol. Sipas tij, politika është përgjegjëse për refuzimin e statusit të vendit kandidat nga Bashkimi Europian. Ne jemi gjithmonë të shqetësuar që politika, në mjaft raste jo shumë bashkëpunuese, ka bërë atë që Bashkimi Europian të vonojë përgjigjen pozitive për të marrë statusin e vendit kandidat. Këtu nuk po bëj një bisedë thjesht për politikën dhe për të bërë politikë, por për atë që ne ndiejmë si nevojë kudo, qofshin ata që banojnë në Tiranë, qofshin banorët e Konispolit dhe sidomos këtu, sepse, duke u anëtarësuar ne në Bashkimin Europian, rritet ndjeshëm numri i projekteve dhe financimet për projekte që janë në radhë të parë për zonat ndërkufitare, theksoi më tej Topi.