Berisha: PS kërkon të më kufizojë kohën, Ruçi: Duam të mos jesh zëri i vetëm
Kreu i qeverisë ka akuzuar opozitën se po përpiqet të bllokojë integrimin e vendit, duke mos bashkëpunuar për realizimin e reformave. Duke folur në seancën e sotme parlamentare, Berisha u shpreh se lidershipi i PS-së nuk pranon të bëhet pjesë e marrëveshjes, një traditë kjo që ndiqet prej vitit 2008.
Në traditën kristalizuar pas 2008, lidershipi i PS-së merr përsipër të grisë çdo marrëveshje. Kjo nuk na befason. PS-ja po bën gjithçka për të bllokuar integrimin. Ne nuk ju lutemi, tentuat ta bllokoni duke lënë bosh sallën e Kuvendit, duke bllokuar sheshe dhe godina. Nëse doni të ecim bashkarisht mirë, nëse nuk doni, 2013 vjen dhe shqiptarët do t`ju japin përgjigjen e duhur, tha Berisha.
Ai u shpreh se në kërkesën e saj për ndryshimet në rregulloren e Parlamentit, opozita synon kufizimin e kohës së fjalës së kryeministrit.
Lidershipi socialist rreshtoi dhjetëra kërkesa për rregulloren e Parlamentit. Qëndrimi ynë ishte se ne pranojmë të shqyrtojmë rregulloren duke adaptuar nen për nen një rregullore me model si ajo e Parlamentit Europian. Pas refuzimit për një kohë të caktuar, më në fund opozita e pranoi. Votoi këtu një vendim Parlamenti, po cili është qëndrimi mbrapa. Akti i parë i tyre është shkelja e marrëveshjes, kërkojnë që kryeministrit t’i kufizohet koha, që të mos marrë fjalën sa herë ia njeh ligji. Kjo është shkelje e hapur e Kushtetutës. Duan që kryeministri të jetë i barabartë me kryetarin e minorancës, tha Berisha.
Ndërsa kreu i grupit parlamentar socialist, në reagimin e tij u shpreh se kërkesat e PS për ndryshimet në rregulloren e Parlamentit nuk kanë për qëllim kufizimin e kohës së tij, por synojnë që ai të mos kthehet në zërin e vetëm të këtij institucioni.
Nuk kërkojmë kufizimin e kohës së kryeministrit. Kërkesa jonë është që kryeministri të mos jetë zëri i vetëm i Parlamentit, që opozita ti përgjigjet kryeministrit. Në cilin parlament të botës bëhet kjo që doni ju? Ju keni tmerr, prandaj nuk bëni ndryshime në Kodin Elektoral, keni frikë të dënoni komisionerët që janë në KQZ e që manipulojnë zgjedhjet, tha Ruçi.
Reforma zgjedhore, Patozi: Nuk pranojmë tekat e Ramës. Ruçi: Janë rekomandimet e ODIHR-it
Seanca e sotme në Kuvendin e Shqipërisë është hapur më një minutë zi në nderim të komandos Feti Vogli, i vrarë në Afganistan 3 ditë më parë.
Më pas, seanca ka kaluar në rendin e ditës, ku e ka marrë fjalën kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi.
Ai komentoi deklaratën e kreut të selisë rozë, Edi Rama, të bërë një ditë më parë në lidhje me reformën zgjedhore.
Patozi u shpreh se deklarata e Ramës është nisja e një bojkoti të ri nga ana e opozitës. Sipas tij, opozita po përpiqet të minojë bashkëpunimin, ndërsa maxhoranca nuk mund të pranojë tekat e saj.
PD i qëndron marrëveshjes së nëntorit, por nuk mund të pranojmë tekat e Ramës, tha Patozi.
Ndërsa kreu i socialistëve, Gramoz Ruçi, në replikën e tij u shpreh se mungon vullneti i maxhorancës për disa pika, të cilat nuk janë kërkesa të opozitës, por të rekomandimet e përfshira në raportin e ODIHR-it.
Reforma zgjedhore është në fundin e kohës së miratuar në Parlamet. Mungon vullneti politik jo për tekat e opozitës, por për përmbushjen e rekomandimeve që kërkon raporti i ODIHR-it.
Puna ka ngecur në 5 pika që nuk janë kërkesa të opozitës: listat e zgjedhësve, kartat e identitetit, numërimi, KQZ-ja dhe Kolegji Zgjedhor.
Ju nuk jeni dakord me kërkesat e ODIHR-it, jo me tekat e opozitës, tha Ruçi. / G. Ndoja
