E Diel, 1 Nëntor 2026

Ramadani: Do të shikojmë nga Tirana për euro-integriminNga Vullnet Poshka, RFE“Nëse vazhdon konflikti për emrin, marrja e pasaportave të Shqipërisë do të jetë një nga rrugët”, - thotë Ismet Ramadani, nënkryetar i Këshillit Veri-atlantik Zoti

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Ramadani: Do të shikojmë nga Tirana për euro-integriminNga Vullnet Poshka, RFE

“Nëse vazhdon konflikti për emrin, marrja e pasaportave të Shqipërisë do të jetë një nga rrugët”, - thotë Ismet Ramadani, nënkryetar i Këshillit Veri-atlantik

Zoti Ramadani, si do t’i shpjegonit zhvillimet e fundit rreth kontestit të emrit të Maqedonisë?

Fatkeqësisht, po afrohet koha, kur duhet vendosur, ose të zgjidhet problemi i emrit, ose pas 7 dhjetorit, pas takimit të Këshillit ministror të Bashkimit Evropian, do të kemi një situatë jashtëzakonisht të rëndë në Republikën e Maqedonisë.

Mirëpo e keqja është në atë se kryeministri, qeveria nuk po e marrin seriozisht ose po e marrin aq seriozisht çështjen e zgjidhjes së problemit të emrit, sa për të treguar edhe më tutje një kokëfortësi ose një qëndrim, i cili nuk ofron zgjidhje.

Prandaj mendoj se duhet bërë shumë më tepër në kuptimin e asaj që do të thotë kompromis për të kaluar pragun, për të marrë datën e bisedimeve dhe përfundimisht Republika e Maqedonisë të hyjë në kornizën, të thuash, të Bashkimit Evropian, për të marrë një ditë statusin edhe të anëtarit të plotë të Bashkimit Evropian.

Mirëpo, fatkeqësisht, njëherë nuk kemi sinjale të mira edhe krahas përkrahjes, që mund t’i quajmë edhe presionet diplomatike nga shtete dhe qendra të vendosjes. Kjo nuk po ndodh fatkeqësisht.

Ditë më parë, kryeministri Gruevski paralajmëroi se çështja e emrit do të zgjidhet me referendum, me gjithë paralajmërimet nga Bashkimi Evropian sidomos, se kjo nuk do të ishte mirë për vendin dhe për stabilitetin e vendit...

Po, duhet kuptuar se edhe rekomandimi nga Komisioni Evropian për të filluar bisedimet - respektivisht u dha një raport pozitiv për Republikën e Maqedonisë - duhej të nënkuptonte se Republika e Maqedonisë, respektivisht qeveria, duhet të inkurajohet që ta zgjidhë problemin e emrit.

Këto manovrime me referendumin, edhe pse në formë të deklarimeve, një kohë të gjatë i kemi dëgjuar nga kryeministri, nga qeveria. Por, asnjëherë nuk ka pasur përgatitje minimale për t’u mbajtur një referendum.

Sipas Kushtetutës, duhet të shpallet referendumi 60 ditë përpara dhe të bëhen përgatitje, respektivisht 90 ditë. Përgatitje nuk ka.

Deklarimi se vetëm me referendum mund të vendoset zgjidhja e problemit të emrit, është një deklaratë që asnjëherë nuk ka marrë kahe, ecje konkrete. Kjo na bën të mendojmë se nuk është duke u marrë me seriozitet.

Problemi duhet ta kuptojmë se është i rëndë, por duhet të zgjidhet, duhet të merret vendim. Prandaj duhet të respektohen sugjerimet që vijnë nga Bashkimi Evropian, nga SHBA dhe sugjerimet që vijnë edhe nga vetë brendia e shtetit të Maqedonisë, sidomos nga intelektualë, publicistë dhe njerëz, që megjithatë e dinë se ç’do të thotë porosia diplomatike.

Ditë më parë kishte edhe një deklaratë nga përfaqësuesi i një partie në pushtet, se shqiptarët do të hyjnë në Bashkimin Evropian dhe në NATO me ose pa Maqedoninë. Si e komentoni këtë?

Po, kjo ishte një deklaratë e nënkryetarit të parlamentit, respektivisht përfaqësuesit të Bashkimit Demokratik për Integrim, që njëherësh është edhe pjesë e qeverisë. Mua më duket se nuk u kuptua sa duhet mirë kjo deklaratë.

Nuk ishte ndonjë deklaratë kërcënimi, por ishte një deklaratë, e cila në një kuptim tregon se, në qoftë se pjesa maqedonase qeveritare edhe më tutje mbetet me këmbëngulësi dhe kokëfortësi në mosgjetjen e kompromisit, atëherë përfaqësuesit e partive politike shqiptare, respektivisht shqiptarët me përfaqësuesit e tyre do të kërkojnë rrugë të tjera.

Cila është ajo rrugë?

Të themi, do të fillojnë të kërkojnë, të marrim shembull, pasaportat e Shqipërisë, e cila është në NATO. Domethënë, mund të kërkojnë nënshtetësi që të jenë sa më afër NATO-s.

Pastaj, e njëjta gjë ndodh edhe me vetë maqedonasit si qytetarë ose si popull. Edhe ata do ta shpejtojnë atë intensitet të marrjes së pasaportave të Bullgarisë, për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian, respektivisht NATO-s.

Kur i kemi këto parasysh, unë mendoj se kjo deklaratë duhet të merret me seriozitetin më të madh, në kuptimin e asaj se duhet të bëjë pak më shumë qeveria, që të gjendet një kompromis, sepse, megjithatë, për disa çështje që kanë të bëjnë me euro-integrime ose integrime euroatlantike, nuk duhet të shihet vetëm disponimi ose pozicioni i palës maqedonase, sepse shqiptarët janë faktorë, të cilët duhen respektuar, qofshin në aspektin politik, qofshin në aspektin e një subjekti, si numër i popullsisë e kështu me radhë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›