E Diel, 1 Nëntor 2026

Tahiri: Prokuroria të veprojë për dosjet e Bashës, Olldashit e MediutNga TemaPartia Socialiste i kërkoi dje prokurorisë që të nisë një hetim në ngarkim të ministrit aktual të Transporteve, Sokol Olldashi, ish-ministrit të këtij dikasteri, aktualisht

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Tahiri: Prokuroria të veprojë për dosjet e Bashës, Olldashit e MediutNga Tema

Partia Socialiste i kërkoi dje prokurorisë që të nisë një hetim në ngarkim të ministrit aktual të Transporteve, Sokol Olldashi, ish-ministrit të këtij dikasteri, aktualisht ministër i Brendshëm, Lulzim Basha, si dhe ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, aktualisht ministër i Mjedisit, Fatmir Mediu, në lidhje me akuzat për korrupsion ndaj tyre. Deputeti socialist Saimir Tahiri tha dje se, dy qeveritarët e parë duhet të hetohen për shembjen e tunelit në Kalimash, incident i cili, sipas PS, ndodhi për shkak të abuzimeve nëpërmjet korrupsionit qeveritar, por edhe për shkak të shfrytëzimit elektoral të rrugës Durrës-Kukës nga ana e kryeministrit Berisha. “Skandalet e ndjekin pas Sali Berishën, familjen e tij dhe shërbëtorët e familjes në qeveri, të cilët me qëllimin kriminal për të mbushur xhepat e llogaritë familjare, janë kthyer në burimin kryesor të korrupsionit elitar në vend. Sali Berisha dhe familja e tij, jo vetëm po bëjnë çmos për të vjedhur gjithçka ka mbetur në këtë vend, por njëkohësisht po bëjnë çmos për të ndaluar ndëshkimin e atyre që tashmë janë të akuzuar të publikut e të organeve të drejtësisë për korrupsion qeveritar. Këta të akuzuar janë në shtëpinë e Sali Berishës, në Familjen e tij, në zyrën e tij, në qeverinë e tij. Është kjo arsyeja pse Sali Berisha është i akuzuari kryesor e njëkohësisht protektori kryesor i sekserëve korruptivë të Familjes së tij. Shembja e Tunelit të Kalimashit në Rrugën e Kombit e njëkohësisht korrupsionin më të madh të Familjes, është skandali më i fundit që rëndon mbi këtë qeveri, po aq sa rëndon edhe kosto e shtuar që duhet të paguajnë qytetarët për ndreqjen e saj, vetëm sepse Sali Berisha dhe shërbëtorët e tij vendosën të abuzonin me detyrën publike për të kataloguar një tjetër inaugurim elektoral. Partia Socialiste i bën thirrje Prokurorisë të rihapë menjëherë dosjen Durrës-Kukës, të kërkojë heqjen e imunitetit e të marrë para përgjegjësisë penale shtetasit Lulzim Basha e Sokol Olldashi për korrupsionin gjoja patriotik të kësaj rruge, si dhe të nisë hetimet e menjëhershme për shembjen e tunelit të Thirrës duke nxjerrë përgjegjësitë përkatëse”, - tha Tahiri.

Deputeti socialist Saimir Tahiri tha dje se prokuroria duhet të reagojë edhe ndaj Fatmir Mediut që “hodhi në erë një qytezë të tërë duke lënë pas 26 viktima të pafajshme e miliona euro dëm”.

“I bëjmë thirrje Prokurorisë të ri-kërkojë menjëherë heqjen e imunitetit për shtetasin Fatmir Mediu, për tragjedinë njerëzore e materiale të Gërdecit. Zbatimi i ligjit dhe ndëshkimi i të akuzuarve për korrupsionin e përhapur pasivisht, nuk mund t’i lihet në dorë Sali Berishës, njeriut të gjunjëzuar nga kapja korruptive e familjes e qeverisë. Kultura e pandëshkueshmërisë së korrupsionit elitar që fshihet pas imunitetit qeveritar e familjar nuk mund të mbizotërojë mbi ligjin, e duhet të marrë fund menjëherë. Ka ardhur ora që institucionet përgjegjëse, në radhë të parë prokuroria, të vihen në lëvizje menjëherë për të nxjerrë para drejtësisë ata që sot fshihen pas imunitetit e karrigeve ministrore.”

Deputetët socialistë nuk lënë pa përmendur gjithashtu biznesmenin serbo-boshnjak, Damir Fazlliç, i cili cilësohet nga opozita si një ndër përfituesit e korrupsionit qeveritar. “Sekseri serb, Damir Fazlliç, vjen në Shqipëri për të vjedhur paratë e shqiptarëve nga shtëpia e Sali Berishës dhe studio ligjore e vajzës së tij, dhe sot vazhdon ende të vjedhë falë bekimit dhe mbrojtjes shtetërore të kujdestarit të tij kryeministër, ndërkohë që duhet të ishte para organeve të drejtësisë. Rruga e Kombit, falë babëzisë korruptive të Sali Berishës dhe shërbëtorëve të tij në qeveri, tashmë e konsideruar korrupsioni patriotik i Familjes së kryeministrit, ka degraduar në korrupsion masiv, duke i vjedhur xhepave të shqiptarëve më shumë se 250 milionë euro. Tuneli i Kalimashit është shembur dhe askush nga qeveria nuk merr guximin t’u shpjegojë shqiptarëve të vërtetën e kësaj shembjeje. Mos vallë qeveria këmbënguli për të hapur doemos tunelin përpara fushatës elektorale duke vënë në rrezik jetën e qytetarëve? Sa është kosto financiare që do shtohet për shkak të kësaj shembjeje? Cilët janë përgjegjësit? Lulzim Basha duhet të ishte përpara drejtësisë për vjedhjen e miliona eurove të faktuara në investimin e kësaj rruge, ndërkohë që vazhdon të krekoset në karrigen e ministrit të Brendshëm. Po kështu, Sokol Olldashi meriton të vihet përpara përgjegjësisë ligjore njëlloj si kolegu i tij. Pas deputetëve të PS, është radha e Prokurorisë të shkojë në tunelin e Thirrës, të mbledhë faktet, të hetojë ngjarjen e të nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit kryesorë. Dosjet skandaloze të korrupsionit galopant të kësaj qeverie nuk mund të arkivohen në sirtarët e Prokurorisë”, - tha Tahiri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›