E Diel, 1 Nëntor 2026

I vdiq vajza në operacion, babai: S`na dhanë ambulancë për trupin

 

TIRANE - Babai i Matilda Petritit, vajzës 17-vjeçare që vdiq një vit më parë nga hemorragjia pas një operacioni të bajameve dëshmoi dje në procesin me të pandehur mjekun që kreu operacionin. Tejet i tronditur, Besim Petriti tregoi në Gjykatën e Tiranës në rrjedhë kronologjike momentet nga kryerja e operacionit, në komplikacionet e lindura më pas dhe deri në vdekjen e vajzës së tij. Sipas dëshmitarit, në 6 prill 2008 vajza e tij u operua nga mjeku Xhevahir Hoxhallari, të cilit dje ai iu drejtua me "zotëria që kam përballë". "Nga korridori dëgjoja ulërimat dhe thirrjet e vajzës, por mendova se ishte diçka normale, pasi ishte operacion. Pasi doli nga salla pashë që vajza ishte shumë e tronditur. Fjeti për disa orë dhe më pas doktori na tha që të largoheshim, pasi vajza ishte shumë mirë dhe nuk kishte asnjë shqetësim", tha dëshmitari duke dhënë shpjegime për ditën e operacionit. Ndërsa në vijim ai tregoi për momentet kur vajzës së tij, i shpërthente hemorragji në fyt. "Pas tre ditësh, vajzës i shpërthen një hemorragji e madhe nga goja dhe herë pas here i binte të fikët. E nisëm menjëherë për në Korçë dhe në spital na priti doktor Loni. Sapo e pa në atë gjendje, doktori e futi menjëherë në sallën e operacionit dhe filloj t'i pastronte gjakun nga goja, i cili ishte mpiksur dhe nuk e linte vajzën të merrte frymë" vijoi dëshmitari. Ndërsa tregoi për lëvizjet  nga spitali i Pogradecit, tek ai i Korçës e më pas në kryeqytet. Dëshmitari pohoi se mjeku Hoxhallari, i akuzuar tashmë për "mjekim të pakujdes-shëm, me pasojë vdekjen", i kishte thënë se "vajza nuk kishte probleme". Ndërsa pas vdekjes së saj në Tiranë, dëshmitari tha se trupin e saj të pajetë e kishin transportuar me një automjet privat për në morg, pasi spitali nuk u kishte mundësuar ambulancë.          ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›