Ramadani: LDK-së i mundon një qëndrim i definuar

Presidentja, Atifete Jahjaga, kishte ardhur në krye të vendit, pas një marrëveshje tremes Thaçit, Mustafës dhe Pacollit, e cila marrëveshje politike parashihte që Jahjaga të ushtrojë këtë funksion deri në përgatitjen e amendamenteve kushtetuese dhe mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale gjatë këtij viti. Por vlerësimi i Gjykatës Kushtetuese se presidentja Jahjaga mund të ushtrojë mandatin e saj deri në vitin 2016, ka bërë që të revoltohet LDK-ja, duke i kërkuar presidentes dorëheqjen e saj.
Madje në deklarimet e tyre kanë thënë se nuk do të votojnë amandamentet kushtetuese, por pastaj kanë zbutur qëndrimet, duke thënë se nuk do të votojnë vetëm ato kompetenca që kanë të bëjnë me Presidentin.
Deputeti i AAK-së, Burim Ramadani ka thënë për Kosovapress se kësaj partie po i mungon qëndrimi i definuar.
“Pa dashur të komentoj qëndrimet e partive të tjera opozitare, në këtë rast të LDK-së, ajo që po shihet në opinion përgjithësisht, është se mungon një qëndrim i definuar i asaj partie dhe në të njëjtën kohë mungon konsensusi i skenës politike, për atë se cila është e ardhmja e asaj marrëveshjes së famshme që e patën bërë Thaçi, Pacolli dhe Mustafa. Pra, e ardhmja e kësaj marrëveshje është çështje që duhet të definohet qartë, nëse ndryshimet kushtetuese dhe ligjore të zgjedhjeve do të jenë pjesë e asaj marrëveshje ose jo. Sido qoftë, ne kemi nevojë, besoj, skena politike, të ketë qëndrime të definuara mirë, se çka kërkon dhe çka synon secila parti”, tha ai.
Nga ana tjetër analisti politik, Ardian Arifaj, nga KIPRED, ka thënë për Kosovapress se nëse LDK-ja kërkon që të respektohet marrëveshja politike për presidenten Jahjaga, atëherë duhet edhe vet LDK-ja sikur edhe partitë tjera nënshkruese të marrëveshjes politike që t’u përmbahetn të gjitha pikave të marrëveshjes, që është nënshkruar prej tri partive të mëdha.
Sipas tij, kjo nënkupton pra edhe ajo që mos të bllokojë, por përkundrazi të shtyjë sa më përpara procesin e reformës, të Kushtetutës dhe Ligjit të përgjithshme për zgjedhjet, por edhe realizimin e pikave të tjera të marrëveshjes edhe vetëm pas përfundimit të gjithë atyre pikave, ka të drejt morale që të kërkojë nga presidentja që edhe ajo të respektojë marrëveshjen politike.
I pyetur se mund të ketë ndikuar interesi biznesor mes kreut të LDK-së, Mustafa dhe atij të PDK-së, Thaçi, në lëkundjen e qëndrimeve të tyre, Arifaj nuk ka dashur të spekulojë, por sipas tij liderët në vend edhe pse shpesh acarojnë marrëdhëniet, pas pak ata vazhdojnë bashkëpunimin.
“Nuk mundem me spekuluar për interes të secilës parti, apo secilit lider, ajo që mundemi me thënë që të gjitha partitë politike tek ne, të gjithë liderët që nuk janë gjithmonë konsekuent në mendimet e tyre dhe që dinë me i ndërruar qëndrimet. Kemi parë edhe në rastet më herët kur liderët kanë filluar me acaruar fjalorin ndaj njëri-tjetrit, por mbas një kohe përsëri janë tërhequr dhe kanë vazhduar me gjet njëfarë modus operandi, një far rrafshi, me të cilin sikur kanë njëfarë mirëkuptimi dhe bashkëpunimi dhe e pranojnë lojën ashtu qysh është”, ka theksuar Arifaj.
Në lidhje me shantazhet që i bëhen nga bashkësia ndërkombëtare këtij subjekti politik, Arifaj në këtë rast thotë se bashkësia ndërkombëtare gjithnjë ka dal fituese edhe kur ato vendime kanë qenë të dëmshme për vendin.
“Deri tash bashkësia ndërkombëtare ka qenë e suksesshme në atë që të ndryshojë qëndrimin e partive politike, të liderëve politik. Ata që kanë provuar t’i bëjnë ballë bashkësisë ndërkombëtare edhe atëherë kur bashkësia ndërkombëtare e ka pasur gabim, janë larguar nga skena politike, se nuk pranohen fare si lider nga bashkësia ndërkombëtare. Prandaj nga përvoja deri tash, mundemi me nxjerr përfundime që nuk ka me qenë hera e parë dhe nuk ka me qenë befasi për neve, nëse liderët tanë politik përsëri tërhiqen para presionit ndërkombëtar”, ka deklaruar ai.
Ai ka thënë se për qytetarin tonë është me rëndësi me pas një klasë politike që kanë integritet profesional dhe personal dhe nuk lejojnë me u lëkundur dhe me u lëvizur atëherë kur janë në pyetje interesat e Kosovës dhe para presionit ndërkombëtar të mos lëshojnë pe në dëm të Kosovës.
Ndërkohë subjekti opozitar, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka dashur të komentojë qëndrimet e LDK-së. Edhe pas insistimit të Kosovapress-it për të marrë një prononcim nga ky subjekt politik, një gjë e tillë ka qenë e pamundur.
Lidhja Demokratike e Kosovës kishte paralajmëruar bllokim të votimit të këtyre amendamenteve kushtetuese. Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani ditë më parë ka thënë për Kosovapress se bllokimin po e shkakton PDK-ja dhe jo LDK-ja.
“Në fakt bllokimin po e bëjnë shkelësit e marrëveshjes jo ne. Mos respektimi i marrëveshjes natyrisht që ka rezultat mos zbatimin e ndryshimeve kushtetuese, sepse ato ndryshime, ato kompetenca të reja që parashihen në amendamentet kushtetuese janë paraparë për një president të zgjedhur drejtpërdrejt, e jo për presidenten aktuale. Prandaj ne nuk pranojmë që të bëjmë për shfrytëzimin e kompetencave të presidentes aktuale dhe këto ndryshime nëse nuk respektohet marrëveshja”, ka deklaruar ajo.
Me përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisënë muajin shtator, parashihen edhe ndryshimet kushtetuese dhe ato që kanë të bëjnë me kompetencat e presidentit të vendit.
Lidhja Demokratike e Kosovës, si subjekti opozitar më i madh në vend, shpeshherë ka pas qëndrim të kundërt me Qeverinë e Kosovës, por me trysnin e bashkësisë ndërkombëtare ajo gjithnjë ka zbutur qëndrimin. /kosovapress/