E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ramë-Kutia po kërcënon hapjen e kutive

19-05-2011 / Nga Luan Myftiu

“Nuk ka më keq se kur njeriu fillon të ketë frikë nga e vërteta” - Tolstoi

Njeriu i drejtë nuk ka frikë nga e vërteta, kurse Rama nuk po pranon që kjo të dalë në dritë. Trimi të fal, frikacaku të vret, ndërsa Rama të kërcënon lirínë. Si mëkatar, Ramën e ndjek pas hija e gjëmave. Si “apostull” i votës së lirë, e tmerron e drejta e qytetarit për të votuar. Ashtu si diktaturat i tremben dinjitetit të njeriut, Rama i trembet pavarësísë së çdo institucioni. Ai që ulëríti dy vjet për hapjen e kutive të çertifikuara, sot klith për mosprekjen e tyre, kur është i domosdoshëm shqyrtimi i tyre. Mos vallë nuk u beson as mbështetësve të vet? Apo, siç thotë Shekspiri, mendjen e tij fajtore e mundon dyshími? Ashtu si komunizmi që tentoi ta bënte gjithë shoqërínë bashkëfajtore në krimet e tij, Rama po përpiqet të bëjë bashkëfajtorë militantët për realizimin e ambicieve të tij. Mos vallë edhe fitoren e bashkisë e do për të mbajtur lidhur elektoratin e vet të çakërdisur? Apo frika e ndëshkimit për zullumet ia ka  zbehur kënaqësínë e çdo lavdie? Se jo më kot Rama ka nisur të akuzojë ata që e detyruan të pranonte para kohe fitoren. Asnjëherë diktatorët nuk mbajnë përgjegjësí për humbjet. Për çdo disfatë Enver Hoxha akuzonte shokët e vet. Kurse Rama, taní që iu rrëzua çdo e drejtë për të bërë fajtor kundërshtarin, po gatitet të hakmerret ndaj atyre, që nuk e këshilluan të ndalte vrapin drejt vetëshkatërrimit. Ai që u detyrua të rrezikonte duke kërkuar një mandat të katërt, nuk i fal ata, që e nxitën të binte pré e një aventure të tillë!
Rama e di që nuk ndodhet në vendin e duhur. E kupton se aty e mbajnë forca të zhytura në mëkate. E nuhat ai që në partinë socialiste ka shumë të ndershëm, të cilëve duhet t’u imponohet. Se Rama nuk është aq mediokër sa të besojë që, me “proçkat” që bëri dy vjet të tëra, të mos jetë i akuzuar edhe nga të vetët. Por ai ka përvojën e ustait të “kopaçes” dhe pabesisë komuniste. Ka “urtësínë” nënshtruese të cinizmit diktatorial dhe forcën mobilizuese të kërcënimit enverist. Ai ka magjepsjen e “madhështisë” së frikës dhe mbrojtjen me anë të katandisjes së popullit në “mish për top”. Ka sugjestionin e shpifjes dhe krekosjen me anë të flijimit të turmave të terrorizuara. Prandaj Rama ushqen konfliktualitetin, i kthen shpinën dialogut dhe, si Enver katili, mbrohet duke kërcënuar demokracínë me përgjegjësínë e shkatërrimit të aspiratave të saj. Rama e di që kjo rrugë s’ka të ardhme. Ndoshta prandaj klith “Aleanca për të ardhmen!”. Mirpo, kur mëkatarit i afrohet fundi, parapëlqen shtyrjen e mynxyrës, duke iu shmangur kështu parimit “Më mirë një fund i tmerrshëm, sesa një tmerr pa fund!”. Nuk hyn Rama në grigjën e drejtuesve që udhëhiqen nga sentenca “Tipari kryesor i një personaliteti nuk është rebelími, por shpirti paqësor”. Jo! Si “misionar” hipokrit, ai di vetëm të ngrejë akuza false ndaj kundërshtarit. Si ideator i parimit “përtej së majtës e së djathtës”, i lumturohet fanatizmit militantist. Si avokat i votës së lirë, mohon vullnetin e çdo qytetari për të votuar. Si “humanist” cinik, nuk justifikon gabimin njerëzor. Si europian i shtirur, nuk çmon institucionet e legjitimimit të çdo fitoreje elektorale. Si demokrat despot, kërcënon këdó që tenton të vërë në jetë parimet, me të cilat shkaktoi tërë ato dëme. Por kryesore për këtë anarkist primitiv mbetet frika nga humbja e zgjedhjeve; tmerri nga braktisja e elektoratit për “proçkat” që ka bërë; parandjenja e shkatërrimit të P.S.-së dhe lindja e një të majte, që do të mbronte aspiratat europiane të Shqipërisë së martirizuar. Ashtu si Enver gangsteri, që “kërcënonte” Aleancën Atlantike se, që ta rrëzonte despotin nga pushteti, duhej të zhdukte tre milionë shqiptarë, Rama kërcënon institucionet, ndërkombëtarët dhe vetë demokracínë se, po nuk e njohën si fitimtar, vendi ka për të marrë tatëpjetën e frikshme! Dhe kjo ka qenë me kohë deviza e politikës së tij “opozitare”; ky ka qenë angazhimi i tij si “reformator” i frymës së bllokimit dhe bojkotit; kjo ka qenë “kauza” e tij prej të privilegjuari të komunizmit. Sepse, si jopolitikan, Rama lakmon të gjitha pushtetet. Si artist, përdhos vlerat e arritura nga mazhoranca me një mijë sakrifica. Si “antikomunist”, mburr demokracínë duke i shkelur syrin diktaturës. Si i “revoltuar revolucionar”, shprehet i pakënaqur edhe nga duaxhinjtë e tij, shpërndarë nëpër gjykata. Kurse si reformator i shpërfytyruar, kërcënon të gjithë ata që duan të shohin votën e tyre.
Kërcënimet e Ramës po zbulojnë falsitetin e kauzave të tij “idealiste”. Sidomos ato për shenjtërínë e votës së lirë dhe çlirimin e Shqipërísë nga uzurpatorë, që aq shumë nuk i donte populli, sa u dha 140 mijë vota më shumë ! Kërcënímet e Ramës po shprehin llahtarin e këtij humbësi, që jeton me tmerrin e ndëshkimit për mëkatet që kreu ndaj vetes, partisë, vendit dhe demokracísë. Ky “properëndimor” hipokrit i orëve të para po zbulon thelbin e shpirtit të tij antidemokratik. Lufta e tij ndaj pluralizmit është e pashembullt. Shpifjet e tij ndaj arritjeve të demokracisë janë të denja për t’u ndëshkuar. Instinkti i tij për pushtet me dhunë, duhet të mbyllet në bunkerin e fëlliqur të babáit të tij shpirtëror. Kurse mohimi i votës së lirë është shprehja më autentike e hipokrizisë groteske të këtij gënjeshtari, që për interesat vetjake mund të përdhosë pa mëshirë edhe dinjitetit e vet. Mjerë kush do t’u besojë fjalëve të tij patetike prej narcizi të viktimizuar nga e drejta e njeriut të thjeshtë ! Mjerë kush shpreson të ketë të ardhme nga ai që s’ka vetë një të tillë! Mjerë ata që do të pranonin të vuanin nga marrëzitë e një “misionari”, që nuk e di se ku po e shpie veten e vet!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›