Edi Rama fillon lojën “fluturon, fluturon..., revolta”

Edvini rrethon përsëri institucionet me efektivat e Policisë Bashkiake të cilat në mënyrë karikatureske synuan të imitonin dje “Puçin e Mynihut”. Palo-protesta braktiset nga qytetarët, duke e kthyer të gjithë lëvizjen politike në një farsë për të mbajtur të parrezikuar kreun e PS-së
Kryetari i Partisë Socialiste dhe njëherazi kandidati për një mandat të katërt në bashkinë e Tiranës, Edi Rama, bëri thirrje dje për “revoltë popullore”, kundër këtij sistemi, sido të deklaronte Rama, po cenon votën e lirë dhe demokratike. Thirrja dëshpëruese e Edi Ramës, në mbyllje të ditës së djeshme, ishte më shumë se dëshpëruese. Pasi altoparlantët e tij, Erion Braçe e Gramoz Ruçi, apo edhe Mimi Kodheli, ishin ngjirur për të ftuar njerëz në protestë, fakt ishte që para KQZ-së, më shumë kishte policë se protestues të Edi Ramës. As organizimi i protestës me dy turne dje, as thirrjet e Fatmir Xhafajt e Gramoz Ruçit, nuk i shkaktuan kënaqësinë e pritshme Edi Ramës, për të mundur të shihte më shumë protestues pranë KQZ-së. Në këto kushte, si te ajo loja “fluturon..., fluturon gomari (lexo: protesta”, Edi Rama doli vetë mbrëmjen e djeshme, për të vijuar lojën e Xhafajt e Ruçit. Në daljen e tij të mbrëmshme, në shkelje të hapur me çdo etikë morale, politike dhe linguistike, kandidati humbës i bashkisë së Tiranës Edi Rama, si edhe të papërgjegjshmit e tij Ruçi dhe Braçe s’kursyen fjali të tilla si: “të ngrihet populli i gjithë në këmbë për rrëzimin e kësaj qeverie dhe të këtij sistemi”. Dëshpërimi i madh dhe mos funksionimi i skemës së zezë të manipulimit të votës së qytetarëve të Tiranës, bën që Edi Rama dhe klika e tij uzurpatore të mos pranojë humbjen në kryeqytet dhe si të tillë, aksioni i radhës mbetet aktivizimi i hienave të zeza malavite. Në këtë kuadër ekzistence të planeve ogurzeza kundër sistemit demokratik dhe atij ligjor, Edi Rama s’para sheh rrugë zgjidhje tjetër përmes votës së shprehur të qytetarëve dhe si komardare shpëtimi mbeten thirrjet për revolta masive, thirrjet për një haxhiqamilizëm të ri, duke i rikthyer kështu në politikën e rrugës së propaganduar nga kjo opozitë pa dinjitet dhe pa kulturë demokratike, gjatë më shumë se 2 viteve. Siç edhe mendohet, e njëjta lëvizje do vërtitet edhe pas këtij procesi zgjedhor, ku, kontestimi i tij është e vetmja alternativë politike e të dyshuarit të selisë rozë, Edi Rama.
Rrethimi i KQZ
Turpi i bashkëshoqëron socialistët kudo ku shkelin. Skandali i radhës u shënua dje para ndërtesës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku deputetët opozitarë treguan para syve të mijëra kalimtarëve të kryeqytetit, shëmtinë e tyre të vërtetë, duke rrethuar ndërtesën për orë të tëra. Rrethimi i institucioneve është e vetmja strategji e Edvin Ramës, për të dhunuar dhe përdhosur sistemin demokratik e atë ligjor në vend. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është ndodhur dje pikërisht në një situatë të tillë, kur për orë të tëra militantë dhe deputetë të Partisë Socialiste u mblodhën në ambientet e jashtme të institucionit që administron zgjedhjet, në përpjekje për të penguar këtë të fundit të numërojë deri në fund votën e qytetarëve shqiptarë. Skematizimi i radhës i rrethimit të institucioneve në shkelje të hapur me ligjet e vendit dhe mos angazhimit apo shmangie të qëllimshme të qëndrimit politik, tregon qartë se opozita e drejtuar nga karikatura politike që ka inspiruar Ramiz Alia, thjesht e vetëm që në këtë vend të mbizotërojë anarkia, përçundimi dhe përdhosja e vullnetit demokratik të qytetarëve shqiptarë. Edvin Rama prej dy ditësh s’lejon largimin e deputetëve dhe militantëve nga selia e KQZ-së, edhe pse aty ndodhen të dislokuara forca të Policisë së Shtetit në mbrojtje të institucionit të zgjedhjeve. Por, aktualisht në këto momente militantët dhe deputetët e PS janë larguar nga rrethimi i KQZ. Institucioni që administron zgjedhjet po shqyrton me përparësi fletët e votimit të kontestuara, rezultati i të cilave do afishohet në tabelën përmbyllëse të rezultatit zgjedhor për bashkinë e Tiranës. S’është e qartë nëse edhe gjatë ditës së sotme deputetët dhe militantët socialistë do vazhdojnë të kryejnë stazhin e sehirxhinjve në ambientet e jashtme të KQZ-së.
...