E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ramës i zënë derën edhe aleatët

17-07-2013 / Gazeta 55

Shqetësimet e kryesocialistit janë më të forta sesa parashikimet. Përveç qytetarëve të mashtruar, në skenë janë shfaqur aleatët e uritur për ndarjen e posteve deri tek nivelet e ulëta. Deri më tani, dyert janë të mbyllura, por duket se s’do vijojë gjatë kjo frymë mosmikpritjeje

Nga premtimet e rreme ndaj qytetarëve të cilat rezultuan një hipokrizi e vërtetë dhe për këtë Edi Rama duhet të përballet me një reagim serioz, një sferë e re konflikti është edhe ajo e raporteve të PS-së me aleatët. Mazhoranca e re ka hyrë në qorrsokak pa nisur ende punën, qeverisjen e vendit, sipas verdiktit që i dhanë në shumicë qytetarët shqiptarë në 23 qershor. Dhe nga një pikëpamje, ajo e mbajtjes së premtimeve ndaj qytetarëve dhe respektimit të marrëveshjes me aleatët, qeveria “Rama” pritet të rezultojë një dështim i vërtetë. Mësohet që Edi Rama të ketë ndarë shqetësimin e ndarjes së posteve me bashkëpunëtorët e ngushtë në PS dhe qëndrimi dominues ka qenë përjashtimi dhe shkrirja e disa prej partive të vogla, nga pretendimet për ndarjen e parcelës së pushtetit. Poste qeveritare kërkojnë parti politike si ajo e Marko Dajtit, Mark Frrokut apo dhe e Halim Seitajt që presin respektimin e marrëveshjes parazgjedhore me PS-në. Pa llogaritur këtu pretendimet e Paskal Milos, Skënder Gjinushit dhe Vangjel Dules. Apo më tej akoma, kërkesat e pashpallura ende të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Hyrje-daljet e aleatëve nga zyra e kryetarit të PS, telefonatat dhe SMS-të me përmbajtje të tillë si “duam vende pune, poste ministrore dhe zv/ministra, drejtori të rëndësishme”, deri tani kanë mbetur pa përgjigje dhe s’dihet përsa kohë Rama do vazhdojë t’i injorojë kërkesat e të vegjëlve. Irritimi i tyre, pasi me votat e të vegjëlve PS siguroi një numër të konsiderueshëm mandatesh, është i drejtë deri në momentin e konstatimit të mosmbajtjes së premtimit nga Rama, por kjo s’do të thotë se kreu i PS ndërroi mendim në momentin e fundit. Ai njihet si politikan i pabesueshëm në raportet që ndërton me partnerët politik. Një gjë të tillë e ka bërë me LSI-në në 2007-ën dhe më pas në 2008-ën, kur tentoi shkrirjen e saj. Vijoi më pas në 2009-ën me disa forca politike që i ka ende edhe sot në koalicion siç janë PSD e Gjinushit, PDS e Milos apo dhe PBDNJ e Dules. Kësisoj, Rama është një karakter i sprovuar prej mashtruesi dhe as kësaj here s’e ka për gjë t’i lerë me gisht në gojë aleatët e tij. Por cilat janë kostot që vijnë rrjedhimisht nga kjo? Një problem të hapur Rama e ka me qytetarët, të cilët vështirë t’ia falin mashtrimet ordinere për shëndetësi falas, ulje të taksave për 90% të qytetarëve dhe 300 mijë vende të reja pune. Asnjëra prej këtyre s’ka baza realiteti dhe kësisoj, premtimet dy mujore të fushatës ishin thjesht rrufe në qiell të hapur, për të mbledhur me çdo kusht votat që do sillnin nomeklaturën e Ramës në pushtet. Pikërisht ky fakt, ai i zhgënjimit të gjerë i ofron Edi Ramës sakrilegjin e qeverisjes me mandat kushtetues katër vjeçar, por që askush s’është i sigurt nëse do ta arrijë 2017-ën.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›