“Zonja e Hekurt, simbol i pathyeshëm i luftës kundër komunizmit”
Kryeministri Sali Berisha shpreh pikëllimin e tij dhe të kombit shqiptar për ndarjen nga jeta të ish- kryeministres Margaret Thatcher
Kryeministri Sali Berisha ka shprehur dje pikëllimin e tij dhe të kombit shqiptar për ndarjen nga jeta të ish Kryeministres Margaret Thatcher. Në mesazhin e tij, Kryeministri Berisha ka vlerësuar lart kontributin dhe devotshmërinë e Znj.Thatcher në luftën kundër komunizmit, duke e cilësuar atë si një avokat të pamposhtur të lirisë dhe vlerave demokratike në botë. “Lajmi i ndarjes nga jeta të ish-Kryeministres së Britanisë së Madhe Margaret Thatcher më pikëlloi thellë. Me vdekjen e Lady Thatcher, Britania e Madhe dhe bota perëndimore humbën një nga personalitetet politike udhëheqëse, më të shquara, të të gjitha kohërave. Me ndarjen e saj nga jeta, Mbretëria e Bashkuar humbi “Zonjën e hekurt”, legjendë e gjallë të vendosmërisë dhe përkushtimit ndaj saj, reformatoren e madhe që ngriti në zenit ekonominë, potencialin e gjithanshëm dhe emrin e madh të vendit të saj. Për kombe të tjera, ish-Kryeministrja Thatcher ishte simboli i pathyeshëm i luftës kundër komunizmit, avokate e pamposhtur e lirisë, vlerave të saj dhe paqes në botë.
Shqiptarët sot kanë humbur një mike të madhe të çështjes së tyre të drejtë. Në memorien time mbetet gjithnjë i paharruar dhe i gjallë takimi i parë me ish-Kryeministren Thatcher, në Blackpool. Kisha vetëm 3-4 muaj në politikë dhe në audiencën që më akordoi, pas përshëndetjes e nisi bisedën duke me pyetur me fjalët më të para: Më thuaj si po i masakron vëllezërit tuaj në Kosovë kasapi i Ballkanit, Slobodan Millosheviç.
Duke u përulur me nderimin më të madh, para kujtimit të ndritur të Lady Thatcher, i shpreh në emër të qeverisë shqiptare, familjes, qeverisë dhe popullit të Mbretërisë së Bashkuar, ngushëllimet më të thella dhe lutem së bashku me ta që shpirti i ish Kryeministres Thatcher të gjejë paqen e merituar”, përfundon mesazhi i kryeministrit Berisha
...