“Ramomania” në media
Nga Basir Çollaku
Vizita e Kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, në SHBA kulmoi me takime të rëndësishme e me dobi të madhe për vendin tonë, pas ndërrimit të administratës amerikane, por përçoi qëndrueshmëri e interes në rritje ndaj Shqipërisë. Zëvendëspresidenti Xho Bajden, sekretarja Klinton dhe shumë personalitete të tjera të politikës së Shteteve të Bashkuara pritën Kryeministrin shqiptar, duke e vlerësuar si rrallëherë qeverinë shqiptare në këto 20 vite. Ajo që ndodhi në Tiranë tregon se tregu mediatik është nën pushtetin e opozitës, edhe për ngjarje që nuk mund të trajtohen në atë formë. Jo pak, por 90 për qind e medias së shkruar dhe elektronike nuk e përcillte lajmin e takimit të Kryeministrit Berisha me kryediplomaten amerikane dhe zëvendëspresidentin Xho Bajden, senatorin Mekein, apo u kushtonin radhë të përafërta me një aksident në Fier apo në Milot. Personalitete të rëndësisë së veçantë të Amerikës, vendit më të fuqishëm në planet, i kanë kushtuar vëmendje të madhe Shqipërisë, mbështetje e përkrahje të vazhdueshme, duke ia rritur peshën si faktor me ritme të përshpejtuara. Kaq do të ishte e mjaftueshme që lajmi të shërbente mirë për t’u thënë lexuesve, sepse asnjëra nga gazetat apo televizionet që dashurojnë majtas partitë, nuk kanë lexues vetëm elitë, por tërë elektoratin që nuk i mungon dëshira për të dëgjuar dhe parë, kur sekretarja Klinton, zëvendëspresidenti Bajden, takohen me Kryeministrin e vendit të tyre. Vihet re se interesat ekonomike këtë herë kanë folur më me shumë zhurmë se rastet e tjera. Ndaj “Ramomania” në media është një mall që konsumohet gjithnjë e më tepër me afrimin e datës së zgjedhjeve të 28 qershorit. Ajo që bëri kryetarin e socialistëve të ndërmerrte aksionin frenues në media, ishte mesazhi i ardhur përtej Atlantikut, që e thënë drejt nuk ishte në rezonancë me dëshirën e liderit të opozitës. Klinton tha qartë e në mënyrë të drejtpërdrejtë se beson në garancitë e Kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, për ligjin e lustracionit, pasi ai nuk do të përdoret aspak si gjueti shtrigash, për qëllime politike. Kreu i mazhorancës kërkoi nga sekretarja e Shtetit, që të mundësoheshin një numër sa më i madh vëzhguesish për zgjedhjet e qershorit, duke premtuar se do të përmbushen standardet dhe zgjedhjet do të jenë të lira e të ndershme, duke shfaqur pranueshmërinë e çdo lloj rezultati të dalë nga votimet. Transparenca e kërkuar nuk i shkon për shtat opozitarit që pretendon më shumë pushtet, pasi dëshiron të mbulojë problemet e shumta që ka brenda partisë që drejton. Duke shfrytëzuar urtinë e prokurorisë, partia e Ramës mundet një ditë po e një ditë jo të lexojë në shtyp fletë dosjesh, duke i përcjellë ato si skandale. Ajo që ka menaxhuar vërtet mirë kryesocialisti bashkiak, është mbajtja e përgjumur e skandaleve, veprave penale jo të pakta që kanë konsumuar shpesh kolegët e tij në parti, kur kanë qenë në pushtet, e për këto dosje nuk ka publikime, për më tepër që Prokuroria e Përgjithshme nuk ka pasur kohë hetimore për to.
Ajo që shikohet e lexohet shpesh është prodhimi nga opozita socialiste, njerëzve që janë pranë Ramës, i sa më tepër ngjarjeve që anojnë nga e pavërteta, mjafton të kenë shënjestër mazhorancën, qeverinë.
Kjo fushatë elektorale me trillime, shpifje, gënjeshtra, premtime nga më të pabesueshmet kërkon të formatojë opinionin në favor e këmbim të votëmarrjes. Rama tha se merr përsipër të blejë të gjithë abetaret e t’ua çojë atyre, që s’kanë dhe pastaj nuk harroi t’u sigurojë transport të varfërve në mbarë vendin për të shkuar në shkollë, ndërkohë që transportin urban në kryeqytet që menaxhon bashkia e ka lënë në pikë të hallit. Sulmi mediatik i drejtuesit të bashkisë ka të bëjë më tepër me hallin financiar që e ka zënë me mosmiratimin e buxhetit. Aty nuk ka mundur të gënjejë, mashtrojë apo trillojë, këshilltarë të mjaftueshëm për të kaluar radhën, e për të përvetësuar miliona euro me adresë të fshehtë investimi. Ka pasur dhe këshilltarë që i kanë besuar apo ndoshta kanë blerë e paguar për ndonjë votë të rrjedhur, apo sipërmarrës që janë vënë në dilemë, por Rama kërkon me ngulm që të lërë në plan të dytë këtë telash e të mos u bëjë të ditur mijëra votuesve në Tiranë se ka marrë përsipër t’i gënjejë. Janë afro një milion banorë që prej dy muajsh nuk marrin përgjigje se ku do të shkojnë taksat e tyre, që përbëjnë buxhetin e bashkisë më të madhe në vend. Pasi ka lënë pa përgjigje këto një milion pyetje, shefi i opozitës ndërton me nxitim copëza të pavërtetash dhe ua delegon dy-tre deputetëve, e disa sekretarëve që t’i lexojnë sa më shpesh para kamerave. Nga ky buxhet i pamiratuar presin edhe mediat shërbyese para. Sepse në projekt ka zëra që parashikojnë në periudhën, e para sensibilizim të opinionit dhe qytetarëve, për disa të ashtuquajtura projekte të rëndësishme. Dhe këto para që do të shërbejnë për të njoftuar nuk janë as më shumë e as më pak vetëm reklamë. Ky është të paktën një nga bonuset e reja që kërkon t’u shpërndajë Rama mediave që i rrinë ngjitur, ndaj pa përfshirë investime të tjera, dhe këmbëngulja për buxhetin nuk është krejt pa vend në këtë fushatë elektorale. Por duket se nga kjo plogështi janë lodhur dhe garda e vjetër e PS-së, pas së cilës shkon elektorati i majtë dhe kërkojnë që ky qershor humbës të jetë dhe fundmandati për dështimin e kryetarit që nuk arriti të bashkojë opozitën, por thelloi gjithnjë e më tepër përçarjen, duke pasur bazë shpifjen. Ndoshta drejtuesi i asamblesë, Gramoz Ruçi, që i dha partinë rivalit të Fatos Nanos, mund të ndërrojë mendje pas 28 qershorit. Ndaj “Ramomania” ashtu siç ishte suksesi i kryebashkiakut, ministrit të dikurshëm të Kulturës, kryetarit aktual të PS-së, këtë herë e rrezikon të bëhet projekti dështues pas keqpërdorjes së gënjeshtërt nga Edi Rama.