E Diel, 1 Nëntor 2026

"Marigoja" e kryengritjes politike të Spaçit, në varfëri të tejskajshme...

Nga Bedri ÇOKU
 ... Është shtruar tri herë në Sanatoriumin e Tiranës  brenda pak muajsh, piktori i famshëm  i Flamurit pa yllin komunist  në Kryengritjen e  të Burgosurve Politik të Spaçit, Mersin Vlashi, i rënduar prej një sëmundjeje të mushkërive dhe gjendja e tij rrezikon seriozisht... Nuk e besova që zëri i zvargur, i lodhur, i tjetërsuar që më erdhi nga valët telefonike ishte ai, i Mersin Vlashit, mikut, bashkëvuajtësit dhe bashkëluftëtarit tim të paharruar. U rrëqetha kur më tha: Eja, se mund të jetë hera e fundit qe piqemi...! E gjeta  me aparatet e sofistikuara të frymëmarrjes, por gjithsesi, me mendje të kthjellët. I largoi aparatet nga fytyra sa për të më kumtuar gëzimin që po më shikonte... Mos u mërzit, i thashë, kam bindje se Zoti do të të ndihmojë edhe këtë herë... Do të të jap kënaqësinë  morale e shpirtërore: Të firmosësh me dorën tënde dëmshpërblimin e vuajtjeve të tua me dekada. (Mersini ka vuajtur 31 vjet burgjeve si i burgosur politikë. I martuar me tre fëmijë, pensionist, banon në Kamëz, në një shtëpi përdhese)... Në fund të fundit, i thashë, kot Ai ( Zoti) nuk ti dha tre fëmijë, njeri më i  mirë nga tjetri. Baba i mirë është ai çfarë u lë fëmijëve mbrapa. Po u lë një emër të nderuar e të respektuar që do ti krenojë brez pas brezi...  Edhe ekonomikisht... Nëse ka një zot në qiell, besoj do të ta jap lumturinë e asaj dite që fëmijët e tu të shtrenjtë ti shohësh jashtë mjerimit të tejskajshëm... E ndërpreva bisedën se atë e mbytën lotët. Donte të fliste... ndoshta të falënderonte ose të  kundërshtonte... pse jo, edhe të më qortonte për naivitetin tim, por e ndryshova  mendimin menjëherë, sapo ai hoqi aparatin, më shtrëngoi dorën e më tha: Rrofsh!... Por nuk të zemërohem, se ti kështu ke qenë gjithmonë me ne, kurajoz dhe shpresëdhënës... Faleminderit që uron ditë të bardha për fëmijët e mi... Harrove të thoshe që po u lë edhe  miq e dashamirës plot si ju... bashkëvuajtësit e mi... Se kisha parë kurrë të qante me lot në sy heroin e përnjëmend të burgjeve komuniste, zotin Mersin Vlashi... teksa e përfytyroja  në ditët e ngjarjes së jashtëzakonshme, të Kryengritjes që tronditi në themele Diktaturën e pashembullt në Botë. Mersin Vlashi ka meritën e tij të veçantë në realizimin e asaj Kryengritjeje me përmasa kontinentale, sepse guximi dhe talenti i tij në pikturimin e zhgabës me dy krerët legjendarë, pa yllin komunist, mbi bezen e përgjakur, frymëzoi  bashkëvuajtësit për ti rezistuar deri në fund makinës gjakatare komuniste... Ishte nga të parët ndër të burgosurit politikë që u lirua para kohe, në ditët e Pluralizmit dhe që e mbështeti Partinë Demokratike, si alternativën e vetme për të realizuar ëndrrën e vet e të gjithë shqiptarëve për një Shqipëri të lirë e demokratike. "Nuk do të më tresë dheu", - thotë, - nëse shkoj në atë jetë pa dëgjuar një fjalë të mirë e lavdëruese për ata katër djem të rinj që u pushkatuan pas kryengritjes sonë çlirimtare, pse ata e donin aq shumë lirinë e  demokracinë... Po dekorohen kriminelët tanë, ndërsa heronjtë antikomunistë që flijuan jetën dhe rininë e tyre, skujtohet njeri ti përgëzojë apo ti falënderojë ... Turp i madh për  shtypin demokratik që vazhdon të botojë ende kujtimet e Mark Dodanit e të kriminelëve të tjerë që arrestuan, vranë e dënuan qindra e mijëra shqiptarë të pafajshëm... Mersin Vlashi, heroi legjendar i Kryengritjes së Madhe Antikomuniste, po dergjet në Sanatoriumin e Tiranës, i varfër dhe i vrarë shpirtërisht sepse fëmijët e tij dhe bashkëshortja po heqin ushqimin e tyre për të nxjerrë gjallë edhe një herë njeriun e dashur. Rrofshin heronjtë e vërtetë të Demokracisë!
     

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›