Ramush Haradinaj: Doja të fitonte Berisha
Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri janë komentuar edhe nga kreu i AAK-së Ramush Haradinaj. Ai ka thënë se zgjedhjet në Shqipëri janë një arritje e madhe, ndonëse Sali Berisha nuk arriti ta fitoj edhe këtë mandat. Së pari mendoj se është një e arritur e madhe e Shqipërisë që zgjedhjet janë sipas standardeve evropiane dhe që qytetari po ka mundësi të vendosë se kënd po e dëshiron më tutje. Është mirë që Shqipëria ka arritur deri në atë ditë ku me votë po vendoset. Besoj se me këtë të arritur Shqipëria i ka hapur një derë vetes për integrim dhe ka hyrë në kategorinë e vendeve që vendoset me votë qeverisja. Meqenëse numërimi nuk është mbyllur ende unë do të përmbahem në deklarim. Unë e përkrah dhe ia kam uruar më herët nga zemra fitoren z. Sali Berisha, sepse e kemi partner politik në të djathtën tonë. Por, edhe unë dhe secili prej nesh kudo që jemi e respektojmë vendimin e qytetarit të Shqipërisë, ka thënë Haradinaj për Epoka e Re. Lideri i AAK-së ka thënë se dëshira e tij ishte që të fitonte Berisha. Unë kam pasur dëshirë të fitoj Berisha sepse i kemi pasur disa projekte të përbashkëta që kanë qenë të rëndësishme për të gjithë shqiptarët dhe rajonin. Njëra ndër projektet ka qenë hekurudha Shqipëri-Kosovë, që kryeministri Berisha ka dhënë premtim se do ta bëjë në mandatin e ardhshëm, kështu që kisha pasur dëshirë që ai përsëri të ishte kryeministër dhe ta përmbyllnim hekurudhën. Projekti i dytë që kem biseduar kanë qenë lidhjet energjetike Kosovë-Shqipëri. Po ashtu, ka qenë edhe projekti për portin e Shëngjinit. Ky port do të ishte shumë interesant për Kosovën. Tani nuk e di se cili do të jetë fati i këtyre projekteve, ka thënë Haradinaj.