Basha, Topalli, Olldashi, Bode kërkojnë kreun e PD
Pse Lulzim Basha është i preferuar i Sali Berishës. Ja kush është favorit për të zënë fronin e lënë bosh nga Berisha
Sali Berisha dje dha dorëheqjen e tij si kryetar i Partisë Demokratike. Tashmë të gjithë kanë nisur kalkulimet se kush do ta pasojë atë në krye të PD-së, një parti kjo që për 23 vite ka pasur vetëm një kryetar. Pretendentët deri tani janë katër: Lulzim Basha, Jozefina Topalli, Ridvan Bode dhe Sokol Olldashi. Por le ti marrim me radhë.
Topalli-Basha
Prej kohësh ka qenë projektuar si pasardhësja natyrale e Sali Berishës në PD. Por dalja në skenë e Lulzim Bashës bëri që Topalli mos të ishte më e preferuar e Berishës. Ky i fundit mori nën drejtim një sërë ministrish të rëndësishme, duke u bërë një ndër politikanët më të rëndësishëm në PD, por edhe më i sulmuari nga opozita. Me fitoren e tij në krye të Bashkisë së Tiranës, ylli i tij politik u rrit edhe më shumë. Dhe tashmë dihet që ai është edhe beniamini i Berishës. Ndërsa Topalli ka pasur shpesh herë kohët e fundit shkëndija me Berishën. Një ftohje kjo që u kuptua mjaft mirë në hartimin e listës së kandidatëve për deputetë në Shkodër, ku asnjë nga emrat e Topallit nuk u pranua. Por goditjen më të madhe asaj ia dha vetë Shkodra, ku për herë të parë e majta kaloi në avantazh. Edhe pse ajo dje vuri si foto cover në Facebook atë të Berishës, ajo tashmë nuk është favorite për kreun e PD-së.
Olldashi-Bode
Sokol Olldashi është një ndër njerëzit më të besuar të Berishës. Ai ka që në vitin 2005 që drejton ministritë më të rëndësishme të qeverisë. Por ai humbi në zgjedhjet bashkiake kundër Edi Ramës në 2009, dhe me rezultatin humbës në këto zgjedhje në Fier ka humbur shumë pikë. Ndërsa numri dy i PD-së, Ridvan Bode, mund ta meritojë më shumë se të tjerët PD-në. Por njeriut të financave i mungon karizma e duhur për të qenë një lider në PD. Megjithatë Bode mund të marrë drejtimin provizor të PD-së deri në zgjedhjen e një kryetari të ri.