E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporte të djersitura

Kryeprokurori i EULEX’it, Johannes van Vreeswijk u ka dhënë përgjigje dilemave dhe akuzave që lëshuan në fillim të javës Kryeministri Hashim Thaçi dhe Kryetari i Parlamentit, Jakup Krasniqi.

Prokurori holandez, në një intervistë për “Koha Ditore”, ka sqaruar se bastisjet dhe hetimet për “Rastin Limaj” janë bërë në proporcion me dyshimet për keqpërdorime të milionave në institucionet kosovare.

Ai ka shkuar edhe më larg duke shpalosur detaje të një akuze të mundshme për dy të dyshuarit - Ministrin Limaj dhe Shefin e Prokurimit në Ministrinë e Transportit, Nexhat Krasniqin - të cilët ngarkohen me dyshime për veprat penale: shpëlarje parash, krim i organizuar, shpërdorim i detyrës zyrtare, mashtrim në zyrë dhe ryshfet.

Nëse do të shpalleshin fajtorë për dyshimet e ngritura, Vreeswijk ka thënë se të “dy të mëdhenjtë” do të mund të dënoheshin me nga 55 vjet burgim, derisa ka paralajmëruar se edhe gjashtë raste të mëdha janë në radhë për hetime.

Johannes van Vreeswijk e ka dhënë edhe një porosi për të korruptuarit.

“Të gjithë zyrtarët që kanë qenë ose janë të lidhur me krimin e organizuar dhe korrupsionin duhet të fillojnë të djersiten”, ka thënë ai.

Reagimi i Kryeprokurorit ndërkombëtar ka pasuar deklaratat e Kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi dhe Kryeministrit Hashim Thaçi, të cilët nuk pritën përfundimin e hetimeve, duke paragjykuar motivet e bastisjes.

Krasniqi pati akuzuar EULEX’in se bëri spektakël politik, kurse Thaçi kishte thënë se aksioni ishte i panevojshëm, joprofesional dhe tendencë për linçim.

Por, të premten, Kryeparlamentari nuk ka folur për deklarimet e fundit të Kryeprokurorit të EULEX’it.

“Nuk dua të flas më, sepse çka kam pasë, e kam thënë. Realisht për këtë nuk dua të prononcohem”, ka thënë Krasniqi, për Express, të premten.

“Nëse kanë argumente, le t’i përdorin dhe të veprojnë. Sistemin e drejtësisë e kemi përsëritur se e respektojmë. Kjo është e jona”, ka thënë ai.

I pyetur se a i ka rënë pishman për deklarimet e mëparshme për “Rastin Limaj”, Krasniqi ka thënë se qëndron prapa qëndrimit të dhënë ditë më parë.

“Jo, absolutisht. Atë që e kam thënë, nuk i bie pishman kurrë”, ka thënë Krasniqi, që mban edhe postin e Sekretarit të Përgjithshëm i PDK’së.

Ndryshe prej Kryetari të Kuvendit, zyrtarët e Qeverisë janë munduar të hedhin fajin te mediat për keqinterpretimet e deklaratave të Kryeministrit.

“Nuk mund t’u shtoj më shumë deklaratave të Kryeministrit, dhe mund të them se një pjesë e deklaratave të tij janë keqinterpretu nga mediat”, ka thënë Krasniqi, pa qenë në gjendje t’i tregojë se cila prej pjesëve të deklaratës së Kryeministrit nuk është cituar si duhet Kryeministri.

Megjithëkëtë, i fundit që ka thyer heshtje për bastisjet dhe hetimet e EULEX’it ka qenë Presidenti Fatmir Sejdiu.

Pa e përmendur “Rastin Limaj”, Sejdiu ka thënë se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin.

“Për mua vlen formula: askush nuk është mbi ligjin. Janë pushtete të ndara dhe ato duhet ta bëjnë punën e vet, flas për gjyqësorin, apo për pjesën e hetuesisë dhe kjo vlen për secilin njeri”, ka thënë Sejdiu, për DW.

“Pra, është me rëndësi që puna e institucioneve të bëhet në mënyrë të ndershme dhe ajo ndershmëri dhe pavarësi e institucioneve të japë të vërtetën për çdo fakt, që mund të ngrihet", ka shtuar ai.

Partia më e madhe opozitare, AAK, ka lëshuar një deklaratë për media, ku kërkohet nga ICO’ja, EULEX’i dhe KFOR’i të vazhdojnë luftën kundër korrupsionit duke filluar nga viti 2000.

“AAK’ja beson që autoritetet vendore dhe ndërkombëtare të drejtësisë do ta luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar në të gjitha nivelet e qeverisjes në Kosovë dhe në të gjitha etapat e zhvillimit të institucioneve të lira dhe demokratike në Kosovë, që prej zgjedhjeve të para, të mbajtura në tetorin e vitit 2000”, thuhet në deklaratën e Liderit të AAK’së, Ramush Haradinaj.

Edhe anëtari i Kryesisë së LDK’së, Ismet Beqiri ka thënë se secili që ka shkelur ligjin duhet të përballet me ligjin, pavarësisht se në cilin nivel.

“Nëse ka argumente, nuk duhet me u marr vetëm me gjashtë apo gjashtëdhjetë, por, duhet me shku në të gjitha nivelet, në të gjitha instancat e mundshme, në të gjitha shtresat e shoqërisë ku ka argumente”, ka thënë ai.

Ky zyrtar i LDK’së ka thënë se nuk duhet të paragjykohen rezultatet e hetimeve.

“Nuk dëshirojmë t’i komentojmë deklaratat, sepse secili i di përgjegjësitë përballë pozicioneve që jemi dhe dihet se pushtetet janë të ndara. Secili pushtet duhet t’i kryejë detyrat e veta”, ka thënë ai.

Kurse zëvendëspresidentja e AKR’së, Mimoza Kusari-Lila ka kërkuar dorëheqje morale të dy njerëzve që janë duke u hetuar për keqpërdorime - Fatmir Limaj dhe Nexhat Krasniqi.

“Është e drejtë e Ministrit dhe Kryeministrit, natyrisht të mendojnë për pozicionin e tyre deri në hapin e ardhshëm të drejtësisë. Megjithatë, kishte me qenë shumë e moralshme që atë pasdite, zyrtarët të cilët janë në hetime ose zyrtarët për të cilët është deklaruar, ministri dhe shefi i prokurimit, të japin dorëheqje morale dhe të lënë drejtësinë të kryejë punën e vet”, ka thënë Kusari-Lila.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›