E Diel, 1 Nëntor 2026

S’ka bisedime sekrete

Zyrtari i lartë i Bashkimit Europian, Stefan Fule ka deklaruar të premten se Prishtina dhe Beogradi aktualisht nuk janë duke bërë biseda sekrete, por ka thënë se mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës do t’u hap rrugë atyre.

“Nuk do të ketë bisedime të fshehta për veriun e Mitrovicës mes Prishtinës e Beogradit”, ka thënë Fule.

“Nuk ka bisedime te fshehta dhe nuk kam ardhur këtu për të folur për bisedimet. Kjo vizitë e imja në Kosovë nuk është e para. Çdokush është duke pritur vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, në mënyrë që t'u hapet rrugë bisedimeve. Nuk i takon BE’së që të ketë plane për zgjidhjen e problemit të Mitrovicës. Ne jemi vetëm lehtësues në këtë proces”, ka shtuar ai.

Këto komente, Komisioneri për Zgjerim i BE’së Stefan Fule i bëri gjatë një vizite në pjesën veriore të Mitrovicës, ku edhe ka mbajtur një ligjëratë në gjuhën serbe para studentëve të Universitetit të Mitrovicës veriore.

Mediave nuk u është lejuar që ta ndjekin këtë ligjëratë.

Fule tha se Bashkimi Europian do të angazhohet për një zhvillim më të madh ekonomik të banorëve të Veriut, në mënyrë që perspektiva evropiane të jetë e sigurt.

“Unë jam këtu për të biseduar me njerëzit dhe për të parë se cilat janë mundësitë që Bashkimi Evropian të ndihmojë zhvillimin ekonomik në këtë pjesë dhe se çfarë mund të bëjmë që njerëzit e këtij rajoni të gëzojnë perspektivën europiane”, tha Fule.

Komisionari Fule më pas iu drejtua Universitetit serb në veri të Mitrovicës, që vepron në kuadër të strukturave paralele të Serbisë në Kosovë.

Fule para studentëve të këtij universiteti foli në gjuhën serbe dhe kërkoi nga mediat që komunikimi i tij me studentët të mbahet pa praninë e kamerave.

Ndërsa, drejtuesit e Universitetit serb në veri të Mitrovicës përsëritën se vizita e komisionarit Fule dëshmon përkushtimin europian për të ndihmuar sistemin arsimor të Serbisë.
Komisionari për zgjerim i BE’së, Stefan Fule tha se për integrim në BE është e rëndësishme që Kosova dhe Serbia të tregojnë pragmatizëm.

Ai gjatë ditës ka bërë përurimin e Qendrës për informim të BE-së në pjesën veriore të Mitrovicës si dhe përurimin e Qendrës së biznesit në Zveçan, e cila do të financohet nga BE’ja.

Një ditë më herët, Fule ka thënë se luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit nënkupton disa rezultate konkrete dhe jo vetëm miratim të ligjeve dhe zotime verbale. Këto komente, Fule i kishte bërë pas takimit me Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Duke iu referuar bastisjeve që misioni i Bashkimit Europian për sundim të ligjit, EULEX, i ndërmori në Ministrinë e Transportit dhe reagimeve të ashpra që erdhën nga kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, dhe kryeministri Hashim Thaçi, të cilët nuk ishin pajtuar me atë formë të sjelljes së EULEX’it në raport me institucionet vendore, Fule kishte thënë se hetimet janë duke vazhduar dhe se janë në përputhje me mandatin e këtij misioni.

“EULEX’i është ftuar nga Qeveria e Kosovës dhe ka mandat të qartë dhe se nuk më përket mua t’i komentoj hetimet të cilat janë duke vazhduar”, ka thënë ai.

Duke mos u ndalur vetëm te rasti i bastisjeve të fundit, ai tha se raporti i progresit i Komisionit Evropian kërkon nga Kosova që të ketë edhe disa rezultate konkrete në kuadër të luftimit të dukurive negative.

“Nëse e shikoni raportin e progresit, ai flet për qeverisjen e mirë dhe luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ne kemi nevojë për vepra konkrete dhe jo vetëm angazhime në formën e miratimit të legjislacionit”, tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›