Raportet Greqi-Kosovë

Më shumë se një muaj pas mendimit të GJND-së, pesë vendet anëtare të BE-së, nuk kanë ndërruar qëndrimin e tyre karshi njohjes së Kosovës. Klubi për Politikë të Jashtme konsideron se nga këto pesë shtete, Greqia mban rol më konstruktiv, por, sipas këtij klubi, duhet një punë më e madhe lobuese nga ana e kosovarëve për ta bërë Athinën zyrtare që ta njohë Kosovën
Albana Isufi
Greqia, sipas Klubit për Politikë të Jashtme,
ka mbajtur dhe vazhdon të mbajë qëndrim konstruktiv ndaj Kosovës. Por, as ky
vend, sikurse edhe katër shtetet tjera të Bashkimit Evropian, Spanja,
Sllovakia, Qiproja dhe Rumania, nuk e kanë njohur Kosovën, duke e mbajtur, siç
thuhet, peng edhe procesin integrues të shtetit të ri në BE.
Klubi për Politikë të Jashtme në një raport të prezantuar të mërkurën, thotë se
autoritetet kosovare është dashur të shfrytëzojnë mendimin e Gjykatës
Ndërkombëtare të Drejtësisë për tia ndërruar qëndrimin Athinës zyrtare.
Ardian Arifaj shprehet:
Një njohje eventuale prej Greqisë do të çonte peshë dhe do të bënte presion
edhe te këto vendet tjera që nuk na kanë njohur, për ta njohur Kosovën, sidomos
nga Qiproja, e cila është shumë e ndikuar nga Greqia.
Ajo që na ka shqetësuar më së shumti, është se pse Kosova nuk po komunikon me
Greqinë, pse po mungon një komunikim më intensiv me Greqinë, pse nuk po
mundemi, pse po dështojmë ta bindim Greqinë ta njohë Kosovën, pse autoritetet e
Kosovës nuk po bëjnë më shumë për ta bindur Greqinë që ta ndërrojë qëndrimin
dhe ta njohë Kosovën?.
Ndikimi te Qiproja Veriore, sipas Klubit për Politikë të Jashtme, është një nga
shqetësimet e Greqisë, që bën të mos e njohë Kosovën, pavarësisht se Athina
zyrtare vazhdon komunikimin me Prishtinën, ngjashëm sikurse vendet që e kanë
njohur shtetin e ri.
Ylli Hoxha thotë se diplomacia kosovare duhet ta përdorë mendimin e GJND-së, si
një argument të fuqishëm për tia ndërruar mendjen Greqisë.
Klubi për Politikë të Jashtme (Fotografi nga arkivi)
Një prej argumenteve që duhet përdorur në komunikim me Greqinë është se
mosnjohja e Kosovës është duke nxitur ambiciet e Serbisë ndaj Kosovës dhe po e
mban Kosovën larg integrimeve evropiane, gjegjësisht po e krijon një oazë, e
cila po mbetet prapa rajonit dhe me këtë krijon situatë të destabilizimit të
mundshëm, jo vetëm të Kosovës, por edhe të rajonit, thotë Hoxha.
Në anën tjetër, edhe analisti politik, Ramush Tahiri, vëren qëndrimin
konstruktiv të Greqisë karshi Kosovës, që, sipas tij, është më shumë i
ndërlidhur me faktin se Greqia dëshiron një rajon më stabil.
Tahiri, thotë se me gjithë vonesat, të pesë vendet anëtare të BE-së herët a
vonë do ta njohin Kosovën. Por, kjo, sipas tij, nuk do të thotë që
institucionet e Kosovës të rrinë duarkryq.
Gjithashtu, Tahiri i kritikon ata që nuk kanë punuar sa duhet për të
argumentuar me dokumente domosdoshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës
kudo në botë.
Kosova nuk ka bërë shumë në planin propagandistik, nuk ka krijuar mekanizma
vendorë dhe ndërkombëtarë, të themi të specializuar, nuk ka bërë një libër
faktesh për Kosovën, nuk ka prezantuar materiale të ndryshme propagandistike ku
tregon historinë, dhunën, gjenocidin, luftën, ku e tregon pamundësinë, se përse
Kosova nuk mund të jetojë më me Serbinë, ose nën Serbinë, por duhet të jetojë
si shtet i pavarur.
Ne duhet ta kemi një libër të bardhë, apo libër faktesh, që duhet ta
prezantojmë dhe nuk e kemi. Edhe në Asamblenë e Përgjithshme duhet të kemi
material të tillë propagandistik, por nuk e kemi, vlerëson Tahiri.
Është bërë më shumë se një muaj që nga mendimi i GJND-së, i cili sqaroi se
pavarësia e Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Por, numri i
njohjeve ka mbetur po ai që ishte para 22 korrikut, 69.
Ministria e Punëve të Jashtme ka argumentuar se mosnjohjet janë rezultat i
pushimeve që kanë pasur qeveritë botërore gjatë muajit gusht, si dhe tek vendet
myslimane muaji i Ramazanit.
Ndërkohë, në këtë muaj që sapo hymë, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së do të
jetë arena ku Serbia dhe Kosova do të zhvillojnë betejën e radhës.
Meqë Kosova nuk është anëtare e OKB-së në emër të saj, në sesionin e Asamblesë,
pritet që të argumentojnë shtetet e fuqishme mike, që edhe e kanë ndihmuar
Kosovën në shpalljen e pavarësisë.
Evropa e Lirë