Raportet Shqipëri-BE/ Borrell dhe Varhelyi ‘zbresin’ sot në Tiranë, integrimi në fokus të takimit me Edi Ramën

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell do të vizitojë ditën e sotme Shqipërinë.
Në vizitën e tij në Tiranë, Borrell do të takohet me kryeministrin Edi Rama ku në fokus të diskutimit do të jenë procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, emigracioni dhe roli i Shqipërisë në Ballkanin Perëndimor, si dhe ecuria e Ballkanit të Hapur.
Borrell do të jetë i shoqëruar nga kryekomisioneri Oliver Varhelyi, ku së bashku me kryeministrin Rama do të analizohen raportet bilaterale mes Shqipërisë dhe BE-së. Ata do të kenë takime dhe me përfaqësuesit e të rinjve ndërsa do të marrin pjesë edhe në inaugurimin e Kullës së Venecias në Durrës, restaurimi i së cilës është financuar nga fondet e BE-së.
“Këto vizita do të kenë një rast për të analizuar raportet bilaterale të BE-së me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në kuadër të marrëveshjeve përkatëse të Stabilizim Asociimit, si dhe të diskutohet zhvillimet e fundit në këto shtete dhe në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në njoftimin për mediat për vizitën e shefit të Politikës së Jashtme.
Kryeministria bën të ditur se ditën e nesërme do të mbahet konferenca për mediat mes kreut të qeverisë Edi Rama dhe shefit të Politikës së Jashtme Joseph Borrell si dhe kryekomisionerit Oliver Varhelyi. Ky takim mbahet në kuadër të mbledhjes së dymbëdhjetë midis BE-së dhe Shqipërisë për Këshillin e Stabilizimit dhe Asociimit.
Ndërkaq, nesër do të mbahet Këshilli i Stabilizim i Asociimit, ndërsa më 18 mars Borrell do të organizojë takimin midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në kuadër të dialogut që e lehtëson blloku evropian. Borrell do të vizitojë edhe Ohrin ku do të zhvillohet takimi i radhës i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
“Ditën e nesërme, 16 mars 2023, në orën 12.00, në hotel “Marriot”, do të mbahet konferenca për shtyp mes Kryeministrit Edi Rama, Përfaqësuesit të Lartë të BE për Punë të Jashtme dhe Politikën e Sigurisë Josep Borrell Fontelles si dhe Komisionerit për Fqinjësinë dhe Zgjerimin në BE Oliver Varhelyi, në kuadër të mbledhjes së dymbëdhjetë midis BE-së dhe Shqipërisë për Këshillin e Stabilizimit dhe Asociimit”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.
Borrell në Shqipëri do të qëndrojë sot dhe nesër ndërsa në Maqedoninë e Veriut më 16 dhe 17 mars. Në 18 mars, Borrell do të organizojë rundin e ri të dialogut midis Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiçit.
Gjatë vizitave në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Borrell do të diskutojë edhe për agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës, pasojat që kjo ka pasur për Evropën dhe Ballkanin si dhe për bashkëpunimin mes BE-së dhe këtyre shteteve në përballimin e këtyre pasojave.
/rtsh.al/